HAPET EKSPOZITA E PUNIMEVE  TË FËMIJËVE ME AFTËSI NDRYSHE

HAPET EKSPOZITA E PUNIMEVE TË FËMIJËVE ME AFTËSI NDRYSHE

 

 

Fëmijët me Aftësi Ndryshe tashmë janë kthyer në qendër të vëmendjes për Caritasin Dioqezan dhe për mbarë Dioqezën e Sapës, pse jo dhe më gjerë. Ato dita -ditës po demonstrojnë talentin e tyre nëpërmjet aktiviteteve të Qendrës Ditore dedikuar posaçërisht këtyre. Përveçse demonstrimit se mund të jenë si gjithë të tjerët, këto fëmijë përmes punimeve artistike të punuara me duart e tyre të arta, shfaqin botën e tyre shpirtërore, e njëkohësisht përcjellin mesazhin e sensibilizimit dhe të integrimit të tyre në bashkësinë komunitare.

Prej kohësh fëmijët në bashkëpunim me vullnetarët e Caritasit, kishin filluar të punonin, dhe sot ishte dita e parë e panairit përmes të cilit u prezantuan të gjithë punimet me një larmishmëri të gjerë. Ky panair organizohet tashmë në kuadër të festave të fundvitit dhe të ditës Ndërkombëtare të Caritasit, gjë e cila i bën këto festa edhe më të veçanta.

Me këtë rast, nëpërmjet një ceremonie të organizuar nga Caritas Sapa, në ambjentet e Ipeshkvisë së Sapës, morën pjesë Administratori Dioqezan i Sapës, dom Simon Kulli, autoritetet e Kishës së Sapës, kryetari i Bashkisë Vau-Dejës, z. Zef Hila si dhe autoritete të tjera, intelektualë të zonës. Drejtori i Caritasit z. Nikolin Lekaj falenderoi të gjithë pjesëmarrësit për praninë e tyre, gjë e cila bën që puna dhe talenti i kësaj shtrese vlerësohet jo vetëm nga vetë ato, por edhe audienca e lartë e pjesëmarrjes. Edhe dom Simon Kulli, i cili është ndër të parët që ka mbështetur këtë iniciativë të Caritasit, shprehi mirënjohjen e tij për këtë shtresë, për këto lule të bukura që i japin jetë jo vetëm vetes së tyre, por mbarë shoqërisë ku ato jetojnë.

Këndi më i bukur i kësaj eskpozite, u paraqit ai i pikturave të ndryshme. Tematikat që përcjellin këto punime janë kryesisht pamje nga natyra, portrete tw ndryshme, por nuk mungojnw edhe ato me atmosferë festive, duke iu përshtatur kohës që po jetojmë.

Ekspozita do qëndrojë e hapur deri me datën 18 dhjetor, ku pritet të vizitohet nga vizitorë apo grupe të ndryshme që paraqesin interes për të parë diçka të bukur e të krijuar nga Fëmijët me Aftësi Ndryshe.

Violeta Marashi

Previous "Shpalime Teologjike" - Libri i ri i Don Robert Kolës
Next Një vit pa Imzot Mirditën

Sugjerime