FALJA POR JO HARRESA

FALJA POR JO HARRESA

martiret-shqiptarePASQUALE NALLI   – 

Shekulli XX ka shkaktuar një numër të pamasë martirësh të krishterë, më të lartë se shuma e nëntëmbëdhjetë shekujve të mëparshëm. Por, nëse “gjaku i martirëve është fara që bën të lindë të krishterë të rinj”, vrasja e tyre çnjerëzore tregon që historia hyn në një rrugë të verbër, bie në natën e arsyes dhe njeriu do të kalojë majën e Hyjit, për të udhëhequr botën dhe historinë. Kështu ka ndodhur me rënien e perandorisë romake, me revolucionin francez dhe me diktaturën e komunizmit dhe të nazizmit. Edhe Shqipëria është thërmuar nga përbindëshi gjakësor i komunizmit. Errësirat kanë mposhtur dritën e dëshmitarëve të fesë, por nuk i ka mundur. Nga gjaku i tyre i shtrydhur ka lindur një njerëzim i ri.

Kremtimi i afërt që i shpall historisë së sotme dhe të ardhme dëshminë heroike në tokën shqiptare, e 38 burrave e grave, të cilët, duke derdhur gjakun e tyre për Krishtin dhe atdheun e lirë, kanë sfiduar kryelartësinë e më të fuqishmëve, është rasti për të reflektuar mbi jetën tonë si besimtarë dhe qytetarë.

Para së gjithash jeta e martirëve shpall ekzistencën e Hyjit në veprimin e tij të heshtur dhe të fshehur në histori, dhe siguria që jeta e njeriut vazhdon edhe përtej kufijve të vdekjes. Ajo është “dera mistike” e vërtetë që na hap ecjen drejt përjetësisë. Martirët na sigurojnë që ekziston jeta mbi planet “post Mortem” (pas Vdekjes). Nuk ka dyshim: nëse këta dëshmitarë, nën kërcënimin e torturës dhe të pushkatimit kanë ruajtur fenë në Krishtin, Hyj i vërtetë e Njeri i vërtetë, shpëtimtari i vetëm i botës dhe i njeriut do të thotë që siguria e tyre nuk gënjen. Vetëdija e Martirëve të vdesin për një Ideal është dëshmia që lufta e tyre për Hyjin, për të drejtat njerëzore dhe lirinë fetare, do të kurorëzohet në Përjetësi dhe te breznitë e ardhshme. “Ne vdesim por Shqipëri do të jetojë”.

Në arsyet që kanë justifikuar shenjtërinë e tyre, është njëra që është themelore që pohon: janë vrarë “in odium fidei” (për urretje të fesë). Qëllimi i xhelatëve të tyre ishte i qartë: të fshinin gjurmën e Hyjit në histori duke eliminuar dëshmitarët e Absolutit. Por nuk imagjinonin që me eliminimin e trupit të tyre dëshmitarët e Hyjit do të shkaktonin efektin e përhapjes së fesë. Të vrarë “in odium fidei” (për urretje të fesë) është çertifikata e heroizmit dhe e besnikësrisë së tyre ndaj Ungjillit, ndaj Kishës dhe dinjitetit të njeriut. Kanë përqafuar vdekjen duke ditur që kasapët e tyre “nuk dinin çfarë bënin” ose më mirë ishin të verbër përpara të vërtetës rreth njeriut dhe të shurdhët para zërit të ndërgjegjes. Nuk kanë hezituar të imitojnë Mësuesin e tyre, i cili ka dhuruar jetën e tij për shpëtimin e të gjithëve pa dallime. Ne, pasardhësit e tyre në fe, e kemi trashëguar këtë trashëgimi të çmuar?

Maria Nëna e Jezusit, duke hyrë në shtëpinë e kushërirës së saj Elizabeta, shpall një profeci e cila u drejtohet të gjitha breznive njerëzore, duke pohuar që Hyji i historisë “i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve, i rrëzoi princat prej froneve të tyre”. Si të mos njohim në këtë kremtim humbjen e një ideologjie dhe të një regjimi politik që kanë helmuar për një kohë të pafund shpirtin e një populli guximtar, i cili ka qenë një fortesë për pushtimin otoman në Evropë? Nesë sot historikisht koha e diktaturës komuniste ka mbaruar, megjithatë helmi i injektuar vazhdon të qarkullojë në trupin e shoqërisë dhe të politikës. Si është e mundur që akoma shoqëria jonë civile dhe demokratike post-komuniste nuk ka hedhur poshtë me një akt zyrtar dhe publik atë histori që ka përulur dhe skllavëruar popullin e saj? Çfarë të themi pastaj që nuk ka pasur proces të drejtë ndaj atyre që kanë shpallur vendime me dënime vdekjeje fallco dhe të padrejta, të atyre që kanë torturuar me mizori të pafajshmit sepse i kundërshtonin? Dhe si është e mundur që shumë prej atyre që kanë shërbyer me zell ekstrem regjimin e gënjeshtrës dhe të terrorit gjenden akoma në administrimin e drejtësisë ose në poste drejtuese të demokracisë së re shqiptare? Mungesa e kësaj drejtësie shoqërore është duke vonuar dhe nuk dihet për sa kohë akoma zhvillimin e shtetit shoqëror.

Është akoma Maria që na kujton që Zoti i historisë, duke ndërhyrë me mëshirën e tij “ka ngritur të përvuajturit dhe ka mbushur me të mira të uriturit”. Ka ndihmuar të dënuarit me vdekje dhe ka vendosur në zemrat e tyre krenarinë e të qenurit të krishterë dhe kurajon të falin persekutuesit. Tani e dimë me të vërtetë nga cila ana gjendet e vërteta, cilët janë armiqtë e vërtetë e popullit shqiptarë. Martirët tanë janë bërë dëshmitarët e vërtetë e një njerëzimi që nuk e ka braktisur kurrë besimin në Hyjin, Mbrojtësin e të shtypurve. Nuk janë lëkundur përballë premtimeve tërheqëse dhe britmave kërcënuese të njerëzve të dehur nga pushteti, të cilët besonin se kishin në dorë jetën e të tjerëve. Kanë refuzuar errësirën dhe kanë pranuar dritën që vinte nga Lart. Kanë refuzuar personifikimin e të Keqes, vepruese në diktaturës ateiste komuniste dhe kanë përqafuar kryqin e Mësuesit të tyre. “Nuk ka dashuri më të madhe se ajo që jep jetën për miqtë e vet”, por edhe për armiqtë. Pranimi i martirizimit, nëpërmjet formave më mizore të torturave trupore dhe psikike, tregon të vërtetën dhe heroizmin e ekzistencës së tyre njerëzore. Nuk ishin ata tradhtarët e atdheut, armiqtë e popullit shqiptar, por në të kundërt mjeshtër të vërtetë, që me gjakun e tyre të derdhur, kanë filluar një histori të re. Me fundin e tyre mizor jo vetëm kanë hyrë në botën e lumturisë së përjetshme por i kanë bërtitur botës madhësinë e dinjitetit të njeriut, e Vërteta që e bën të lirë.

“I fal persekutuesit e mi” është fjala që shpesh del nga buzët e të dënuarve me vdekje për Krishtin. Por nuk duhet keqkuptuar! Nëse besimtari i zvarritur në vdekje fal, shoqëria civile që shkon drejt lirisë dhe një regjimi demokratik, nuk mund të fshijë përgjegjësitë historike të persekutuesve ose të të vulosin në një sirtar mizoritë e kriminelëve që kanë gjakosur historinë e një populli. Nuk do të kishte qenë procesi kolosal i Norimbergut.

Historiaografi francez Pierre Chaunu ka deklaruar: “Atë që nuk arrij të kuptoj është se përse katolikët francezë të ditëve të sotme nuk janë përkrah katolikëve të persekutuar gjatë historisë dhe mbi të gjitha gjatë Revolucionit francez. Falja nuk nënkupton harresën dhe as bashkëpunimin me kriminelat. Nuk arrij të kuptoj aspak pse dhe në emër të çfarë mohohet realiteti: në Francë ka pasur qindra dhe mijëra të vdekur, viktima të bindjeve të tyre fetare. Kanë luftuar, janë organizuar, por i kanë masakruar në mënyrën më të padenjë”.

Falja e martirëve na fton të ndërtojmë një shoqëri mbi pajtimin e të kaluarës me të tashmen, por edhe mbi kërkimin dhe pohimin e të vërtetës për ngjarjet e të kaluarës së afërt.

Përfundoj me një lutje të gjetur afër trupit të një fëmije në kampin e shfarosjes së Ravensbrück, e shkruar nga një njeri i cili ka pësuar në trup dhe në shpirt mizori të pashprehshme nga një njëri tjetër. Është lutja që përmbledh logjikën e dashurisë së Hyjit dhe paradoksin e kryqit të Krishtit. E megjithatë ferri ekziston.

“O Zot, kujtohu jo vetëm për njerëzit me vullnet të mirë, por edhe për ata me vullnet të keq. Mos i kujto të gjitha vuajtjet që na kanë shkaktuar, por kujtohu për frytet që ne kemi sjellë falë vuajtjes sonë: ndershmërinë, përvujtërinë, kurajon, bujarinë, lartësinë e zemrës që kanë lulëzuar nga gjithçka që kemi vuajtur. Dhe kur këta njerëz do të dalin në gjyq, bëj që gjithë këto fryte që kemi bërë të lindin, të jenë falja e tyre”.

Previous Dashuria që më shpëtoi nga pornografia*
Next Papa Françesku sot foli për 38 martirët e lumë të Shqipërisë

Sugjerime