Pershendetja ne mbarimin e Meshes – me 5 nentor 2016

Pershendetja ne mbarimin e Meshes – me 5 nentor 2016

massafraANGELO MASSAFRA O.F.M.   /

Eminencat shumë të Nderuara,

Bashkëvëllezër në Episkopat,

Imzot Romanus Mbena, i ngarkuar me Punët e Nunciaturës,

Imzot Asti, i deleguari i Kishës Ortodokse

Eprorë Gjeneralë dhe Provincialë,

Meshtarë e të Kushtuar Zotit,

Autoritete Shteterore të Kosovës dhe të Shqipërisë,

Autoritete Diplomatike, Deputetët dhe Autoritete Civile,

Hirësia e Tij Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve,

Te nderuar familiarë të Martirëve,

Besimtarë që keni ardhur këtu nga çdo anë për të kremtuar këtë ngjarje kaq të dëshiruar të Lumnimit të Imzot Prennushit dhe Shokëve Martirë,

 

është dëshirë e imja e madhe, në përfundim të këtij bashkëkremtimi solemn, të shpreh ndjenjat e zemrës sime në këtë moment.

Para së gjithash, dëshiroj të bashkëndaj emocionin e thellë që ndiej duke parë se sot, prej Shqipërisë së vogël, në të gjithë Kishën dhe para gjithë botës, Krishti edhe një herë është dëshmuar prej forcës së paarmatosur të martirizimit. Martirët tanë i shtohen asaj liste gjithmonë të hapur burrash e grash që, me jetën e tyre, i kanë dhënë lavdi Hyjit dhe kanë ushqyer fenë e guximin e popullit të krishterë në çdo kohë dhe në çdo vend.

Provoj një ndjenjë vogëlsie përpara këtyre gjigandëve të fesë dhe, në të njëjtën kohë, ndiej se Zoti thërret ende në një gatishmëri të madhe, për ta shpallur e kumtuar si të Ringjallur e të Gjallë; i fton dhe u prin me dashuri të gjithë burrave e grave që të pajtohen me Atin dhe, kështu, të jetojnë një jetë të re, të lirë nga çdo kompromis me të keqen. E kuptoj edhe se kjo gatishmëri që na kërkon sot Zoti nuk mund të dhurohet ndryshe përveçse duke bërë sakrifica të vogla apo të mëdha dhe, në këtë kuptim, është një thirrje në martirizim edhe për ne, jo më të përndjekur nga ideologji shprehimisht kundërshtare të fesë, por nga forma ideologjike më tinëzare dhe të rrezikshme që gjithashtu na nënshtrojnë dhe duan të na largojnë prej Hyjit.

Dëshiroj të bekoj e të falënderoj Zotin për të gjitha këto dhe, së bashku me ju, të kërkoj forcën e Shpirtit Shenjt për këtë Kishë të vogël në tokën e Shqipërisë. Jemi një pjesë e vogël, por me zemër të madhe dhe, prandaj, të gatshme për atë që Zoti do të kërkojë prej nesh.

Nuk kam fjalë të mjaftueshme që të shpreh mirënjohjen time personale dhe atë të të gjithë Episkopatit shqiptar ndaj Atit të Shenjtë për këtë dhuratë tejet të madhe të Lumnimit.

Eminenc, disa herë në letrat e fundit e kemi shprehur këtë falënderim; ju lutemi që, edhe një herë, Ju të bëheni zëdhënës i ndjenjave tona më të thella të vlerësimit e të mirënjohjes për gjithë dashurinë që, në shumë forma, Papa Françesku është duke dëftuar ndaj Kishës sonë dhe popullit shqiptar, jo e fundit dhurata e një Kardinali në personin e don Ernest Simonit (Troshanit).

E ndiej si detyrë të falënderoj edhe të gjithë ata që kanë ndihmuar që të arrihej në këtë ditë: ata që nuk janë më mes nesh, por prej qiellit sot na bëjnë shoqëri (mendimi shkon në mënyrë të veçantë tek i paharrueshmi Atë Leonardo Di Pinto OFM), dhe ata që janë të pranishëm e që, me çfarëdo titulli, kanë punuar apo janë duke punuar për lavdinë e Hyjit dhe nderimin e duhur ndaj Martirëve tanë. Po i lejoj vetes vetëm të citoj në mënyrë të veçantë Postulacionin gjeneral të Fretërve Minorë, Atë Gianni Califano dhe Zëvendës Postulator Fra Vinçenc Foca që ka shoqëruar dhe ndjekur çdo itinerar të nevojshëm që nga fillimi e deri më sot dhe të gjithë anëtarët e Gjyqit për Çështjen e Martirëve.

Një falënderim që vjen prej zemrës do të doja t’ia drejtoj Parlamentit të Republikës i cili me anën e një rezulute solemne këto ditë dënoi fuqishëm vrasjet dhe përsekutimin e regjimit komunist dhe njohu me bindje  të plotë pafajsinë e martirëve tanë.

Faleminderit, faleminderit nga zemra të gjithëve. Dhe faleminderit Juve Hirësi që keni dashur të jeni këtu me ne në këtë ditë feste për të bashkëndarë gëzimin tonë dhe, përsëri, për të mbjellur shpresë në zemrat tona: vërtet kemi shumë nevojë për këtë! Ecja nuk ka përfunduar, por sapo kemi filluar dhe kemi shumë nevojë të ndiejmë dashurinë amënore të Kishës universale që na shoqëron dhe na nxit në rrugëtimin tonë të bashkimit të përditshëm me Krishtin Mësues e Zot.

Faleminderit të gjithëve ju, zotërinj Kardinalë, Kardinalit tone Don Ernest Simonit (Troshan), juve Ipeshkvij që keni ardhur nga Kisha të ndryshme, të gjithëve ju Meshtarë, Rregulltarë e Rregulltare.

Falënderoj Juve Autoritetet Shtetërore të Kosovës dhe të Shqipërisë që na keni nderuar me praninë tuaj.

Falënderoj Përfaqësuesit e Kishave motra me të cilët bashkëndajmë të njëjtën fe trinitare dhe falënderoj Përfaqësuesit e Besimeve të tjera me të cilët ecim së bashku me vetëdijen se i japim nderim të vetmit Hyj.

Një falënderim të përzemërt dëshiroj t’ia drejtoj Kryetares së Bashkisë dhe bashkëpunëtorëve të saj për ndihmën që na kanë dhënë në organizimin dhe mbarëvajtjen e kësaj ngjarjeje historike.

Jam i lumtur qe sot ketu afer altarit jane ulur në keto karrige burra dhe gra që u sherbyen martireve neper burxhe e kampe perqendrimi. Duam sot duke ju pasur perpara t’ju falenderojme ju e në ju te gjithe ata qe si Simon Cireneu e Veronika lehtesuat vuajtjet e martireve me guximin e besnikrine tuaj. Ata u lutshin per ju.

Faleminderit edhe Policisë që është kujdesur për rendin dhe sigurinë publike.

Gjithashtu, falënderoj ata që kanë bashkëpunuar në përgatitjen e këtij kremtimi solemn, në veçanti të gjithë Anëtarët e Komisionit, Famullitarin e Katedrales, korin, vullnetarët dhe personelin mjeko-shëndetësor.

Një aspekt jo i parëndësishëm, pa të cilin nuk do të kishim mundur ta jetonim këtë ditë dhe që meriton një falënderim të veçantë është ai i mbështetjes ekonomike për të cilën falënderoj me gjithë zemër të gjithë ata që kanë dhënë ndihmesën e tyre, sidomos falënderoj Kryeministrin.

Faleminderit edhe punëtorëve të Mediave: vëmendja juaj ndaj kësaj ngjarjeje ndihmon që Martirët tanë dhe Shqipëria jonë edhe një herë të kenë jehonë botërore; në veçanti falënderoj TVSH-në për transmetimin e drejtpërdrejtë.

Së fundi, ndiej për detyrë të falënderoj publikisht dy artistët që kanë realizuar pikturat prej të cilave janë nxjerrë në pelhurën e madhe të Lumnimit dhe në figurat e shenjta me lutjen që do të na lejojë të kërkojmë përsëri prej Zotit hirin e Shenjtërimit të Martirëve tanë: Z. Edmond Papathimiu dhe Z. Igli Harapi.

Dhe pas falënderimeve të duhura, më lejoni edhe që të shpreh dy urime të sinqerta.

Para së gjithash urimi që në çdo anë të botës, ku përkatësia e ndryshme fetare përdoret për të shfajësuar krime të vërteta kundër njerëzimit, të reshtë dhuna dhe përndjekja kundër atyre që nuk bashkëndajnë të njëjtin këndvështrim fetar të jetës.

Pastaj, duke shikuar periudhën historike që jemi duke kaluar, në të cilën tokat tona të Shqipërisë dhe Kosovës janë të angazhuara për t’u bërë ballë vështirësive të mëdha me natyrë ekonomike, shoqërore e morale, uroj që gjaku i derdhur prej Martirëve tanë të bëhet me të vërtetë për ne “farë” e një jete të re. Shembulli i tyre na dhashtë guximin dhe forcën për të qenë të gjithë të angazhuar, secili sipas kompetencave dhe përgjegjësive të veta kishtare, shoqërore apo politike, për të ndihmuar më të dobëtit e shoqërisë, për të zhdukur varfërinë, për t’u dhënë punë e dinjitet të gjithë personave dhe për të ndihmuar kështu në të mirën e të gjithëve.

Ndërmjetësimi i tyre, së bashku me atë të Shenjtes Nënë Tereza, pranë fronit të Hyjit të mëshirshëm fitoftë për ne një zemër të re, të vëmendshme ndaj nevojave të ngutshme të shoqërisë sonë, dhe bujare për të realizuar të mirën e përbashkët. Ata fitofshin për ne prej Mirësisë hyjnore të mirën për Kishën e gjithëmbarshme dhe shpëtimin për gjithë botën.

Së bashku me Martiret tane, sot dëshiroj të ripohoj me forcë: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria!”.

 

Previous Sot, kur Martirët u lumnuen
Next Dioqeza e Sapës: DASHURIA NË VEPËR ËSHTË SHËRBIM

Sugjerime