Meditime për kohën e ardhjes /1

Meditime për kohën e ardhjes /1

ardhja-1BERNARD CARUANA O.P.   /

Sa herë që Kisha fillon të kremtojë misteret e shpëtimit të Zotit të tij; mistere të mbledhura në vitin liturgjik, bashkësitë rizbulojnë dëshirën për të bekuar Mësuesin. Në fakt, ai ka ardhur, dhe vjen gjithmonë, me lajme të hareshme. Por kush është Ai?

Tekstet të shpallura gjatë Ardhjes e identifikojnë para së gjithash si fillimi i paqes (Is 2,4b). Ai nuk duket i interesuar në thelb për ata (në asketikën e zjarrtë të meditimit) që duan t’i largohen vuajtjes së botës. Në të kundërt, arrin që të gjithë të kenë paqe, falë harmonisë mes kombeve dhe brenda shoqërisë, brenda bashkësive tona rregulltare!

Profeti Isai flet për “një gjykatës mes njerëzve, arbitër mes popujve” (Is 2,4a), dikush që i plotëson kërkesat e nevojshme për një qeverisje, di të ndalojë dhunën, dëgjon çështjet e të mjeruarve dhe e bën të mundshme bashkëjetesën (“lopa dhe arusha do të kullosin së bashku”, Is 11,7)

Mbërritja e Jezusit, në imazhet e ofruara nga orakujt e moçëm, na hap ndaj jetës. Krahinat e djegura do të lulëzojnë përsëri, ai që ishte i lodhur rimerr ecjen, ai që edhe pse i gjallë ndihej i vdekur rikthehet në dritë, gjen përsëri shikimin, së bashku me shijen për të dëgjuar dhe për të folur (Is 35). Pra, jeta bëhet jetë, ashtu siç sjell ndër mend shenja e gruas shtatzënë që më në fund lind (Is 7).

Përballë një drite kaq të fortë, secili nga ne ndjen me ngut të madh nevojën për t’iu besuar porosive të apostujve dhe të hedhë tutje veprat e errësirës, të shmangë grindjet, të lirohet nga çdo xhelozi (krh Rm 13,12-13). Të themeluar mbi mësimin e Shkrimit të Shenjtë i trashëguar për qëndrueshmërinë dhe ngushëllimin tonë (Rm 15,4) presim me qëndrueshmëri, pa u rënduar nga ankimet (Jk 5,8-9).

Cila do të jetë shenja e ardhjes së tij?

Pjesa ungjillore e Mateut na tregon kërkesat e forta të Ardhjes. Liturgjia e kësaj kohe ecën sipas një ecjeje të dyfishtë: ecja e Kishës që shkon në takim drejt Zotit dhe ardhja e tij drejt bashkësisë së tij.

Vendi i takimit është Liturgia, interpretuese dhe këshilltare e ditur, dhe në mënyrë të veçantë kremtimi eukaristik, ku shpallim misterin e Krishtit të vdekur dhe të ringjallur derisa ai të vijë. Të kujdesemi shumë për liturgjitë tona në këtë kohë të fortë që të mund të jenë më të vërtet një takim personal dhe i bashkësisë me Zotin.

Por është edhe liturgjia e të përditshmes – siç qenë ditët e Noehit – që ungjilltari Mate vendos para syve tanë, duke na kërkuar ta vendosim vëmendjen tonë mbi shenjat që shpallin afrimin e atij që presim.

Pjesa me të cilën inaugurojmë kohën e Ardhjes të dielën e ardhshme është marrë nga fjalimi eskatologjik i Mateut (Mt 24-25). Sinoktikët e vendosin këtë fjalim menjëherë para tregimit të mundimeve. Por Ungjilli i Mateut përmban menjëherë “fara” eskatologjie: të mendojmë në veçanti për lumturitë (5,3-11).

Në fakt, eskatologjia është e lidhur me vetë shpalljen e mbretërisë së qiellit dhe ka si ngjarje më domethënëse ringjalljen dhe lartësimin e Jezusit, Birit të njeriut, protagonist të gjykimin përfundimtar. Është i qartë karakteri i fortë kishtar i eskatologjisë së Mateut: mund të thuhet që duke formuar bashkësinë me mësimin e tij, Jezusi ngulit në vetë  natyrën e saj një energji drejt eschaton-it.

Lajmi i Mirë ka në vetvete këtë energji që e shtyn Kishën dhe historinë drejt përfundimit të fundit. Mateu tregon kthimin e Zotit si veprimi sovran i Hyjit që hyn me dhunë në histori  dhe i vë vulën e përmbushjes. Biri i njeriut, protagonist i gjykimit përfundimtar, është “i gjalli”, por akoma më shumë në Mateun është ai që është “i pranishëm”.

Në fakt, Mateu është i vetmi ungjilltar që përdor në mënyrë të vazhdueshme në kap. 24 fjalën parousia (Mt 24,3.27.37) për të folur për ardhjen e Birit të njeriut. “Parousia” do të thotë “prani” dhe në mënyrë të veçantë tregon të afruarit, prandaj fillimin e një pranie që vjen nga qielli.

Fjalimi eskatologjik hapet me shpalljen e shkatërrimit të tempullit të Jeruzalemit dhe pyetjen e dishepujve (24,3). Duket sikur Jezusi shmang “kur”, duke priviligjuar “shenjën”. Mateu e kalon shumë shpejt fjalimin e shkatërrimit të Jeruzalemit, që historikisht kishte ndodhur kur ai shkruan Ungjillin e tij, për t’i dhënë më rëndësi kthimit të Birit të njeriut për gjykimin përfundimtar dhe stilit të jetës së dishepujve në kohën e pritjes.

Nën tërë fjalimin eskatologjik është problemi që bashkësia e fillimit është duke jetuar: atë të vonesës së Zotit. Bashkësia sheh që Zoti vonon të vijë, nuk e ndjen më të afërt parousia-në – në e tij dhe kupton që pritja sjell një kohë të gjatë. Ajo është e dukshme edhe në shëmbëlltyrën që Jezusi tregon në përfundim të fjalimit të tij: atë të shërbëtorit besnik dhe të shërbëtorit të keq (24,48); atë të dhjetë virgjërave (25,5); dhe akoma atë të talentave (25,19).

Koha e gjatë është e shënuar nga prova, persekutime, fatkeqësi, skandale, mundime dhe nga ftohja e dashurisë së shumëve. Janë shenjat e “fundit”. Por me anë të gjitha këtyre shenjave përparon ungjilli i mbretërisë i shpallur gjithë botës (24,14). Bashkësia jeton një dizorientim të thellë për sa i përket besimit me daljen e krishtave dhe profetëve fallco. Jezusi do që dishepujt e tij të kenë aftësinë të dallojnë shenjat e ardhjes së tij mes shumëfishimit të shenjave të ngatërrueshme që iu ofrohen atyre. Jezusi shpall shenjën e madhe të Birit të njeriut si ngjarje e dukshme, e parpitur, me përmasa kozmike: ai vjen për të mbledhur të zgjedhurit për gjykimin (24,27-31).

Në këtë kuadër ngatërrimi kozmik duket një imazh i qetë, delikat dhe pranveror; ai i fikut, dega e të cilit bëhet e njomë dhe nxjerr gjethet e para, duke shpallur afërsinë e verës (24,32). Dishepujt duhet të mësojnë nga shëmbëlltyra e fikut; domethënë duhet të mësojnë të njohin shenjat e heshtura dhe po aq shumë të efektshme të parousia-së të Birit të njeriut që vjen për ta vendosur përfundimisht mbretërinë e tij.

 

 

Previous Ungjilli i Shën Mateut
Next MARTIRËT: NJË JETË E DHURUAR PËR KRISHTIN DHE KISHËN

Sugjerime