Unë frati domenikan që u thura një himn martirëve shqiptarë

Unë frati domenikan që u thura një himn martirëve shqiptarë

caruanaBERNARD CARUANA O.P.   /

Kjo në fakt, është një nismë e imja si famullitar i Kishës së Shën Dominikut në qytetin e Durrësit. Qyteti ynë është i lidhur ngushtë me pesë nga martirët tanë (Vinçenc Prendushi, Fran Gjini, Jul Bonati, Anton Zogaj, Zef Marksen) pasi këta kanë shërbyer në këtë vend ose kanë vdekur pikërisht në Durrës.

Dëshira ime është që kjo këngë të ndihmojë popullin tonë shqiptar mos të harrojë kurrë historinë e tij, por më shumë, që kujtimet dhe besimi të kthehen tani në lutje. Në fakt, besimi ynë dëftohet, se pari, në liturgjinë (meshë, lutje etj) tonë. Rrjedhimisht, liturgjitë tona tregojnë çfarë besim kemi. Ky ishte motivimi i parë.

Për më tepër, liturgjia është katekeza e parë e popullit. Siç na mësojnë eterit e kishës, këngët që ne përdorim gjatë liturgjisë, na komunikojne të vërteta të larta që të thëna vetëm me fjalë, ndonjëherë mbeten pa jetë. D.m.th. një tekst i përgatitur mirë (edhe teologjikisht) që bashkohet me meloditë që lartësojnë shpirtin njerëzor ndihmojnë ata që këndojnë, që të mësojnë, të kuptojnë dhe të luten. Në këtë mënyrë, kur këndojmë, rizgjohet në ne kujtimi historik dhe njëkohësisht shtohet në zemrat tona, feja dhe shpresa.

Ky ishte motivimi i dytë: d.m.th. që besimtarët tanë të kuptojnë gjithnjë e më shumë kuptimin (edhe teologjik) të martirizimit siç konceptohet nga Kisha Katolike.

Motivimi i tretë është, në fakt,  shumë praktik. Repertori i kengëve kishtare është ende i varfër dhe atëherë na mungojnë këngët për liturgjinë. Kam përfituar nga rastin e lumturimin e martirëve shqiptarë për t’u ofruar kishave tona një këngë që flet për aktin më të lartë të besimit të krishterë: martirizimi.

TEKSTI

Titulli i këngës na fut menjëherë në temën e martirizimit duke na propozuar figurën e dafinës (të palmës), që sipas traditës së lashtë të kishës simbolizon pikërisht martirizimin – fitorja e të krishterëve mbi përndjeke të llojllojshme. Struktura e këngës është mjaft e thjeshtë.

Refreni, që do të këndojë gjithë asamblea, fillon më një notë gëzimi pasi tregon qartësisht tre realite të rëndësishme. Së pari: martirët, edhe pse të përndjekur dhe kanë vuajtur shumë, kanë dalur fitimtarë dhe tani jetojnë për amshim duke na kujtuar ashtu, që vdekja nuk ka fjalën e fundit dhe i krishteri dhe besimi i të krishterëve është gjithmonë i shënuar me shpresë për një jetë, një botë, më të drejtë, më paqësore, më të mirë në çdo aspekt. Ky është çmimi që kanë dëshiruar në mënyrë të zjarrtë dhe për të cilin kanë dhënë jetën. Për më teper, dëshmia e këtyre bëmave kreshnike na kujton që ia vlen të shpenzohesh për nje ideal, sidomos kur ky është një imitim i Krishtit, mbret i martirëve.

Së dyti. Refreni na kujton që Krishti vazhdon të vuajë në të krishterët që janë të persekutuar edhe sot e kësaj dite. Madje, siç na kujtojnë Veprat e Apostujve (9), Krishti identifikohet gjithmonë me Kishën e Tij dhe si pasojë, kush salvon Kishën, salvon Krishtin!

Dhe së treti, përmenden krahët e shqiponjës. Është e qartë lidhje mes shqiponjës dhe kombin shqiptar, por njëkohësisht doja të rikujtoja ato fjalët tronditëse të Papa Françeskut në Tiranë. Duke bekuar tokën e shqiponjave, nga sheshi që mban emrin e shenjtores sonë “Nënë Tereza”, Ati i Shenjtë, u përcolli mesazhin të rinjve për të ndërtuar një botë më të mirë mbi gjurmët e parardhësve dhe martirëve: “Fluturoni lart. Shqiponja nuk e harron folenë”.

Strofat, pastaj, të kënduara nga soliste, pasqyrojnë nga njëra anë, ato imazhe (shpesh simbolike dhe poetike) që në fjalorin tonë kishtar nëpër liturgji shprehin thelbin e flijimit të këtyre njerëzve me një besim të paluhatshëm. Nga ana tjetër, strofat tregojnë shkurtimisht dhe në mënyrë sintetike dinamite dhe grimca historie të shkëputura nga dëshmitë e martirëve tanë. Aty gjejmë, për shembull, fjalët e fundit të tyre “Rroftë Shqipëria! Rroftë Krishti Mbret!” (që tregon një dashuri të zjarrtë për Krishtin dhe për Shqipërinë) si edhe besnikërinë ndaj besimit, kishës dhe Papës.

Kënga mund të dëgjohet këtu: https://www.youtube.com/watch?v=77Mpe2ETR6s

 

Previous Teksti i rezolutës parlamentare që shfajëson martirët tanë
Next Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë: Komunikatë për shtyp

Sugjerime