Krishtlindja na zbulon fytyrën e vërtetë të Hyjit, por edhe fytyrën e vërtetë të njeriut

Krishtlindja na zbulon fytyrën e vërtetë të Hyjit, por edhe fytyrën e vërtetë të njeriut

GEORGE FRENDO O.P.   /

Kur në shpallim besimin tonë se Biri i Hyjit u bë njeri, në këtë mister gjejmë themelin e vëllazërisë sonë dhe arsyen e misionit tonë për të marrë pjesë në histori dhe për të ndërtuar një botë e denjë për njeriun.

Ungjilli flet për historinë e një familjeje, Biri i Hyjit na u tregua ne, përmes familjes. Ungjilli na jep një imazhë realiste të jetës në familje, me momentet e saja të gëzimit dhe të trishtimit. Gëzimi i nënës, e cila lind një jetë të re, gëzimi i Marisë dhe i Jozefit, të cilët dëgjojnë këngën e engjëjve dhe presin barinjtë e dijetarët që kishin ardhur për të takuar foshnjën, gëzimi i Marisë dhe Jozefit, të cilët dëgjojnë lavdërimin e Simonit dhe të Anës në tempull. Por edhe trishtimin e tyre kur nuk gjetën vend ku të lind fëmija, ose kur ishin të detyruar të shkonin në mergim sepse Herodi kërkonte ta vriste Jezusin.

Këto janë edhe provat, në të cilat janë duke kaluar edhe shumë familje shqiptare. Tipike në traditën e popullit shqiptar është mikpritja e madhe. Ndoshta Maria dhe Jozefi do të kishin pasur më fat po të gjëndeshin në Shqipëri, se sa në Betlehem. Do të kishin gjetur një familja, e cila do t’i kishte pritur. Por shumë familje po kalojnë momente pasigurie si familja e Nazaretit. Shprehje e kësaj pasigurie është kërkimi i një vendi ku mund të jetohet në qetësi, apo prova e strehimit në një vend tjetër, ose humbja e fëmijëve. Familja shqiptare është një familje shumë e bashkuar, dhe sigurisht e ndjen shumë mungesën e fëmijëve që janë strehuar apo emigruar në vendet e huaja për një të ardhme më të sigurtë e të lumtur.

Krishtlindja na zbulon fytyrën e vërtetë të Hyjit, por edhe fytyrën e vërtetë të njeriut, dinjitetin e vërtetë dhe të pazëvendësueshëm të njeriut, për të cilin Hyji u bë njeri dhe mori mbi vete të gjithë mjerimin tonë. Dinjiteti i njeriut zbulohet tek një foshnjë, që është Hyji, i cili kërkon njeriun, duke u bërë vetë njeri e për më tepër një foshnjë, që për gjithçka varet prej të tjerëve. Dhe ne mund ta shohim fytyrën e Jezusit tek çdo njeri. Prandaj edhe Jezusi tha: “Atë që i bëni më të voglit ndër vëllezërit e mi, ma keni bërë mua”. Jezusi predikon solidaritetin tek të gjithë.

Jezusi erdhi në botë për të mbrojtur të mospërfillurit dhe ata që janë pre e padrejtësisë. Që në vogëli ai qëndron në mes të varfërve dhe është pre e Herodit. Mbi padrejtësinë fitohet, duke parë tek Krishti shpalljen e barazisë themelore të të gjithë njerëzve. Në një shoqëri padrejtësie e dhune edhe sot, Ai predikon dinjitetin e personit, që kërkon t’i respektohet sidomos e drejta për jetën e jo vetëm kaq, por ajo për një jetë dinjitoze, e drejta për edukim dhe e drejta për formuar familje.

E Jezusi erdhi për të ndërtuar një shoqëri të re, në themelet e së cilës nuk ka hebre apo grekë, skllav apo të lirë, shqiptarë apo amerikanë, të varfër apo të pasur, qytetar ose fshatar, i bardhë ose i zi, rom. Kështu të mos lërë vend për asnjë përbuzje rrace, ngjyre, shkalle shoqërore apo besimi fetar. Ky ishte revolucioni i Jezusit, që pati nisjen e përvuajtur në shpellën e Betlehemit. Ky revolucion kishte për qëllim jo të ndryshonte shtresat shoqërore, por zemrën e njeriut, sepse vetëm kështu garantohet përparimi dhe liria e vërtetë.

Pra Krishtlindja na angazhon të krijojmë një shoqëri më të drejtë dhe më vëllazërore. Ne u gëzuam kur partitë politike ranë dakord për reformen në drejtësi – ishte shenjë pjekurie politike, sepse politikanët duhet të kërkojnë të mirën e përbashkët m shum sesa të mirën e partisë. I nxisim të angazhohen edhe më shumë për të kontrolluar plagën e korrupsionit dhe të drogës, dhe të tregojnë më shumë kujdes për të varfrit, që janë gjithmonë në zemrën e Krishtit.

Previous Një letër nga Jezusi fëmijë për Krishtlindje
Next 20 vjet prani të Motrave alcantarine në Babicë të madhe

Sugjerime