MESAZH ME RASTIN E EMËRIMIT TË ARQIPESHKVIT TË RI

MESAZH ME RASTIN E EMËRIMIT TË ARQIPESHKVIT TË RI

 

 

 

unnamedËshtë kënaqësi e madhe për mua të kem rast për te përshëndetur popullin shqiptar në këtë ditë, vetëm një ditë pas emërimit tim si arqipeshkëv i Arkidioqezës Metropolitane të Tiranë-Durrësit.
Kam më shumë se 19 vjet se jam në Shqipëri, dhe besoj se është detyra ime të për fitoj nga rasti për ta falënderuar popullin shqiptar që, me mikpritjen e tij, më ka ndihmuar shumë që të mos ndihem si i huaj në një vend të huaj; gjithmonë jam ndjerë në Shqipëri si të isha në atdheun tim. Dhe sot mund t’ju them se të paktën në shpirt jam shqiptar!
Më së pari u drejtohem besimtarëve katolikë të Dioqezës Tiranë-Durrës. Ju i dini fjalët e Jezusit: “Erdha jo për të qenë i shërbyer, por për të shërbyer”. Ipeshkvi nuk merr këtë mision sikurse të ishte një karrierë. Ai është shërbëtori dhe bariu i popullit që i është besuar. Duke ndjekur gjurmët e Krishtit, ai, si bari, duhet të dëgjojë zërin e deleve. Jam për ju, dhe njëkohësisht më lejoni që të mësoj prej jush. Ju do të jeni librat e mi dhe pasuria ime.
Por në këtë rast dua të përfitoj të bëj tri ftesa:
Ftesa e parë: le të ndërtojmë së bashku shoqërinë tonë shqiptare. Më vjen shumë keq kur shoh shumë të rinj të cilët kanë vetëm një ënderr: të shkojnë jashtë shtetit, duke menduar se vendet perendimore janë një parajsë tokësore. Por le të çmojmë më shumë aspekte shumë të bukura të traditës, historisë dhe kulturës tonë. Njëkohësisht le të angazhohemi për një shoqëri më vëllazërore, që respekton më shumë jetën njerëzore dhe të drejtat e pazëvendësueshme të çdo njeriu. Është mirë gjithashtu të kemi parasysh ato fjalë që dikur pati thënë ish-Presidenti i Amerikës John Kennedy: “Mos pyesni çka mund të bëjë Amerika për ju, por pyesni çka mund të bëni ju për Amerikën”.
Ftesa e dytë: le të vlerësojmë rolin e besimeve për dashurinë, paqen, drejtësinë dhe solidaritetin. Këto formojnë thelbin e rolit profetik të besimeve. Jemi me fat se këtu në Shqipëri kemi një traditë harmonie të sinqertë mes besimeve të ndryshme, sepse politikanët shqiptarë nuk kanë manipuluar kurrë asnjë besim për qëllime politike, si fatkeqësisht ka ndodhur në shumë vende të ndryshme. Kur dikush kryen vepra kriminale, çnjerëzore, në emrin e një besimi, atëherë ky nuk është perveçse një karikaturë besimi; assesi një besim i vërtetë. Dhe ashtu si paraardhësi im, Imzot Rrok Mirdita, shpresoj të jem një vegël për të nxitur harmoninë ndërfetare në vendin tonë.
Ftesa e tretë: të tregohemi më të kujdesshëm ndaj pakicave dhe të mënjanuarve. Kemi shumë fat se në Shqipëri nuk mund të flasim për të moshuarit si njerëz të harruar dhe të mënjanuar, si në shumë vende perendimore, sepse të moshuarit gëzojnë respektin e duhur në Shqipëri. Por le të tregojmë më shumë respekt ndaj grupeve minoritare sikurse janë p.sh. romët, dhe të qëndrojmë më afër personave të tjerë në gjendje më të vështirë në shoqëri, sikurse janë jetimët dhe të varfërit. Unë vetë e di personalisht çfarë do të thotë të jesh jetim dhe i varfër: kam qënë jetim që në moshë e vogël dhe po ashtu kam përjetuar varfërinë. Dhe kjo përvojë më ka ndihmuar që të ndihem më afër atyre që kalojnë nga këto eksperience.
Përurimi i misionit tim si Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit do të bëhet të shtunën, 3 dhjetor, në Kishën Katedrale të Shën Palit në Tiranë, në orën 10.00. Ju lutem të gjithë të bashkoheni me mua të paktën duke më kujtuar në lutje, që në dobësitë e mia ta kem gjithmonë Zotin që më mbeshtet dhe më forcon.

Previous Bariu dëgjoftë zërin e deleve
Next Dëshmia e Kardinalit Ernest Simoni që përloti Papa Françeskun me 21 shtator 2014

Sugjerime