Krishtlindja është mahnitje, gëzim, mirëpritje, dhurim.

Krishtlindja është mahnitje, gëzim, mirëpritje, dhurim.

ANGELO MASSAFRA O.F.M.   /

E kremtja e Krishtlindjes është festa e Jetës dhe e Dashurisë: Hyji Atë na do dhe do të gjithë njerëzit me një dashuri pafund dhe falas. Risia që na propozohet prej Hyjit përbëhet në themel prej një qëndrimi të ri që duhet të mbajmë përballë jetës sonë personale dhe asaj bashkësiore e shoqërore, i njëjti qëndrim që merret kur lind një fëmijë: mahnitje, gëzim, mirëpritje, dhurim.

Qëndrimi i “mahnitjes” na ndihmon të vlerësojmë dhe të përjetojmë me më shumë përshpirtëri dhuratat e Zotit; nuk mund të vazhdojmë të jetojmë e të përballemi me ngjarjet në menyrë sipërfaqësore.

Ndiejmë nevojën për risi, sidomos përballë situatave të rënda që nuk i pëlqejnë askujt dhe përballë të cilave provojmë një ndjenjë pafuqie. Zoti dëshiron të bëjë për ne “një gjë të re”; pyetja është: po ne a e duam këtë? Deshirojmë të jemi protagonistë të ndryshimeve?

Qëndrimi i “gëzimit” i jep jetës një shije të re dhe na jep mundësinë që të dalim prej formave depresive që e dëmtojnë në thellësi qenien tonë dhe veprimin tonë.

Për ne besimtarët në Krishtin vetëdija se jemi liruar tashmë prej së keqes mund dhe duhet të na hapë ndaj gëzimit; mund dhe duhet të na nxisë në shpresën për të banuar në histori dhe për të ndërtuar kështu të ardhmen së bashku me Atë që është Zoti ynë dhe Shpëtimtari ynë.

Qëndrimi i “mirëpritjes” shoqërohet me atë të “dhurimit”. Një fëmijë që lind kërkon që të mirëpritet dhe kërkon po ashtu vëmendje e kujdes. Papa Françesku është duke na nxitur vazhdimisht që të kemi kujdes për “shtëpinë e përbashkët” që është bota e krijuar dhe, së bashku me botën e krijuar, që të kemi kujdes dhe të jemi solidarë me personat më nevojtarë, si ka vepruar Shenjtja Nena Tereza jonë.

Një i krishterë nuk mund të mbetet indiferent përballë padrejtësive shoqërore, përballë korrupsionit që konsumohet në shumë mjedise: institucionale, gjyqësore, shkollore, shëndetësore, përballë bashkëpunimit në krim, përballë ikjes së burimeve dhe energjive më të mira të Vendit që janë të rinjtë tanë dhe familje tonë

Në të vërtetë, një i krishterë ka detyrën që të gjitha këtyre t’u kundërvihet me veprimin e vet të paditjes së guximshme të së keqes në të gjitha nivelet, duke nisur nga ai familjar për të arritur tek ai institucional. Por edhe më shumë, një i krishterë ka detyrën t’u largohet të gjitha këtyre gjërave sepse ato janë mëkate të vërteta kundër Hyjit.

Shumë të dashur vëllezër dhe motra, si bari i juaji, dëshiroj me gjithë zemër të mirën tuaj si dhe të mirën e kësaj toke ku jemi të thirrur të jemi kripë e dritë. Pagëzimi që kemi marrë na aftëson të jemi prani e Krishtit në këtë botën tonë: na takon neve ta jetojmë personalisht dhe ta çojmë në të gjitha fushat ku jetojmë e veprojmë atë risi jete që bota pret prej nesh.

Krishtlindja është festë e dashurisë, e shpresës dhe e paqes. Dhe si Ipeshkëv, sa do të dëshiroja që të gjithë ta shjojmë këtë paqe, ne Katolikët, Ortodoksët, të krishterët dhe të gjithë popujt: në Betlehem, ku lindi Jesuzi, në Siri, në Shqipëri dhe në mbarë botë.

Pra, urimi që drejtoj të gjithë juve, për këto festa është ai që të jeni ajo që ju është dhuruar: prani e gjallë e Krishtit, sy që shkëlqejnë prej mahnitjes, fytyra të hapura ndaj gëzimit, zemra të gatshme për të mirëpritur e për të marrë përsipër të afërmin dhe situatat, duar të hapura dhe të gatshme për dhurimin e vetvetes dhe të duam më shumë Zotin dhe Atdheun të bukur tonë si Të Lumët Martirë tanë Imzot Vinçenc Prennushi dhe Shokët e Tij.

Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.

Previous 20 vjet prani të Motrave alcantarine në Babicë të madhe
Next Krishti lind edhe në Alepo

Sugjerime