Letër për familjet – Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë

Letër për familjet – Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë

Hyrja

Të dashur besimtarë, Kisha Katolike së fundmi ka jetuar dy sinode të mëdha ku kanë marrë pjesë ipeshkvij nga e gjithë bota, për të folur për thirrjen e familjes në kohën tonë. Për të përmbledhur qëllimin e sinodeve, Papa ka shkruar një dokument që titullohet Amoris Laetitia, “GËZIMI I DASHURISË”. Ne, kisha në Shqipëri, çfarë mund të mësojmë? Çfarë përfitimesh mund të nxjerrim? Çfarë përfundimesh mund të gjejmë ndaj këtij kujdesi që Papa dhe ipeshkvijtë, të udhëhequr nga Shpirti Shenjtë, kanë shfaqur për familjen? Ju shkruajmë sepse dëshirojmë të gjejmë disa përgjigje dhe të arrijmë tek të gjithë, të prekim zemrat, t’u flasim qartazi mendjeve. E ndjejmë si nevojë urgjente që të mos ju lëmë si delet pa bari.

Falë Hyjit populli ynë ka akoma shumë dëshirë për të krijuar një familje. Ajo shihet si rruga e duhur, fati që pret çdo burrë dhe grua, dhe kjo është e bukur. Nuk mjafton! Problem themelor është si fillojnë, çfarë forme marrin, çfarë lloj familjeje nxjerrin në dritë çiftet shqiptare. Jemi krenarë që jemi të krishterë katolikë brenda vetë popullit tonë. Pa meritën tonë, falë Gjakut të Jezu Krishtit dhe të martirëve tanë, ka arritur deri tek ne dhurata e pagëzimit që na bën bij të Hyjit. Është bukur të pyesim vetën: çfarë lloj familjeje formojnë dy bij të Hyjit? Çfarë mesazhi i sjellin botës dhe Shqipërisë së sotme çiftet e krishtera të kësaj toke?

Secili nga ne ka dhuratën e vet dhe duhet të bëjë pjesën e vet në këtë aventurë të mrekullueshme që është jeta e krishterë. Për këtë arsye e kemi ndarë letrën në pjesë që u drejtohen përsonave specifikë brenda familjes, duke shpresuar që zemra e secilit të hapet nën dritën e Ungjillit.

Juve, o prindër, …

Në fillim të çdo familjeje është një çift, një burrë dhe një grua, ashtu si edhe në fillim të njerëzimit me Adamin dhe Evën, si në fillim të çdo jete njerëzore. Për këtë ju drejtohemi së pari juve o prindër, nismëtar plot kurajo të një familjeje të re. Pa ju të dy dhe pa martesën tuaj sot nuk do të ishte kjo pjesë e re Kishe dhe shoqërie. Jeni dy persona të ndryshëm në shumë aspekte, që kanë pranuar të bashkohen përgjithmonë dhe në gjithçka dhe po bëjnë përvojë çdo ditë, që të bëhen gjithmonë e më shumë një çift: bashkimi i të dyve. Mos u lodhni kurrë së kërkuari që të rriteni në bashkimin tuaj dhe t’u tregoni fëmijëve tuaj se duheni. Në fillim të jetës nuk është një përson që përdor një tjetër person tjetër dytësor për të krijuar një familje, madje as vetë fisi nuk mund të vendosë të bashkojë dy persona pa liri dhe pa vetëdije. Martesat e bëra në këtë mënyrë nuk janë të vlefshme dhe fyejnë rëndë dinjitetin e bijve të Hyjit. Në fillim jeni ju të dy. Fëmijët kanë si prindër babain dhe nënën, jo familje të zgjeruar (?). Të dashur prindër forca juaj qëndron në të qenurit çift. Jeni ju të dy që e keni në dorë fatin e familjes suaj, përgjegjësinë e fëmijëve, thirrjen e shenjtë të martesës. Ju të dy keni kremtuar para Hyjit dhe Kishës sakramentin e martesës, kështu që juve dhe askujt tjetër i është dhënë hiri i sakramentit tuaj. Hyji Atë ju sheh tashmë gjithmonë si dy, ju kërkon dhe ju flet gjithmonë në dyshe. E ka për zemër bashkimin tuaj. Ta keni nën kujdes edhe ju të qenurit tuaj si çift. Flisni së bashku, bashkëndani gjërat e rëndësishme dhe ato të përditshme, shqetësimet dhe dëshirat. Një barrë e mbartur së bashku ndahet dysh, një gëzim i bashkëndarë dyfishohet, mbi të gjitha për ju që ju bashkon shpirti dhe trupi. Ti bashkëshort, mos u përpiq, që të vendosësh epërsinë tënde mbi tjetrin, që të kërkosh ta zotërosh, sepse mund të mbetesh një gjysmë njeri. Do të shkatërrosh çiftin, sepse kemi të bëjmë me një çift vetëm atëherë kur kemi dy veta me të drejta të barabarta që respektohen. Mbrohuni nga kushtëzimet e jashtme edhe nga ato të familjes suaj të origjinës. Më parë është burri yt\ gruaja jote pastaj të gjithë të tjerët. Vendimet merren gjithmonë në çift sepse ai\ajo është gjysma tjetër e jotja. Mos gaboni duke i kushtëzuar fëmjët tuaj në zgjedhjen e martesës, ndihmojini me përvojën tuaj, por jepuni kohë dhe liri për t’u pjekur.

Bëni kujdes, sepse edhe kujdesi për fëmijët mund t’ju largojë nga njëri-tjetri. Ndodh shpesh që nga shqetësimi për fëmijët të harrojmë bashkëshortin\bashkëshorten. Fëmijët rriten mirë nëse ju shohin duke jetuar të bashkuar! Të bashkuar edhe kur bëhet fjalë që të kujdeseni për ta, t’i edukoni, t’i korrigjoni. Gjëja më e bukur dhe më e vlefshme (për ju vetë dhe për fëmijët tuaj, nëse keni) është që të jeni të bashkuar edhe në mënyrën sesi e jetoni fenë, në lutje dhe në vajtjen në meshë. Mund të jetë një fakt që e sheh bashkëshortin\bashkëshorten që nuk e bashkëndan me ty fenë, por edhe të jetohet feja secili për hesap të vet është negative, sepse nuk do të ishte një fe e vërtetë. Është një hir të plakeni bashkë, kur fëmijët të shkojnë në rrugën e tyre dhe të ngeleni sërish ju të dy, shpresojmë në shtëpinë e njërit prej fëmijëve tuaj. Ato do të kenë familjet e tyre dhe ju do t’i ndihmoni sërish, nëse do të jeni një çift më i bashkuar nga përvoja e jetës, sepse do të jeni dëshmia e gjallë që dashuria është gjëja më e rëndësishme dhe që kjo me kohën mund të rritet dhe jo të dobësohet. Kjo ka shndritur dhe do të shndrisë rrugën e jetës suaj dhe atë të të tjerëve.

Juve, çifte të reja, …

Le të themi që po mësoni të jeni çift. Dashuria nuk është një ndjenjë: fillon si një ndjenjë, por rritet vetëm nesë kemi dëshirë ta mësojmë me qëndrueshmëri. Juve ju takon ai kalimi delikat nga dasma tek e përditshmja. Jeni martuar plot me vullnet të mirë, secili me pritshmëritë e veta, të tjerët ju kanë rrethuar me vëmendje, ju kanë bërë festë, por duhet kaluar në realitet, që është akoma më i bukur se ëndrra nëse di ta jetosh. Keni zbuluar shumë shpejt që nuk keni të bëni më martesën si koncept abstrakt, por me një njeri konkret. Fatkeqësisht e vini re edhe ju që shumë çifte nuk arrijnë ta bëjnë këtë kalim dhe ndahen në vitet e para të martetsës. Nuk duhet pasur frikë! Martesa rritet nëpërmjet krizave. Është e vërtetë! Por me një kusht: duke u rritur dhe duke u pjekur si njeri dhe si i krishterë. Do të rriteni në dashuri nëse e lini vetën të ndihmoheni nga të tjerët, por para së gjithash, është e nevojshme aftësia themelore për të pyetur gjithmonë ndërgjegjën tonë, t’i bësh ballë tundimit për të thënë gjithmonë: “kam të drejtë unë!” por përkundrazi të thuash: “çfarë mund të mësoj dhe të kuptoj nga kjo situatë?”. Para së gjithash lëreni veten të ndihmoheni nga Hyji, duke kërkuar në lutje dhe në sakramente forcën për të ripërtërirë dashurinë tuaj. Mësojeni nga Hyji faljen dhe bashkimin, i cili është gjithmonë i gatshëm të përdorë mëshirën e vet dhe të na pranojë vetëm që ne ta vazhdojmë marrëdhënien tonë me Të. Fakti që e keni kremtuar martesën tuaj në Kishë nuk do t’ju shërbejë për gjë nëse nuk e ushqeni me sakramentin e rrëfimit dhe të eukaristisë. Ndihmat e tjera janë ato që mund t’ju vijnë nga jashtë, nga njerëz të fesë dhe me përvojë, të shuguruar ose të martuar, që mund t’ju ndihmojnë t’i kuptoni situatat dhe të zgjidhni rrugët e duhura. Kërkoni ato njerëz që ju ndihmojnë ta ndërtoni martesën tuaj (edhe nëse është e rrezikshme) dhe jo ta dobësoni.

E njëjta mikpritje vlen edhe për fëmijët: janë gjithmonë një dhuratë e çmueshme. Dhe një dhuratë pranohet ashtu siç është, me dashuri dhe besim. Përsonat nuk vlejnë më shumë apo më pak, nëse janë mashkull apo femër. Një i krishterë që e bën këtë ndryshim në të vërtetë është një pagan i caktuar t’i bëjë të palumtuar të tjerët dhe veten. Nganjëherë mania për të pasur një familje sipas qejfit na çon deri në vrasjen e fëmijëve. Aborti është një vrasje e tmerrshme, që përveç se vret një fëmijë shkatërron edhe jetën e prindërve, e rëndon familjen, e përçmon thellësisht Hyjin duke hedhur një nga dhuratat e Tij më të bukura. Nuk ka kurrë një justifikim për abortin. Duke pranuar bujarisht fëmijët që Hyji do t’ju jape, do të keni përkundrazi, një jetë më të lodhshme, por të bukur, sepse është e pasur me dashuri.

Nuk bëhet fjalë për të mikpritur vetëm fëmijët nën strehën e dashurisë suaj, por të gjithë njerëzit, mbi të gjitha për ata që kanë më shumë nevojë për familje. Mos u mbyllni brenda horizontit të familjes suaj, duke takuar vetëm të afërmit tuaj. Ta jetosh martesën në mënyrë të krishterë është e nevojshme që të bësh zgjedhje të guximshme dhe guximi vjen nga mbështetja e atyre që përpiqen të bëjnë të njëjtën rrugë me ty. Jezusi e dinte mirë dhe prandaj ka krijuar, me sakrificën e tij, bashkësinë e krishterë. Familjet kanë shumë nevojë që të bashkohen në një bashkësi të krishterë, për të ndihmuar dhe për t’i dhënë guxim njëri-tjetrit, secili me dëshminë e tij. Kjo vlen akoma më tepër nëse jetoni jashtë. Nëse jetoni në një vend të huaj rrezikoni që rrethi të bëhet akoma më i ngushtë, dhe izolimi dobëson fenë, ndërsa me hapjen dhe mikpritjen pasurohemi akoma më tepër me përvojat e të tjerëve, që janë të ndryshme nga tonat.

Sigurisht që mundi për të ndërtuar një shtëpi të bukur, një stil jetese të denjë dhe të rehatshme, kërkon shumë kohë dhe shumë punë. Jeni të rinj dhe plot energji ndaj dhe është momenti i duhur që të angazhoheni për këtë: duke bërë që familja juaj të rritet edhe nga ana ekonomike për të përmirësuar kushtet e jetesës. Por kini kujdes që kjo të mos jua heqë atë që është parësore, lidhjen e dashurisë me familjarët tuaj. Ndodh shpesh që prindërit u japin shumë gjëra dhe shumë rehati fëmijëve të tyre, por i privojnë nga prania e tyre e kujdesshme dhe nga gatishmëria. Arrin të ndërtosh një shtëpi të bukur, por fëmijët e tu nuk të njohin më, prandaj dhe nuk të dëgjojnë. Është e vërtetë edhe që shumë herë nuk ke një zgjidhje tjetër dhe detyrohesh të veprosh sipas rrethanave. Do të jenë feja dhe dashuria që do të na tregojnë rrugën e duhur për të folur me të dashurit tanë edhe në sakrificën e të qenurit larg. Të dyja, kur janë të vërteta, gjejnë gjithmonë një rrugë dhe një zgjidhje për të vazhduar të rritemi dhe të shprehemi.

Ju drejtohemi me dashuri atërore edhe juve o çifte të ndara ose të divorcuara. Mos u largoni nga kisha nga që keni dështuar në projektin tuaj martesor! Ajo do të vazhdojë të kujdeset për ju dhe do të jetë gjithmonë shtëpia juaj. Afrohuni tek barinjtë tuaj me besim për të kërkuar ndihmën e përshtatshme për ju, dhe kështu të vazhdohet të ecet në fe në Jezusin Zot dhe Shpëtimtar.

Juve, të rinj të fejuar, …

Do të ishte e mira t’ju drejtonim një letër enkas për ju, sepse vendimet e para vendosin shumë gjëra për të ardhmen. Pas një fejese të mirë martesa rrjedh më e qetë dhe më e fortë. Është si shtëpia mbi shkëmb për të cilën flet Jezusi në ungjill. Në traditën tonë fejesa fillon në mënyrë zyrtare dhe publike, me dhurimin e unazës. Është një gjë e bukur që krijon fillimin e një kohe të rëndësishme. Shumë vajza e ëndërrojnë këtë moment si një plotësim afektiv dhe për djemtë është kurorëzimi i një arritjeje të një pjekurie shoqërore. Por në këtë situatë ka disa rreziqe shumë të mëdha. Duke qene publike dhe solemne, përfundon që të bëhet një angazhim, që është turp të lihet, sepse sytë e të gjithëve janë mbi të fejuarit dhe duhet të jetë patjetër një histori me një fund të lumtur. Ndërkohë që nuk është kështu! Kisha në mësimin e saj është e qartë: fejesa nuk është si martesa. Është një kohë e nevojshme për t’u njohur, për të kuptuar si arsyeton tjetri, nëse është i përshtatshëm për të ndërtuar një çift, nëse ka bashkëndarje të vlerave dhe zgjedhjeve themelore për të ndërtuar jetën së bashku. Një fejesë e jetuar mirë mund të mbërrijë edhe në përfundimin që ai nuk është përsoni i duhur për ty. Ndërkohë, fatkeqësisht, shumë hynë në fejesë si në një tunel që duhet të përfundojë vetëm në martesë me atë njeri, që ndoshta jeton jashtë shteti ose ndoshta as nuk e njeh mirë. Për më tepër është edhe kushtëzimi i paragjykimeve dhe i ndjenjave sipërfaqësore, ndoshta edhe nga papjekuria e moshës. Sa martesa dështojnë falë një fejese të bukur në dukje, por pa përmbajtje të vërtetë! Mbi të gjitha këtu vlen parimi që dushuria mësohet dhe që duhet ta lëmë vetën të ndihmohemi. A mund të mjaftojnë ato pak takime paramartesore që bëhen zakonisht, shumë shpejt dhe në momentin e fundit, për të qenë gati të marrësh një angazhim që zgjatë gjithë jetën? Përgjigjja është në statistikat e ndarjeve pikërisht mes atyre që janë martuar në kishë. Kursi paramartesor është në interesin tuaj dhe jo një “taksë” për t’ia paguar kishës…

Duke ngatërruar fejesën me martesën edhe seksualiteti jetohet në mënyrë shumë sipërfaqësor. Bashkimi fizik gjatë fejesës nuk është në të mirën e çiftit, gjë që gjatë martesës është themelore. Marrëdhëniet seksuale gjatë fejesës të krijojnë iluzionin e thjeshtë që gjithçka është në rregull dhe se ai mund të jetë personi i duhur. Ndërkohë që vetëm brenda një atmosfere dlirësie (pastërtie) ke qetësinë dhe lirinë e duhur për ta njohur tjetrin me të vërtetë. Bashkimi seksual është aq domethënës dhe pjellor sa mund të jetohet vetëm dhe vetëm brenda martesës. Jashtë martesës është poshtërues. Seksualiteti, për të krishterin, është kurorëzimi i dhuratës që Zoti na ka bërë ne nëpërmjet sakramentit. Në fejesë kjo dhuratë nuk na është bërë akoma. Siç thuhet në shqip, akoma nuk ke vënë kurorë. T’i bësh gjërat pa ngut dhe sipas urdhrit që Hyji Atë ka menduar është kushti i domsdoshëm për të krijuar një familje të mirë. Kini besim tek ajo që ju mëson Kisha sepse, përveç përvojës dymijë vjeçare, ka edhe frymëzimin e Shpirtit Shenjt.

Juve, o të rinj që jeni duke vendosur për të ardhmen tuaj, …

Dhe nuk jeni akoma të fejuar, por ndjeni brenda jush se doni ta bëni jetën tuaj një kryevepër, ju drejtojmë një fjalë inkurajuese që ta shikoni të ardhmen tuaj me sy të lirë, pa u kushtëzuar nga moda dhe nga joshjet e botës. Mos u mashtroni nga premtimi i lirisë së rreme ku duket se gjithçka është e lejueshme, por pastaj bëhesh skllav i lakmisë, i pasigurisë, i instikteve të tua dhe i atyre të të tjerëve. Shpesh herë tradita familjare ju tërheq nga një anë dhe stili i jetës moderne ju tërheq nga ana tjetër. Kështu nis një konflikt mes ngrohtësive dhe dëshirës për liri dhe lëkundesh, pa një arsye të veçantë, pak nga njëra anë dhe pak nga tjetra. Nuk dini kujt t’i jepni të drejtë. As tradita, as moda, nuk janë absolute: ka të drejtë ungjilli i Jezu Krishtit, sepse Jezusi është Zoti, të do falas nuk do të përfitojë asgjë nga ti. Mësoni shpejt që të përdorni ndërgjegjën tuaj për t’i gjykuar situatat nën dritën e ungjillit. Kërkojeni të vërtetën dhe duajeni më shumë se vetveten dhe më shumë se rehatitë ose përparësitë tuaja: do të jeni përsona të lirë dhe do të gjeni shumë më lehtë rrugën e lumturisë suaj. Ati që është në qiej e ka zbuluar tashmë për secilin nga ju që nga momenti që ju ka krijuar. Lumturia juaj nuk është në një njëri, por në Hyjin. Jeta është për të gjithë një thirrje, sepse është një ftesë drejt lumturisë së përsosur dhe të përjetshme që është në mënyrën sesi e njohim dhe e jetojmë dashurinë e Hyjit. Është ai që na fton të bëjmë përvojë dhe të jemi shenjë e dashurisë së tij: disa në martesë, të tjerë i thërret të jenë një shenjë akoma më e dukshme përmes shugurimit për Mbretërinë e Hyjit, që të mund t’i shërbehet vëllezërve në meshtari ose në jetën rregulltare, por të gjithë kemi një thirrje të vetme të përbashkët: atë të Dashurisë së Hyjit. Në atë të gjitha thirrjet e veçanta takohen dhe marrin ndihmë, sepse të gjitha shërbejnë për të lartësuar Trupin e Krishtit. Lum ai që martohet duke e jetuar martesën e tij si një thirrje! Sigurisht do të dëshirojë dhe do të jetë i lumtur nëse ndonjë nga bijtë e tij do të zgjedhë jetën e shuguruar. Është po ashtu i lum ai që do të përqafojë shugurimin duke e vlerësuar thirrjen martesore: do të ndihmojë të lindin shumë familje, do të kuptojë nevojat e njerëzve, do të dijë t’ia shpallë ungjillin kujtdo në mënyrë të thjeshtë dhe konkrete.

Prandaj, të dashur të rinj, në projektet tuaja për të ardhmen mos bëni çdo gjë vetëm. Do të zhgënjeheni! Kërkoni, në dritën e marrëdhënies përsonale me Hyjin, jetën e mirë dhe të bukur. Duajeni trupin e Krishtit që është Kisha, bashkësinë e krishterë, kërkoni në Të mësimet për të jetuar mirë, kujdesuni për Të me burimet tuaja, mbi të gjitha me punë vullnetare dhe me shërbim në favor të më të dobëtëve dhe më nevojtarëve. Do të jeni më të fort e më të ndriçuar edhe për të përballuar angazhimet tuaja personale, do të jeni të lirë në ndërgjegjën tuaj, të aftë të dalloni çdo të mirë që mund të vijë si nga tradita familjare ashtu edhe nga bota që ta bëni tuajën dhe ta shijoni, nga ajo që mund jetë e keqe për ta shmangur dhe ndryshuar.

 

Juve, o gjyshër, duam t’ju drejtojmë një fjalë mirënjohjeje të madhe për vitet e vështira të diktaturës që keni kaluar dhe sepse keni ruajtur fenë dhe dinjitetin e familjes. Keni marrë pjesë, ndoshta edhe me shumë vështirësi, në ndryshimet e rrepta dhe shumë të shpejta të familjes dhe të shoqërisë shqiptare në këto vite.  Gjithçka dukej e palëvizshme dhe e kontrolluar nga një fuqi e pandryshueshme, që mendonte se ishte e përjetshme, por përkundrazi, tani është krejt e kundërta: gjithçka ndryshon, të rinjtë janë kontakti ynë me mentalitetin e shumë vendeve të huaja dhe atje e çojnë familjen, në të mirë dhe në të keqe. Sigurisht që mosha ju jep urtinë që të mos çuditeni. E dini që me lutje dhe durim kalohet gjithçka, që gjithçka kalon dhe vetëm Hyji mbetet. Mos pushoni kurrë së dëshmuari të rinjve, edhe me vetë praninë tuaj plot dinjitet dhe korrektësi. Lërini të rinjtë që t’i bëjnë përpjekjet e tyre dhe gabimet e tyre, sepse fara e mirë nuk humbet, është Zoti ai që e ruan dhe e përhap, jo ne! Kini kujdes që të mos i lini si trashëgimi ngatërresa, xhelozi, mospëlqime, armiqësi sepse, duke kaluar nga një brezni në tjetrën, zmadhohen dhe krijojnë një shkatërrim në jetën e familjes dhe të shoqërisë. Mos e nënvlerësoni forcën e gjykimeve tuaja. Mund të bësh shumë të mira, por mund të bësh edhe shumë të këqija. Me mënyrën tuaj të të folurit, të të menduarit dhe me mënyrën tuaj të të qenurit jini për më të rinjtë një dritare mbi jetën që nuk kalon.

Juve, o gra, ju shkon një falenderim i thellë dhe i madh për rolin delikat që Hyji ju ka besuar brenda familjes: ajo e të qenurit “shtëpi” mikpritëse për burrin dhe fëmijët. Nëpërmjet jush jeta rrjedh dhe kalon, falë po-ve tuaja dhe aftësisë tuaj për t’u sakrifikuar dhe për t’iu dedikuar tjetrit. Burri dhe fëmijët ndjehen të sigurtë, sepse është nëna që i mendon, që parashikon. Përpiquni t’ia përcillni këtë mënyrën tuaj të të qenurit edhe të tjerëve, sepse kështu do të bëhen më të aftë për të dashur. Kini më shumë besim në vetvete dhe në dinjitetin e veçantë me të cilin Hyji ju ka krijuar. Përveç se të shërbeni, mësojuni të shërbejnë sidomos djemve tuaj. Secili në mënyrën e tij mund ta ndihmojë jetën e të tjerëve dhe ju keni më shumë kohë dhe mundësi për t’jua mësuar këtë fëmijëve tuaj. Edhe babai e ka detyrën e edukimit të fëmijëve, por gjurmën e lë nëna. Mësoni respektin për të gjithë dhe për jetën, kujdesin për më të dobëtit, vlerën hyjnore të trupit që është tempulli ku banon qënia dhe Hyji. Mos kini frikë nga ajo që mendoni, mos e lini vetës t’ju rrëmbejnë emocionet, por kërkoni urtinë në lutje. Bota na propozon modele grash gjithnjë e më të bukura në dukje dhe bosh brenda që tërheqin jo vetëm burrat, por edhe vetë gratë, gjithnjë në kërkim të një konfirmimi dhe një mirënjohjeje. Mos u gënjeni! Shikimi i të tjerëve ndërsa shpërblen na bën skllevër. Të kesh një shtëpi të bukur, fëmijë të shëndetshëm dhe të përsosur, një pamje të veçantë, një mirënjohje shoqërore mund të bëhen idhuj për të cilët gruaja sakrifikon ndërgjegjën e vet, ndjeshmërinë e saj femërore, madje edhe ato persona që i do. Më mirë të kesh më pak pamje të jashtme dhe më shumë dashuri. Në veçanti gruaja është e thirrur që të japë përparësitë e duhura në një familje. Shikojeni të Lumen Virgjër Mari që është një grua konkrete që ka qenë fillimi i shpëtimit të botës. Besoni në misionin tuaj fisnik të dashurisë dhe Hyji do t’ju ndihmojë ta realizoni!

Meshtarëve dhe vepruesve baritor, ju kujtojmë që familja është qeliza e shoqërisë dhe e Kishës. Nuk mund ta lëmë pas dore! Është djepi i gjithçkaje. Duhet këmbëngulur (ose filluar) që të bëhen disa hapa, edhe të vegjël por konkret, mbi baritoren e familjes. Përpiquni që t’i bashkoni familjet në grupe të veçanta, mbi të gjitha familjet e reja, të shkoni t’i takoni në një shtëpi, të bashkëndani me to përgjegjësitë baritore që mund të marrin. Është e vërtetë që është e vështirë, por duhet provuar. Nëse dorëzohemi ne barinjtë, nuk do të bëjmë kurrë asgjë. Por përkundrazi nëse besojmë në familjen, do të jenë familjet që do të na ndihmojnë, sepse të gjitha kanë nevojë. Jo pak familje kanë dëshirë ta jetojnë ungjillin brenda në familje. Një nyje shumë e rëndësishme është ajo e takimeve paramartesore! Kushtëzimet dhe kufizimet janë të shumta, por duhet të mësojmë të bëjmë dallimin mes rrugëtimeve dhe t’i ofrojmë më shumë atij që mundet dhe që do të marrë një formim njerëzor dhe të krishterë dhe jo vetëm informacione mbi martesën. Veç tjerash, është e nevojshme të hymë në një rend idesh që baritorja e familjes fillon me edukimin afektiv të adoleshentëve. Nuk mjafton të japësh rregulla, duhet shpallur thirrja kundrejt dashurisë adoleshëntëve, duke filluar qysh kur zgjohet në to përsonaliteti. Është ai momenti i mbjelljes. Nëse e humbasim, arrijmë me vonesë edhe bëjmë ta kenë më të vështirë dhe të bëjnë më shumë gabime të rinjtë tanë.

Përfundimi

Shpresojmë që të kemi arritur t’ju flasim në mënyrë të thjeshtë dhe të thellë, për të prekur zemrën dhe ndërgjegjën dhe të ndihmojmë ecjen tuaj. Papa ka shkruar “gëzimi i dashurisë që jetohet është edhe ngazëllimi i Kishës”. Kjo na ka shtyrë të bëjmë këtë letër. Nuk janë rregulla për t’u respektuar, rregulla për t’u mbrojtur, ide për t’u shpërndarë: është gëzimi i dashurisë, gëzimi i jetës. Feja na mëson që në familjen e krishterë mund të rrjedhë e njëjta jetë dhe e njëjta dashuri që rrjedh në familjen e trinisë, ajo që rrjedh mes Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt. Si mund ta lëmë pas dorë këtë dhuratë?

Trinisë i qoftë lavdia në shekuj të shekujve. Amen.

 

Previous Familja në qendër të baritores për ipeshkvinjtë shqiptarë
Next Mesazhi i Paqes i Papa Françeskut per vitin 2017

Sugjerime