Asemblea e Rregulltarëve dhe rregulltareve ne Lushnje

Asemblea e Rregulltarëve dhe rregulltareve ne Lushnje

lushnjeGiuseppe Sgarbossa   /

Rregulltarët dhe Rregulltaret e pranishme në Shqipëri, mblidhen dy herë në vit për një azhurnim, për të parë së bashku ecjen misionare më të përshtatshme e për një shkëmbim të çmueshëm përvojash, por edhe për t’u vëllazëruar.

Zakonisht vendet e përdorura për këto takime kanë qënë Tirana, Lezha e Shkodra. Këtë vit komisioni Kombëtar për Jetën Rregulltare ka propozuar si vend takimi Jugun e Shqipërisë dhe zgjedhja ka qënë mbi Lushnjen. Një zgjedhje në dukje e pa menduar mirë, por që në të vërtetë u ka pëlqyer të gjithëve, edhe atyre që janë nisur shumë herët nga fshatrat e Shkodrës, të cilët duhet të bënin 180 kilometra. Për një numër të madh prej tyre ishte hera e parë që kalonin lumin Shkumbin, pra që vinin në zonën e Jugut të Shqipërisë!!!

Ambjentet e Famullisë së Shenjtërve Pjetri e Pali kanë ofruar një mikpritje që u ka pëlqyer të gjithëve, qoftë për hapësirat e brendshme e të jashtme, po ashtu për arkitekturën harmonike të kishës, plot me dritë, të ngrohtë edhe pse jashtë frynte era e veriut, dhe për gatishmërinë në bashkëpunim për shërbimin e mikpritjes që është e zakonshme për Rregulltarët e Rregulltaret e tre bashkësive që veprojnë në Lushnje (Motrat e Vullnetit Hyjnor, Shërbëtoret e Vogla të Zemrës së Krishtit dhe Shoqëria e Përshpirtshme e Shën Gaetanit) dhe për Bashkësitë e tjera të pranishme në Administraturën Apostolike të Jugut. Mes të tjerave, ajo e mikpritjes, vëllazërisë dhe bashkëpunimit, është një karakteristikë kromozomike e Bashkësive të Jugut.

Kafe, çaj i ngrohtë dhe biskotat e kanë ngrohur menjëherë ambjentin dhe komunikimin mes vëllezërve e motrave që ritakoheshin dhe ka lehtësuar hyrjen e atyre që vinin për herë të parë.

Në orën 9.30 si në program ka filluar takimi, me lutjen, përshëndetjet reciproke të mirëseardhjes dhe hyrja e temës të zhvilluar nga Dom Gjovalin Simoni, formues e zëvendës Rektor në Seminarin ndërdioqezan të Shkodrës: “Lexim shpirtëror e baritor, në kontekstin aktual shqiptar, të shenjtërimit të Nënë Terezës e të lumnimit të 38 Martirëve të kohës komuniste”. Një temë me të vërtetë e rëndësishme për ne misionarët dhe për të gjithë Kishën Shqiptare. Kemi jetuar në këtë vit ngjarje mbi të cilat nuk mund të mos ndalemi. Do të ishte të mospërfillnim Hirin që Hyji ka shpërndarë me bollëk mbi këtë Tokë Shqiptare. Tokë e ndriçuar nga figura e Nënë Terezës e njomur nga Gjaku i shumë Dëshmitarëve të besimit në Hyjin e Jezu Krishtit, që edhe Papa Gjon Pali i II e Papa Françesku kanë rinjohur e ngritur në nivel ndërkombëtar. Sa herë, në këtë vit, kemi dëgjuar të përsëritet frazat që shumë prej tyre kanë shpallur me zë të lartë në pushkatimin e tyre të afërt: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria”. Si të zgjojmë atëherë ndërgjegjen e Shqiptarëve të tanishëm, të mashtruar nga rregullat e Diktaturës, dhe tani e pa ndriçuar as nga librat e historisë e as nga tregimet e të moshuarve? Roli i Kishës është ai që t’i rijap substancë dhe një dukje të qartë e të vërtetë traditës së krishterë që është e pranishme, por e zbrazët. Të ndihmojë të pagëzuarit, ata që janë të krishterë vetëm me prejardhje familjare dhe të gjithë të tjerët, të takojnë e të njohin personalisht Jezu Krishtin e të jetojnë sipas Ungjillit, për dashurinë e të cilit shumë veta kanë flijuar jetën e vetë.

Në orën 12,15 Mesha e Shenjt e kryesuar nga Ipeshkvi i Administaturës Apostolike, Hil Kabashi. Si bashkëkremtues edhe 3 Ipeshkvinj të tjerë (ata të Shkodrës, Lezhës e Rrëshenit) dhe gati tridhjetë meshtar.

Navata ishte e mbushur plot kryesisht nga Motrat, rreth 130 Rregulltare përfaqësues të Kongregatave të ndryshme femërore që veprojnë në Shqipëri. (mjerë nëse nuk do të ishte kjo prani efikase femërore në dëshminë e në përhapjen e Mesazhit Ungjillor!). Mes tyre edhe gati dyzet besimtarë që kanë shoqëruar Rregulltarët ose që janë në ecje kërkimi të thirrjes.

Dreka kryesisht me byrek të mbushur me gjizë ose me salsiçe (byreku është një nga pjatat më tipike shqiptare dhe është shumë e lehtë ta gjesh në forma të ndryshme e me mbushje të të gjitha llojeve në të gjithë vendin por mbi të gjitha në Lushnje), me panine të vogla të pregatitura nga disa prej zonjave të Bashkësisë së Krishterë të Lushnjes, pije, ëmbëlsira të sjella nga Bashkësitë Rregulltare të Jugut dhe fruta të stinës të tokës sonë, kanë favorizuar përfundimin e takimit në gëzim, në vëllazëri e në kënaqësinë e të gjithëve që jemi mbledhur si Kishë për t’u lutur e për të reflektuar mbi kuptimin e misionit të saj në Tokën Shqiptare.

Previous MARTIRËT: NJË JETË E DHURUAR PËR KRISHTIN DHE KISHËN
Next Lutuni për mua, që Zoti të jetë gjithmonë drita ime*

Sugjerime