Teksti i rezolutës parlamentare që shfajëson martirët tanë

Teksti i rezolutës parlamentare që shfajëson martirët tanë

parlamentiREZOLUTË

 PËR DËNIMIN E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT NDAJ KLERIT, SI DHE MIRËNJOHJEN E VEÇANTË PËR ROLIN DHE VEPRIMTARINË

E KLERIKËVE NË MBROJTJEN E VLERAVE DEMOKRATIKE

DHE TË DREJTAVE E LIRIVE THEMELORE TË NJERIUT

Kuvendi i Shqipërisë:

Duke u mbështetur në Rezolutën e Parlamentit Europian “Mbi ndërgjegjen europiane dhe totalitarizmin” (2009); Deklaratën e Pragës “Mbi ndërgjegjen europiane dhe komunizmin” (2008); Rezolutën 1096 (1996) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, si dhe Rezolutën 1481 (2006) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”;

Në vijim të Rezolutës nr. 11, datë 30.10.2006, të Kuvendit të Shqipërisë, “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”;

Duke riafirmuar dënimin e plotë e pa ekuivok të regjimit diktatorial komunist të ngritur nga Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij;

Duke shprehur mirënjohje të thellë për punën intelektuale dhe vlerat e jashtëzakonshme njerëzore që kanë treguar klerikët gjatë regjimit komunist në ruajtjen dhe promovimin e besimit fetar;

Duke konfirmuar dënimin me ashpërsi të dhunimit masiv të të drejtave të njeriut ndaj klerikëve shqiptarë, të kryer nga regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha, ku përfshihen edhe vrasjet (me dhe pa gjyq), vdekjet në kampet e përqendrimit, vdekjet nga uria, tortura, puna skllavëruese, terrori fizik e psikologjik;

Duke vlerësuar lart kontributin, vlerat dhe sakrificat e të gjithë klerikëve të vrarë apo persekutuar gjatë regjimit diktatorial të Enver Hoxhës dhe duke u përulur me mirënjohje të thellë ndaj veprës dhe punës së tyre për ruajtjen e besimit fetar dhe tolerancës fetare, e cila do t’i shërbejë ndërtimit të sotëm të një shoqërie të re dhe demokratike, që njeh dhe respekton lirinë e besimit dhe të drejtat e njeriut;

Duke mbajtur në konsideratë se sipas dokumenteve ndërkombëtare dhe legjislacionit shqiptar aktet çnjerëzore të regjimit komunist ndaj klerikëve përbëjnë krime kundër njerëzimit dhe ndjekja e dënimi i tyre nuk parashkruhet;

Duke e vlerësuar se zhvillimet politike dhe shoqërore të 25 viteve të tranzicionit, pavarësisht nga përpjekjet që kanë bërë qeveritë shqiptare për njohjen dhe promovimin e vlerave të besimit fetar, në funksion të tolerancës fetare, nuk kanë qenë të plota, pasi nuk është bërë nxjerrja e plotë e së vërtetës mbi krimet e komunizmit, edhe ndaj klerit në Shqipëri, si dhe dënimi i ideatorëve, organizatorëve dhe zbatuesve të drejtpërdrejtë në aparatin represiv të regjimit diktatorial, në zbatim edhe të parimeve dhe angazhimeve ndërkombëtare që i dënojnë krimet e komunizmit;

Duke qenë në dijeni të faktit se në 5 Nëntor 2016, në qytetin e Shkodrës, zhvillohet ceremonia e Lumturimit të disa klerikëve katolik shqiptarë të vrarë padrejtësisht nga regjimi komunist;

 

 

            Deklaron me vendosmëri se:

 

  1. Dënon fuqimisht diktatorin Enver Hoxha dhe regjimin totalitar komunist të instaluar prej tij së bashku me bashkëpunëtorët e vet, si dhe krimet e kryera prej tyre ndaj klerikëve shqiptarë.
  2. Dënon fuqimisht vrasjen dhe persekutimin nga regjimi komunist dhe njeh me bindje të plotë pafajësinë e Dom Anton Zogaj, Imzot Frano Gjini, Marie Tuci, Atë Giovanni Fausti s.j., Vëlla Gjon Pantalia, Imzot Vincenc Prenushi o.f.m., Imzot Jul Bonati, Dom Alfons Tracki, Atë Gjon Shllaku, Atë Karl Serreqi, Atë Mati Prendushi, Dom Jozef Maksen, Dom Lazër Shantoja, Dom Lekë Sirdani, Dom Luigj Prendushi, Atë Ciprian Nika, Atë Serafin Koda, Atë Gaspër Suma, Dom Anton Muza, Dom Dedë Maçaj, Dom Dedë Malaj, Mark Çuni, Atë Bernardin Pala, Atë Daniel Dajani, Gjelosh Lulashi, Dom Mikel Beltoja, Dom Ndre Zadeja, Dom Mark Gjani, Dom Dedë Plani,  Fran Mirakaj, Dom Ejëll Deda, Qerim Sadiku, Dom Jak Bushati, Papa Josif Mihali, Dom Marin Shkurti, Dom Ndoc Suma, Dom Pjetër Çuni, Dom Shtjefën Kurti, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Sabri Koçi, Dede Reshat Bardhi, Haki Sharofi, Jonuz Bulaj, Vexhi Buharaja, Ismail Muçej, Haxhi Faik Sheh Qazim Hoxha, Hasan Tahsini, Baba Bedriu i Brerimës, Baba Hajro Progonati, Hafiz Mustafa Varoshi, Hafiz Sherif Lëngu, Hafiz Esat Myftia, Hafiz Musa Dërguti, Hafiz Ali Kraja, Imam Liman Shabani, Imam Met Troci, Sheh Ibrahim Karabunara, Sheh Myslim Luma, Baba Myrteza Kruja, Imam Ahmet Hyseni, Dervish Mehmet Verleni, Xhemal Naipi, Hafiz Sheuqet Boriçi, Hafiz Sabri Bushati, Molla Alush Zaganjori, Shejkh Hafiz Vehbi Sulejman Gavoçi, Selim Braja, Hafiz Bakalli, Hafiz Myrtja, Hafiz Muhamet Bekteshi, Sheh Ali Pazari, Sheh Reiz Sinani, Baba Ali Tomorri, Baba Qamil Gllava, Baba Shefqet Koshtani, Baba Bedri Cakrani, Dervish Ali Kocia, Dede Kamber Prishta, Baba Mehmet Zyka, Baba Islam Leskoviku, Baba Bajram Mahmutaj, Baba Islam Jangolli, Baba Ilmi Kurtesi, Dede Ahmet Myftari, Baba Sh. Cenametaj, Kryeepiskop Visarioni Xhuvani, Kryehirësia e Tij Kristofor Kisi, Episkopi ndihmës i Apolonisë Irineu Banushi, Atë Gjergj Suli, Atë Aleksandër Lipe, Atë Dhimitër Leka, Atë Kostandin Bozdo, Atë Ligor Zografi, Atë Kosta Kole, Atë Thoma Vërleni, Atë Kristo Raci, Atë Jorgji Kosta, Atë Simon Tonini, Atë Ilia Zoto, Atë Gjergj Dedi etj.
  3. Vlerëson me mirënjohje të thellë veprën, punën intelektuale dhe vlerat e jashtëzakonshme njerëzore të klerikëve shqiptarë gjatë regjimit komunist për ruajtjen e besimit fetar dhe të tolerancës fetare, në funksion të ndërtimit për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm të një shoqërie të re dhe demokratike, që njeh dhe respekton lirinë e besimit dhe të drejtat e njeriut.
  4. Vlerëson se klerikët që ishin viktimë e krimeve dhe persekutimeve të regjimit komunist, si dhe familjarët e tyre meritojnë rehabilitim, respekt dhe mirëkuptim për vuajtjen e tyre, si dhe mirënjohje për qëndresën e tyre ndaj sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore.
  5. Nxit Qeverinë që të rrisë fondet financiare dhe përpjekjet për zbulimin e krimeve të komunizmit ndaj klerikëve në Shqipëri, autorëve të këtyre krimeve, si dhe rehabilitimin e familjarëve të viktimave, në vazhdën e përpjekjeve që ka bërë shteti shqiptar, në funksion të rehabilitimit dhe integrimit të tyre në jetën sociale, ekonomike e politike.
  6. Nxit akademikët dhe historianët që të ndërmarrin veprimtari kërkimore-shkencore për përcaktimin dhe verifikimin objektiv të krimeve të komunizmit ndaj klerikëve në Shqipëri gjatë diktaturës komuniste, si dhe kërkon bërjen publike të të gjitha dokumenteve arkivore që dëshmojnë këto krime, nëpërmjet krijimit të mekanizmave të nevojshëm institucionalë, që do të bëjnë të mundur një evidentim real, bazuar mbi fakte dhe të dhëna konkretë të kohës.

 

 

Miratuar në datën 3.11.2016

Previous Martirët, Kisha, e tashmja dhe e ardhmja
Next Unë frati domenikan që u thura një himn martirëve shqiptarë

Sugjerime