MARTIRËT: NJË JETË E DHURUAR PËR KRISHTIN DHE KISHËN

MARTIRËT: NJË JETË E DHURUAR PËR KRISHTIN DHE KISHËN

14991962_1160187420741088_1759504136310309538_nTë dashur rregulltar e rregulltare,

është për mua kënaqësi e privilegj që t’ju drejtoj sot një reflektim mbi domethënien historike, biblike dhe baritore të të Lumve Martirë të Kishës në Shqipëri. Besoj se të gjithë ne e ruajm me xhelozi kujtimin e asaj ditë në Katedralen e Shkodrës ku dukej sikur Kisha qiellore përkulej mbi Kishën e vuajtur dhe të gëzuar të Shqipërisë. Ishte një mirënjohje e Kishës Universale si shenjë respekti dhe dashurie për grigjën e vogël në Shqipëri. Ajo tashmë ka kaluar një valë mundimesh e martirizimi, dhe tani po gëzon për dhuratën e madhe që i ka bërë mbarë Kishës; jetën dhe gjakun e 38 Martirëve.

Nëpërmjet këtij reflektimi, që nuk dëshiroj të jetë vetëm një elegji ose një mburrje vetëm historike, dëshiroj që sëbashku me ju të nxjerrim diçka për jetën tonë; sepse ky është edhe qëllimi i Kishës kur vendos që të shpallë të Shenjt ose të Lumë disa njerëz me virtyte njerëzore dhe teologale, në mënyrë që ne të imitojnë jetën e tyre dhe kështu të ndezët dëshira për shenjtërì. Kjo është edhe thirrja, në fakt e çdo të krishteri: që të jemi të shenjtë, ashtu siç na e pohon edhe lumen Gentium 40, po ashtu edhe letra drejtuar Efesianëve. “ Ai na thirri që të jemi të shenjtë e të papërlyer përpara Tij në dashuri” (krh Ef 1,3).

Gjatë këtij përshkrimi dëshiroj që të theksoj disa aspekte të veçanta të Martirizmit; aspekti historik, aspekti biblik dhe ai baritor i dëshmisë së jetës.

  1. Aspekti historik i Martirëve të Kishës në Shqipëri.

Në lidhje me këtë aspekt nuk dua që të thellohem shumë sepse nuk besoj se është shumë e nevojshme ngaqe të gjithë e dimë pakashumë historinë e dhimbshme të kombit tonë me atë natë të errët 45 vjeçare të sistemit Komunist. Duke qenë se ai ishte një sistem që në themelin e vet mohonte Zotin dhe të gjitha liritë themelore të njeriut, sigurisht që si kundërshtarë të parë do të kishte Kishën katolike ngaqë në gjirin e saj lulëzonin një elitë intelektualësh të mirëformuar në universitetet Evropiane. Binomi i tyre për Fe e Atdhe, cenonte idetë komuniste sepse i shihnin ata si rival kryesor të një vizioni për të ardhmen.  Prandaj vala e eger e dorës së tërbuar komuniste nuk do të kursente klerikët më në zë fillimisht. I pari që do të vritej do të ishte Dom Lazer Shantoja, më pas Dom Ndre Zadeja, Atë Giovanni Fausti, Atë Daniel Dajani, Mark Cuni, Gjon Shllaku etj. Por ajo që neve na intereson në ditët tona është pikërisht fakti se nuk duhet ta harrojmë këtë histori, sepse një popull që harron historinë e vet rrezikon të bie në të njëjtat gabime që ka pësuar. Kemi një të kaluar jo të qetë, që akoma sot i paguajmë pasojat. Kjo shihet qartë në punë tonë baritore dhe në çasjet e ndryshme mes breznive. Kemi një brezni që është lindur e rritur në terrin e komunizmit dhe të mohimit të Zotit dhe nga ana tjetër një brezni rinore të infektuar nga sistemi i relativizmit që e vetpërjashton Zotin me qëllim, në emër të një lirie personale të keqformuar.  Fjalët e Papa Françeskut në Tiranë: “Mos i harroni plagët, por mos u hakmerreni. Ecni përpara duke punuar për një shpresë të madhe për të ardhmen”. Këta fjalë janë sa shëruese për një plagë historie por edhe inkurajuese për të punuar për të ardhmen. Sepse e ardhmja ndërtohet nga puna e sotme. Nga ana tjetër edhe Kardinali Amato në Meshën e Lumnimit në Shkodër pati theksuar: “Përballë gjenocidit fetar të diktaturës komuniste të shekullit të kaluar qëndrimi i katolikëve është ai që të kujtojnë dhe të falin. Kujtimi shërben për të përforcuar ftesën e Jezusit që t’i falim armiqtë, madje edhe t’i duam e të lutemi për përndjekësit. Prej martirëve katolikët duhet të trashëgojnë jo qëndrime urrejtjeje, inati dhe përçarjeje, por ndjenja dashurie, vëllazërie e harmonie. Sot katolikët, duke kujtuar bijtë e tyre martirë, duhet t’i mbështjellin me mantelin e faljes ata që i kanë përndjekur, keqtrajtuar dhe vrarë. Kjo është dhurata që Kisha katolike i bën me gëzim dhe bindje popullit shqiptar, që të jetojë me shpirt të pajtuar bashkëjetesën me vëllezërit”.

E gjithë kjo e kaluar e jona e mbushur me dhimbje dhe urrejtje duhet të shndërrohet për ne sot në tokë të frytshme pajtimi, duke lënë që Zoti të triumfojë, dashuria dhe falja e tij. Martirët na mësojnë se si edhe ne duhet të pajtohemi me të kaluarën tonë e cila jo pak herë na jep shqetësime të brendshme por edhe pasoja në marrëdhëniet me të tjetër; sidomos me ata që na kanë bërë keq. Nga ana tjetër Martirët na mësojnë që të dimë të lexojmë edhe shenjat e kohës, sepse vete Dom Ndre Zadeja në një predikim mbajtur rinisë në Shirokë kishte paralajmëruar në gjuhë simbolike ardhjen e komunizmit si një “re e zezë që do të shprazet mbi kryet tuaj”. Kjo është një sfidë tjetër për ne, që duhet jo vetëm të shohim shenjat e kohës por edhe t’i mbrojmë të rinjtë tanë nga disa “re” të kohës sonë.  Prandaj nga ky aspekt historik mund të nxjerrim rëndësinë e pajtimit me të kaluarën, kalimi i Zotin nëpër historinë tonë që nuk braktis kurrë, si dhe aspektin profetik të rregulltarit që të lexojë shenjat e kohës dhe t’i shpallë ato.

 

  1. Aspekti biblik. Fjala e Zotit si udhërrëfyes profetik dhe përmbushje e misionit të Martirëve.

Dëshiroj që ta filloj me një tekst të librit të Zbulesës së Shën Gjonit, ku na flet pikërisht se, “Martirët janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i pastruan me gjakun e Qengjit”. Feja sprovohet në zjarr, në prova të mëdha. Sepse dashuria sprovohet pikërisht në vuajtje, në ato momente kur ndihet braktisja, vështirësia më e madhe. Falë mbështetjes në Zotin dhe lidhjes së ngushtë që Martirët kishin me Fjalën e Zotit mund t’i kalonin provat e mëdha, sepse mbështetja në Zotin bëhet garanci dhe forcë për të ecur përpara në mes të vështirësive.

Më pas edhe Ungjilli i Lukës kap. 21, 12-18; “ Mirëpo, para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim. Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi.

Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj,  sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj.  Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin.

Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.  Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë!  Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj!”.

Është e trishtueshme kur në këtë pjesë të Shkrimit Shenjtë flitet edhe për njerëzit e afërm që do të na padisin. Është ky fati i keq që u ka ndodhur meshtarëve Martir. A nuk ishte po ai popull që ka marr pjesë në meshën e tyre? Që janë rrëfyer me ta? E tani i pështyjnë gjatë rrugës për tek varrezat e Rrmajit! Megjithatë kjo është logjika e turmës që një herë deshën ta shpallnin mbret Krishtin; pastaj brohoritnin “ kryqëzoje, kryqëzoje”. Fale o Zot pabesinë e popullit tënd! Megjithatë Jezusi na siguron se asnjë fije floku nuk do tu bie prej kresë. Jemi në dorën e Zotit dhe jemi të sigurt.

Përndjekja e të krishterit shkaktohet prej faktit se logjika e tij nuk përputhet kurrë me logjikën e  botës. Ai në fakt, nuk u flijon “idhujve” të botës dhe me këtë qëndrim tërheq nga vetja përndjekjen sepse bota ndihet e denoncuar në siguritë e saj të rreme. Gjendja e të krishterit kështu nuk mund të jetë tjetër veçse përndjekja (që te ne sot shprehet jo me derdhjen e gjakut por me izolimin kulturor e shoqëror, me vënien në lojë të fesë). I përndjekuri pastaj nuk duhet t’u përgjigjet logjikave të botës me të njëjtën logjikë ( “s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj”): besimi i tij i qetë në Zotin e trondit botën e cila ndien ekzistencën e një realiteti më të thellë. I thirruri në meshtari ose në jetën rregulltare, për vetë zgjedhjen e llojit të jetës, shpreh se është i huaj për botën dhe dëshmon të vetmin realitet të mundshëm e të vërtetë: Jezu Krishtin.

Kjo është feja e fortë që mahnitë dhe që lëviz malet. Këtë e kanë dëshmuar edhe martirët tanë duke pasqyruar një fytyrë të paqtë, të qetë dhe të dashur drejt kalvarit të tyre, drejt pushkatimit. Ndoshta sepse në zemrën e tyre kishin fenë dhe shpresën e fortë të Shën Palit: Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata? E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur. Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë”. (Rm 8 )

            Kjo siguri në dashurinë e Krishtit shfaqet edhe në dëshminë konkrete të Atë Giovanni Faustit kur ndërsa po e çonin drejt pushkatimit bashkë me disa të tjerë, për ti ngushëlluar ata u drejtohet me këto fjalë: “a mund ta lusim së bashku psalmin që thotë: Sa u gëzova kur më thanë, eja të shkojmë në shtëpinë e Zotit”. Ja pra, çfarë dëshmie; çfarë sigurie dhe feje në këtë njeri. E dinte se po shkonte në shtëpinë e Zotit, dhe ishte i gëzuar për këtë.  Kjo tregon edhe një herë më së miri se si e jetonin Fjalën e Zotit. Se ata jetonin prej Fjalës së Zotit dhe të bashkuar me të.

 

  1. Aspekti baritor dhe dëshmia e jetës së virtytshme deri në vdekje.

Në këtë pikë të fundit dua të risjell tre dëshmi jete të martirëve tanë që shfaqin më së miri edhe tre virtyte për jetën tonë. Sepse kështu fillojmë të jetojmë edhe ne nga shembulli i tyre dhe t’i aktualizojmë në jetën tonë këto virtyte; si, përvujtëria, pastërtia dhe besnikëria.

  1. Imzot Vinçens Prennushi ofm, pasqyrë e virtytit të përvujtërisë

Nga dëshmia e Arshi Pipës mbi Imzot Vinçens Prendushin.

Me Imzot Prennushin u njoha fill pas gjykimit, na qëlloi të qëndronim së bashku në një dhomë të vogël të burgut. Ishte e ashtuquajtura dhoma numër 8, ku vendoseshin zakonisht më të rrezikshmit. Ishim ngushtë, rreth 30 vetë në një hapësirë më pak se tridhjetë metra katrorë. Megjithatë të burgosurit u ngushtuan edhe më tepër për ti bërë një vend më të gjerë Imzotit, duke e vendosur kështu në krye të dhomës. Aty mua më qëlloi të qëndroja pranë tij. Imzoti ishte shumë i ndalur dhe çelte gojën vetëm për me dhanë ndonjë këshillë. Shumë rrallë fliste për veten dhe ndante me të varfrit atë pak gjellë që një plakë e përshpirtshme i binte kur kishte. Rrinte shpeshherë me orë, në vendin e vet pa folur me shikimin e tretur përtej dritares. Me shumë gjasa lutej. Ishte i butë me shpirt të paqtë, thellë i devotshëm dhe i kushtuar kryekëput misionit të tij kishtar.

Më kujtohet një skenë e mallëngjyeshme: një ditë sollën ndër ne për pak kohë Dom Jul Bonatin famullitarin e Vlorës për ta strehuar në azilin e të çmendurve të Durrësit. Dom Jul Bonatin e kisha njohur që kur isha student në Firence ku po përpiqej që të botonte përkthimin në italisht të “Lahutës së Malcisë”.

Nisem të bisedonim, i tregova se njeriu që po gjëmonte në shtrat ishte Imzot Prennushi. Atëherë Dom Bonati i cili mezi mbahej në këmbë nga sëmundja dhe pleqëria e shtyrë, u ngrit dhe gati duke u zvarritur iu qas Imzotit duke tentuar ti puth dorën, por Imzoti sado që ishte në ankthin e vdekjes nuk e la dhe tërhoqi dorën. Atëherë Dom Bonati i kërkoi bekimin dhe Imzoti me një përpjekje të fundit i vuri dorën mbi kokë dhe e bekoi. Më pas u plandos mbi shtroje.

 

  1. Marie Tuci, pasqyrë e virtytit të pastërtisë

Nga një dëshmitare mbi Marie Tucin.

Marie Tuci, aspirante stigmatine, u arrestua dhe u burgos në Shkodër, me 10 gusht 1949. U mor shpesh në pyetje dhe u dënua shumë herë . U burgos në  një  “vrimë” pa dritë, pa ajër. Një here në muaj, me anë të një miku të vet, mundi të merrte vetëm një komplet ndërresash, të cilat ia çonte e ëma dhe të cilat i ndante me shoqen e vet të qelisë.

Një dëshmitare tregon se, për shkak të të ftohtit, rrinin te përqafuara për t’u ngrohur, meqë prej shiut të shumtë uji arrinte deri në dyshek.

Marie Tuci u sëmur rënde, ndoshta me hidropizi apo me peritonit TBC, sëmundje kjo e shkaktuar nga tuberkulozi dhe u shtrua ne spital. Përpara se të vdiste i tha Davidës, shoqes së vet: – Doli fjala e Hilmi Seitit: “Do të bëj në atë mënyre sa mos të njohin as familjarët e tu”.

Duke falënderuar Hyjin për ditët e fundit të jetës që i jetoi e lirë, vdiq në spitalin e Shkodrës me 24 shtator 1950 dhe u varros në varrezat katolike të Rrmajve në Shkodër.

c)     Dom Anton Muzaj, pasqyrë e virtytit të besnikërisë

Nga një dëshmi mbi  Dom Anton Muzaj.

Ishte muaji tetor i vitit 1947 kur Dom Anton Muzaj dhe Atë Frano Kiri u arrestuan dhe iu nënshtruan torturave më të tmerrshme. Aty ku ishte kuvendi i fretërve, qëndronin në këmbë, me majën e hundës të mbështetur në mure, të lidhur duarsh e këmbësh, qëndronin ditë e nate dhe etja e zmadhonte vuajtjen. Dy të burgosurve që bënin pastrimin e përditshëm, u kërkuan që të mos e thanin ujin e korridorit sepse donin që ta pinin. Dhe pastaj binin përtokë për të lëpirë dyshemenë e lagur si kafshët.  Dom Anton Muzaj u sëmur rëndë nga tuberkulozi .Edhe pse nuk rezistonte, dot ishte i detyruar që të qëndronte në këmbë për shkak të goditjeve me dru që i binin,  shpeshherë i hidhnin ne trup kova uji të ftohta dhe pastaj hapnin dyert dhe dritaret dhe i vinin në mes të korrentit të ftohtit të vjeshtës që rrahte trupin. Kjo torturë e rendoi së tepërmi shëndetin e tij, sa që mjeket nuk mundën dot të bënin asgjë.

I bindur  për gjendjen e tij, u thoshte bashkëvuajtësve të tij në burg: “Thojuni familjarëve të mi: në qoftë se do ti takoni ndonjë ditë, që unë jam krejtësisht i pafajshëm dhe që më akuzojnë vetëm se nuk e mohoj fenë time në Krishtin.

 

Nga Dom Gjovalin Simoni/  relacion i mbajtur para rregulltarëve të Shqipërisë me 29 nëntor në Lushnje

 

Previous Meditime për kohën e ardhjes /1
Next Asemblea e Rregulltarëve dhe rregulltareve ne Lushnje

Sugjerime