Meditime per kohen e ardhjes  /3

Meditime per kohen e ardhjes /3

BERNARD CARUANA O.P.   /

Vigjiloni… rrini gati… vjen Biri i njeriut!

 Ajo çka është e rëndësishme në dishepujt është orientimi i jetës, gadishmëria e brendshme ndaj vigjilancës, që i jep kuptim pritjes vepruese. Edhe krahasimi i hajdutit që natën papritur plaçkit shtëpinë vë në dukje karakterin kërcënues dhe të papritur të ardhjes së Birit të njeriut (Mt 24,43).

Papritshmëria e ardhjes së Zotit gjen pikën e ekuilibrit në pritjen vigjiluese dhe të vetëdijshme. Vigjilanca shprehet këtu në dy mënyra: përpara me foljen gregoréo (24,42.43), që gjendet gati gjithmonë në fjalimet nxitëse dhe do të thotë thjesht “mos fli”; mund të arrijë të thotë të qenurit i gjallë në kundërshtim me të qenurit i vdekur. Të vigjilosh do të thotë ta ruash të gjallë dhe të plotë besimin në Jezu Krishtin dhe të qëndrosh i fortë në të.

Nxitja e përsëritur për të vigjiluar i drejtohet mbi të gjitha bashkësisë që është e kërcënuar nga një farë dembelizmi shpirtëror. Ajo e di cili gjykim bie mbi të dhe mund të përgatitet; akoma më shumë, ajo e njeh gjyqtarin: është Jezusi, Biri i njeriut që Ati ka dërguar për të qenë Hyji-me-ne deri në fund të botës (Mt 28,20).

Mënyra tjetër për të shprehur një qëndrim vigjilent është mbiemri étoimoi, gati (24,44). Kur Jezusi thotë: “… edhe ju rrini gati”, i referohet gjithmonë gatishmërisë eskatologjike. Gatishmëri do të thotë aftësi për të vendosur, për të bërë një zgjedhje në kohën e tashme. Vendimi për të ardhmen nuk lihet për më vonë, por merret sot.

Virgjërat e mençura quhen étoimoi, gati, sepse kanë bërë në të tashmen e tyre zgjedhjen që shfaqet vendimtare për të ardhmen (25,10). I ngjashëm me mbiemrin étoimoi është étomasia, fjalë që tregon fronin bosh të Pantokrator–it, simbol i të cilit në çdo kishë është selia presidenciale: është shenja e Krishtit që në personin e ministrit, drejton asamblenë liturgjike dhe në të njëjtën kohë dërgon përsëri tek ai që duhet të vijë akoma.

Edhe kur nuk kremtohet liturgjia dhe është bosh, selia presidenciale mban një vlerë të fortë simbolike: ajo është atje gati dhe pret që Biri i njeriut të ulet për të marrë zotërimin përfundimtar të bashkësisë së tij dhe të drejtojë gjykimin. Ai që duket që mungon, në realitet vjen! Koha e gjatë e vonesës mbushet nga madhështia e tij e padukshme.

Do të jetë i njëjti kremtim i mistereve të Zotit në të cilin Ardhja, si fillim i gjithë Vitit Liturgjik, na përgatit të jemi gati, të ndjeshëm dhe të vëmendshëm ndaj ardhjeve të tija të shumta të përditshme për ta njohur në orën e fundit të jetës dhe të historisë.

Previous Dom Marjan Lumçi famullitari i ri i Katedrales së Shën Palit
Next KISHA KATOLIKE: Arqipeshkvia Metropolitane Tiranë - Durrës, nuk do të ketë pritje zytare si çdo vit tjetër për politikanët ditën e Krishtlindjes.

Sugjerime