Sot, kur Martirët u lumnuen

Sot, kur Martirët u lumnuen

martirAndreas Dushi  /

Ndonëse ne në Shkodër kemi fatin e mirë që çdo mëngjes të ngrihemi nga gjumi me muzikën e shnejtët të këmbanave, sot ajo melodi dukej ndryshe. Dukej më e gjallë se kurrë, ndonëse përkujtonte të vdekur. Më aktuale se kurrë ndonëse përkujtonte të shkuarën. Më e bardhë se kurrë ndonëse përkujtonte të kuqen. Më e dashur se kurrë ndonëse përkujtonte turturat. Këmbanaret të cilat e merrnin nga Hyji forcën për të lëshuar atë këngë aq të këndshme, sot ngjanin më të madhërishme se asnjëherë më parë.

Sot ishte dita kur u nderuan ato që patën guxim të donin, ato që patën guxim të mos ndërronin idealin e shenjtë, ato që patën guxim të falnin, ato që patën guxim të vdisnin në rrugën e shenjtë të Krishtit. U ndreuan ato të cilët “E banen deken si me lé”. U nderuan shkrimtarë, poet, filozofë e muzikant, por të cilët mbi të gjitha ishin të dashuruar pas atdheut e pas Zotit. U nderua intelketi i cili u dënua përdhuni nga furia komuniste.

Sot Shkodra ndjeu edhe një herë atmosferën e gëzueshme të këngëve të Dom Ndre Zadejës. Dëgjoi sërish predikimin filozofik të Padër Gjon Shllakut. Shikoi pas dyerve të shtëpive edhe një herë traktet antikomuniste e besimnxitëse të Mark Çunit. Dëgjoi në italisht “Lahutën e Malcís” të përkthyer nga mons. Jul Bonati. Dëgjoi interpretimet e poezive të Imzot Vinçens Prennushit. Por gjithashtu kujtoi edhe një herë, si zhurmë buçitëse në vesh, mjaullimën e maces së egër që ishte në thes me Marie Tucin. Ndërsa si shprehje frymëzuese dëgjoi fjalët e fundit të shumë martirëve, përfshirë Atë Çipirjan Nikën, Atë Mati Prendushin, Dom Mikel Beltojen, Dom Dedë Maçajn, Imzot Frano Gjinin të cilët thanë “Rrnoftë Krishti Mbret. Rrnoftë Shqipnia”, pas një fjalie prekëse “Jua baj hallall atyne që më kan gjikue e atyne që do të më vrasin.”

Sot, teksa dëgjoja Imzot Masafrën që lexonte shkurtimisht mundimet që pësuan martirët, mu kujtua një formë betimi që bënte gjyshja ime “Për mudnime t’Krishtit”. Mos ndoshta edhe martirët, të nxitur nga këto mundime shëlbimngjallëse që bëri Krishti, qenë të gatshëm të duronin mundime që nuk të besohet se njerëzit i krijuan për t’i provuar mbi njerëz të tjerë?

Sot, ndërkohë që brenda Katedrales kremtohej me gjithë solemnitetin e mundshëm Mesha e Shenjtë, qielli na bënte disa kapriço me motin. Në fillim një zymtësi mbuloi gjithçka, një atmosferë e ngjashme me atë që mbizotëronte kur në çinarin në Rrmaj reshtoheshin meshtarët e laikët para se të nisëshin drejt martirizimit. Më pas, kur u këndua “Gloria”, dielli doli në të djathtë të këmbanares dhe u përkul me gjithë lavdinë e vet para lavdisë së martirëve. Pastaj u largua duke i lënë vend një shiu të imët i cili herë binte e herë pushonte. E në fund, dielli doli, e sëbashku me shiun u vendosën aty, mbi kompanjelin e lartë, duke na shoqëruar për pak kohë.

Nga sot s’kemi më nevojë të kërkojmë ndër shenjtër të huaj për të gjetur ndonjë rrem që t’i quajmë shqiptarë. Kemi 38 që janë shumë më shqiptarë se shumica e atyre që ishin sot të ulur në bankat e Katedrales, sidomos pas bankës së parë.

 

Previous Papa Françesku sot foli për 38 martirët e lumë të Shqipërisë
Next Pershendetja ne mbarimin e Meshes – me 5 nentor 2016

Sugjerime