“Shpalime Teologjike” – Libri i ri i Don Robert Kolës

“Shpalime Teologjike” – Libri i ri i Don Robert Kolës

shpalime_teologjikeROBERT KOLA   /

Punimet e botuara here pas here në revistën Fjala Hyjnore, i kam përmbledhur në një botim të vetëm dhe i kam titulluar: “Shpalime teologjike.”

Pa nxitjen dhe përpjekjen e guximshme të don Pren Kolës për të lëvruar mendësinë teologjike përmes krijimeve sidomos të revistave të rëndësishme, duke filluar nga ditët studentore me revistën “Urtia” dhe me revistën “Fjala Hyjenore,” që janë vatra e mendësisë teologjike në Kishën tonë pas Koncilit të Dytë, ky libër nuk do kishte marrë jetë.

Botimi në fjalë, kërkon të paraprihet dhe nga një zbërthim i cili do të lehtësojë leximin për aq sa lejon natyra e secilit punim i bërë në kohë dhe në përvijime të ndryshme dhe të ofroj një fije të pakëputur që të ndiqet vijimësia e përbashkët e tyre.

Duke u nisur nga titulli, lexuesi mund të hetojë përvijimin e këtyre punimeve, që synojnë të shpalosin mendësinë e teologjisë.

Le të me ndjejë lexuesi nëse rreth saj do veçoj një përshtypje nga fëmijëria e cila është sa burimore, po aq dhe kuptimplote, dhe mund të shërbejë si një shëmbëllim i mënyrës së qasjes së vështrimit rreth këtij botimi.

Me bënin përshtypje të thellë dhe kanë mbetur të pashlyer në kujtesë gjestet e nënës kur shpaloste pajën. Shikimi saj përqendrohej për të gjetur palën e pajës dhe me ndjeshmëri dhe dashuri të thellë e shpaloste atë pa e zhubrosur dhe pa e ngatrruar.

Kur flitet mbi shpalosjen teologjike duhet kujtuar se ajo i përket misterit të Hyjit. Ai vetë e shpalosi „palën“ e Misterit të Tij në historinë e shëlbimit duke e bërë të njohur dhe për njeriun. Shpalosja e teologjisë pra, duhet të përputhet më „palën“ e Misterit që është zbuluar nga Hyji, pa e zhubrosur dhe pa e ngatërruar “palën” e Misterit të Tij. Të shpalosësh pra, teologjinë do të thotë të vëzhgosh „palën“ e Misterit të Hyjit.

Po të kërkonim „palën teologjike“ në hapësirën dhe Kishën tonë, ajo përvijohet përmes martirizimit. Në fjalën përshëndetëse të Mons Rrok Mirditës, me rastin e vizitës së Papës Françeskut në Shqipëri, mund të hetohet busulla e orientimit për të vëzhguar mendësinë teologjike në Kishën tonë, kur nder të tjera theksoi: „Identitetin tonë si Kishë kufiri nuk e shprehëm përmes krijimit të mendimit teologjik, por përmes flijimit e martirizimit. Martirizimi është tipar i përhershëm i jetës së Kishës sonë.“[1]

Misteri i Hyjit shpaloset përmes Misterit të Kryqit “shkëlqen mrekullisht në jetën e martirëve,”[2] ndërsa Eukaristia është “burimi dhe modeli i çdo martirizimi,”[3] dhe “fli e përsosur lavdie.”[4] Pra, mendësia teologjike shpaloset me se thelli përmes Eukaristisë. Liturgjia është amza e mendësisë teologjike “sythi i jetës së Kishës rrënja dhe fara e saj.”[5]

Liturgjia shquhet përmes doksologjisë. Teologjia është doksologji. Gjithë përvijimi teologjik qëndron në thurjen e lavdeve. Ato nuk sajohen nga mendësia e njeriut, por përputhen po me atë lavdi të amshuar që Tri Vetjet hyjnore shkëmbejnë në amshim, para që të krijohet bota. Kuptimi i krijesës gjendet në përputhje me palën e lavdisë së amshuar të Hyjit.

Pa vëzhgimin e rrëfimit themelues përmes Ngjalljes “Nuk do të jemi në gjendje të hetojmë analogjinë (…) doksologjia liron analogjinë. Lavdet besnike ndaj Hyjit i cili shpëton, na drejtojnë në krijimin e intellectus fidei.[6]

Punimet e këtij botimi synojnë të shpalosin Misterin e Hyjit përmes doksologjisë. Nëse me to kemi shpalosur qoftë dhe një fije të mendësisë teologjike, falënderimi i përket Hyjit misteri i të cilit u zbulua dhe shkelqeu në fytyrën e Jezu Krishtit.

[1] Cituar sipas  www.albchurch/jeta-katolike, nr.75.

[2] Përbashkorja e martirëve, në: MESHARI ROMAK, Botimi tipik i tretë, Konferenca e Ipeshkvijve të Shqipërisë, Tiranë 2014, f. 597.

[3] Po aty, f. 597.

[4] Prefacioni i eukaristisë së shenjtë II, në MESHARI ROMAK, f. 458.

[5] P. FLORENSKIJ, La colonna e il fondamento della verità, Milano 1998, f. 358.

[6] G. LAFONT, Dio il tempo e l’essere, Pieme 1992, f. 251t.

Previous Kuptimi i stemës ipeshkvore të Imzot Gjergj Frendo-s
Next HAPET EKSPOZITA E PUNIMEVE TË FËMIJËVE ME AFTËSI NDRYSHE

Sugjerime