Hyji është Atë me zemër nëne – Liber reflektim i Dom Gjergj Metes

Hyji është Atë me zemër nëne – Liber reflektim i Dom Gjergj Metes

GEORGE FRENDO O.P.  /

Do të kisha filluar këtë parathënie kështu: “Ky liber nuk është për të gjithë. Është vetëm për ata që dëshirojnë të njohin nga më afër personin e Jezu Krishtit, Kishën, mbarështuesit e Kishës, sakramentet e Kishës….” Po pastaj m’u kujtuan ato fjalët e Kushtetutës së Koncilit II të Vatikanit mbi Kishën në Botën Bashkëkohore, kur flitet për ateizmin bashkëkohor. Në atë kontekst Koncili tha se disa kanë arritur tek mohimi i ekzistencës së Hyjit sepse kanë një ide të gabuar për Hyjin, në mënyrë që ai “hyj” që ata mohojnë “s’ka asnjë lidhje me Hyjin e Ungjijve” (nr. 19).

Prandaj, pas pak reflektim, thashë: Patjetër, kyështë një libër për të gjithë. Edhe një ateist mund të gjejë dritë në këtë libër të shkurtër, veçanërisht në dy kapitujt e parë, që flasin për mëshirën dhe “amësinë” e Hyjit.

Po shkruaj këtë Parathënie kur jemi duke mbaruar Vitin Jubilar të Mëshirës. Njeriu nuk mund të tregojë atë mëshirë heroike për të cilën na nxit Jezusi po të mos pranojë mësimin e Jezusit mbi Hyjin e mëshirshëm. Kapitulli i tretë është një meditim i thellë mbi mëshirën e Hyjit si na përshkruhet në Kapitullin 15 të Ungjillit të Lukës nëpërmjet tri shëmbelltyrave: të deles së humbur, të drahmës së humbur, dhe sidomos në atë të djalit plangprishës, që mua më pelqen ta quaj “shembelltyra e dashurisë së çmendur të Hyjit”. Sepse është një dashuri përtej çdo logjike. Nuk mund të lexoj këtë shëmbelltyrë pa u ndjerë shumë i prekur nga qëndrimi i atit përballë djalit që ia kishtë prishur pasurinë. Dhe Don Gjergji përdor këtë shëmbelltyrë për të treguar çfarë është mëkati, në të cilin ra jo vetë, djali i vogël, por edhe djali i madh; dhe për të theksuar dashurinë e “palogjikshme” të Hyjit, i përfaqësuar nga i ati i kësaj shëmbelltyre.

Më interesoi më shumë Kapitulli i katërt, sepse flet për meshtarin dhe për jetën e mbarështimin e tij. Shpeshherë njerëz na çmojnë vetëm për atë që bëjmë, më shumë sesa për atë që jemi. Ky kapitull mund të ndihmojë shumë besimtarë që të kuptojnë më mirë thirrjen dhe misionin tonë si mbarështues të Krishtit. Por çdo meshtar mund të konsiderojë këtë kapitull si një meditim personal, një dritë që të kuptojë se nuk mund të jetë apostull i Krishtit pa qenë më parë nxenës i Krishtit.

Takimi i Krishtit të ngjallur me Pjetrin, i cili, pak ditë më parë, në moment kur Jezusi kishte shumë nevojë për shenja solidariteti dhe mbeshtetjeje, e kishte tradhtuar për tri herë, bëhet një meditim tjetër mbi kalim “nga hija e tradhëtisë te drita e faljes”. Përgjigja që Jezusi pret prej Pjetrit është vetëm ajo: “Po, o Zot, të dua!” Vetëm atëherë Jezusi i beson grigjen që ai, Pjetri, duhet ta ruajë e të kullosë.

Ndjekin dy kapituj mbi dy “familja”: familja e parë është Kisha, “nuse dhe nënë”; familja e dytë është familja natyrore. Don Gjergj thekson aspektin komunitar të Kishës, por edhe duke treguar nevojën që Kisha të paraqitet si “nusja e shenjtë” e Krishtit (si e përshkruan Shën Pali) dhe larg pompoziteti. Ndërsa flet për Kishën natyrore si shkollë mëshire dhe dialogu.

Kapitulli i fundit, që është kapitulli më i gjatë, është një koment mbi “punën e pendimit”. Por në fakt është një ligjeratë e shkurtër mbi procesin e pajtimit me Zotin. Do të uroja që të gjithë besimtarët të lexojnë këtë kapitull dhe të reflektojnë mbi të. Kështu do te vlerësojne më shumë sakramentin e rrefimit. Të lumët ne që mund të pajtohemi me Zotin e ta pranojmë mëshirën e tij nëpërmjet Kishës! Si vetë Jezusi, Kisha nuk dënon, por fal dhe pajton.

Të uroj, i dashur lexues, që ky libër të jetë për ty mjet për ta njohur nga më afër veprën shpëtimtare e Jezu Krishtit.

Previous Secili çmendet sipas mënyrës së vet - romani i ri i Stefan Çapalikut
Next PROMOVIM I BULETINIT TË CARITAS SAPA

Sugjerime