Koncert bamirësie në Katedralen e Sapës

Koncert bamirësie në Katedralen e Sapës

Nuk ka rëndësi se sa ndihmojmë,

por sa dashuri vendosim në atë që dhurojmë

Mbi këtë moto është organizuar Koncerti Tradicional i Krishtlindjes në Katedralen Shën Tereza e Kalkutës në Vau-Dejës, mbajtur në vigjilje të së dieles së tretë të Kohës së Ardhjes.  Ky koncert organizohet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Caritasit, ndërsa përmasat e tij shtohen edhe me rastin e festave të fundvitit. Nën organizimin e Caritas Sapa, artistët me famë në Shqipëri, me shumë dashuri iu përgjigjen ftesës së këtij intitucioni për të performuar para publikut të Sapës, me një diapazon të gjerë muzikal e recital nga repertorët e tyre.

Të ftuar special ishin orkestra e harqeve udhëhequr nga Eugjen Gargjola, Artisti i Merituar z. Mirush Kabashi, sopranoja Erinda Agolli si dhe kori polifonik që priti Papa Françeskun në vizitën e tij në Shqipëri.

Administratori Dioqezan i Sapës, Dom Simon Kulli, iu ka uruar mirëseardhjen të gjithëve të pranishmëve në Katedrale dhe kujtoi se kjo mbrëmje artistike na dhuron atë gëzim të domosdoshëm që lartëson zemrat tona drejt së bukurës drejt artit. Dhe përmes këtij lartësimi do të jemi në gjendje të hyjmë dhe ta sodisim në mënyrë të natyrshme misterin e krishtlindjes që po afron.

Ndërsa artisti i merituar z. Mirush Kabashi solli vargjet e nënë Terezes dhe të martirit Dom Lazer Shantoja, ku përmes interpretimit të një shpirti artisti solli emocione të mëdha për publikun artdashës.

Vetë artistët e vlerësuan këtë event si një kontribut të çmueshëm për bamirësinë dhe për çështje të tilla shoqërore dhe sociale. Ato vetë personalisht ishin protagonistët kryesore të bamirësisë, ku me zërin dhe interpretimin e tyre ato dhuruan herë pas herë emocione të jashtazonshme shoqëruar edhe me duartrokitjet e publikut.

Ky koncert do të jetë nxitje për secilin që në dashuri ndaj njëri-tjetrit ta jetojmë ashtu siç duhet këtë kohë të shenjtë dhe të presim Krishtlindjen.

Violeta Marashi

 

 

Previous PROMOVIM I BULETINIT TË CARITAS SAPA
Next Emërohet Vikari i Përgjithshëm dhe krijohen organet e reja kolegjiale në Arkidioqezën e Tiranë-Durrësit

Sugjerime

Kisha në trevat shqiptare
Kisha në trevat shqiptare