Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë: Komunikatë për shtyp

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë: Komunikatë për shtyp

kishPeregrinus.al   /

Në datat 8 dhe 9 nëntor 2016, Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë u mblodh në Asemblenë e saj të Zakonshme për të diskutuar rreth çështjeve të shumta që ka Kisha dhe shoqëria shqiptare. Në rend të ditës së Asemblesë ishin tema të rëndësishme si kremtimet për lumturimin e 38 martirëve që u bë në Shkodër me datë 5 nëntor 2016; sfidat që i vijnë Kishës në lidhje me martesën dhe familjen, sidomos pas dokumentit të fundit të Papa Françeskut Amoris laetitia; çështja e pronave të Kishës; projekti për aplikimin e sistemit të paneleve diellore në komunitetet katolike në Shqipëri; çështja e komunikimit të Kishës me mediat, si dhe Vizita Ad limina Apostolorum që ipeshkëvinjtë shqiptarë do bëjnë vitin e ardhshëm në Vatikan.

Në lidhje me këto tema u morën disa vendime të bashkëndara nga të gjithë ipeshkëvinjtë.

Nëpërmjet një letre u falenderua Papa Françesku për shtytjen dhe interesimin e tij personal rreth Lumturimit të martirëve shqiptarë të kohës së komunizmit. Po ashtu u falenderua Ati i Shenjtë për përzgjedhjen e Dom Ernest Simonit (Troshanit) si Kardinal i Kishës katolike. Me datë 9 nënëtor ipeshkëvinjtë morën pjesë në ceremoninë e dekorimit nga ana e Presidentit të Republikës të 38 martirëve të Kishës Katolike në Shqipëri.

Sa i përket çështjes së familjes dhe martesës u vu në dukje dhe u vendos që duke filluar nga muaji dhjetor, me daljen e tekstit të përkthyer në shqip të pororsisë apostolike Amoris Laetitia, të fillojë një ecje e gjithë Kishës në Shqipëri për përgatitjen e vepruesve baritorë, meshtarë, motra e katekistë që të jenë të aftë t’u vijnë në ndihmë familjeve. Për këtë arësye një komision i veçantë do të punojë për përpilimin e disa udhëzimeve praktike për vepruesit baritorë e gjithashtu në çdo dioqezë do të paraqitet dokumenti i Papës Françesku.

Për çështjen e pronave të Kishës, pasi u dëgjua mendimi i një specialisti juridik rreth kësaj çështje, kërkohet ende nga qeveria që të krijohet e të funksionojë një Komision “Ad Hoc” dypalësh për zgjidhjen e kësaj çështje, si parashikohet në marrëveshjen midis Shtetit dhe Selisë së Shenjtë.

Po ashtu një hap i rëndësishëm dhe avangardë është edhe paraqitja e një projekti, që vjen nga Fondacioni katolik gjerman Renovabis, për pajisjen e të gjitha komuniteteve katolike me panele diellore. Për mbrojtjen e ambjentit dhe ekologjinë është e rëndësishme për Kishën që të jetë pjesë e këtij procesi.

Për sa i përket Zyrës së Shtypit të Konferencës u vendos, pas dorëheqjes së zëdhënësit Dr. Albert Nikolla, të caktohet dom Gjergj Meta në ketë funksion. Konferenca Ipeshkvore falenderon Dr. Nikollën për punën e tij të deritanishme në komunikimin e Konferencës Ipeshkvore. Kjo e fundit ka vullnetin për të çuar përpara cilësinë e këtij komunikimi edhe nëpërmjet krijimit të faqes web që do të jetë së shpejti efektive.

Në datat 29 maj – 2 qershor 2017 ipeshkëvinjtë katolikë të Shqipërisë do të jenë në Vizitën ad Limina Apostolorum në Vatikan. Kjo është një vizitë periodike që ipeshkëvinjtë nga e gjithë bota bëjnë në Vatikan. Është një lloj shtegtimi në varret e apostujve, por edhe për t’u takuar me Pjetrin, pra me Papën. Në këto ditë ipeshkëvinjtë të gjithë së bashku e personalisht do të takojnë Papën dhe dikasteret e Vatikanit për të paraqitur punën e tyre dhe jetën e Kishës në Shqipëri.

 

dom Gjergj Meta

Zëdhënës i KISH

Previous Unë frati domenikan që u thura një himn martirëve shqiptarë
Next Mbyllja e vitit jubilar të Mëshirës: Mbyllja e "Derës së shenjtë", katedralja e Rreshenit.

Sugjerime