Ubi Spiritus Domini, ibi libertas

Ubi Spiritus Domini, ibi libertas

Processed with VSCO

Prof.dr. Aljula Jubani   – 

Kur Papa Gjon Pali II e shpalli kardinal Dom Mikel Koliqin, ai u shpreh: “Është një shenjë e dashurisë së Papës për gjithë Shqipërinë dhe më zgjodhi mua jo për meritat e mia, por sepse të gjithë vëllezërit e mi kanë vdekur.” Martirizimi ishte rruga që me vetëdijen e besimtarit, bariut të grigjës, intelektualit dhe patriotit zgjodhi kisha katolike shqiptare, duke pasur përballë një regjim dhunues të shpirtit e tjetërsues të vlerave kombëtare.

Sa herë flasim për historikun e letrave shqipe, nuk mund të mos i referohemi kontributit themeltar e madhor të klerikëve katolikë, qysh prej dokumetimit të parë të shqipes, për të vijuar me librin e parë shqip e deri në themelimin e shkollave të mirëfillta letrare shqipe. Ashtu siç thoshte Shën Tomas Acquini: “Gjurmët janë ato që lënë njerëzit kur ecin në shtigje, kurse veprat janë shtigjet që çel Zoti.” Në të vërtetë, Urdhëri Françeskan në Shqipëri ka çelur një rrugëtim të gjatë e të mirëndërtuar në kulturën shqiptare.

Kështu, në të njëjtin vit kur do të mblidhej edhe Komisia Letrare në Shkodër, nisi punën e saj edhe Shtypshkronja Françeskane. Shtëpia botuese “Botime Françeskane” ka në katalogun e saj një shumëllojshmëni botimesh në të gjitha fushat, si botime fetare, filozofike, letrare, historike, gjuhësore, antropologjike, përkthime; romane, drama, libra me poezi, vepra shkencore, veçanërisht me periodikët e botuar prej saj etj.

Të shumtë janë emrat e autorëve që botuan në të, intelektualë, studiues e shkrimtarë të huaj e shqiptarë nga të gjitha trojet.

Ndër ta renditen edhe disa nga emrat e atyre që do të shpallen martirë pas pak ditësh prej Papa Françeskut.

Ashtu siç thuhet në Ungjillin sipas Mateut: Ju them në të vërtetë se, në qoftë se drejtësia juaj nuk do të tejkalojë atë të skribëve dhe të farizejve, nuk do të hyni në Mbretërinë e Qiejve.”

Dhe në të vërtetë, këta martirë shkuan përtej egërsisë së sistemit komunist, duke dhënë me jetën tyre dëshminë më të mirë, para një populli të tërë të torturuar, të martiriziuar, të kryqëzuar. Kjo dëshmi vjen jo vetëm me jetën që jetuan dhe kuptimin që i dhanë, por edhe me dëshminë e mendimit e të fjalës së tyre, e cila na është përcjellë falë botimeve të Shtypshkronjës Françeskane.

Imzot Vinçenc Prennushi, njëri prej anëtarëve të Komisisë Letrare, qe ndër drejtuesit e parë të Shtypshkronjës Françeskane, që u vendos në kuvendin françeskan të Gjuhadolit, në nëntor të vitit 1916, së bashku me Át Gjergj Fishtën, Át Justin Rrotën, Át Antonin Fishtën e Át Benedikt Demën.

Të njohura e mjaft të vlera janë letrat baritore të Imzot Prennushit “Fjala e Zotit ndër të dielë e ditë feste”, tue ndritë menden me njoftime të nevojshme të Fes shejte e tue knaqë zemren nder mësime të pastra t’Unjillit Shejt, – siç e vlerëson Imzot Jak Sereqi.

Por në veprimtarinë e tij botuese zë vend të rëndësishëm edhe letërsia, me vepra origjinale dhe përkthime të shqipëruara me talent të veçantë. Botimet e tij vijnë si vepra të veçanta, por edhe në faqet e perodikëve, si revista “Zani i Shna Ndout”, “Posta e Shqypnisë”, “Hylli i Dritës”, “Ora e maleve”etj.

Kështu është romanca në vargje “Grueja shqyptare”, botuar nga shtypshkronja Françeskane në vitin 1918 e po në atë vit “Vorri i fratit-dy fjalë mî jetë të lumit P. Anton Soranit, dishmitâr franciskan”, “I vorfni” në 1913, “Shpata e Skanderbegut”, “Lufta” në 1922 ; “Mbi vorr të Skanderbegut”; dy novelat: “Kungimi i parë” dhe “Fè e heroizëm” etj. Ligjërata e mbajtur në Arkipeshkvinë e Shkodrës para një mbledhjeje të meshtarëve katolikë “Ndër lamije të demokracis së vërtetë”, 1922, përbën një manifest të parimeve themelore të demokracisë dhe të vlerave të krishtërimit në një shoqëri demokratike. Duke kujtuar vëllimin me poezi “Gjeth e lule”, 1924 na vjen ndër mend cilësimi i At Justin Rrotës “Prennushi mund të mbahet si poeti i qytetit të vet, mbasi gjithçka gjeti të hijshme në fjalë e në frazeologji të këtij dialekti e mblodhi si bleta dhe e vendosi me shije të madhe në shkrimet e veta”. Me shkrimet e tij Imzot Prennushi, e udhëheq lexuesin përtej filozofisë së jetës me thjeshtësinë e një ligjëruesi të zotë, për ta shoqëruar me afërsinë e një komunikimi atëror.

“Prej robnije në lirí”, 1931; “Jeta e Shna Ndout prej Padue” ose “Shejti i mrekullive”, 1934;  “E trathtuemja” 1919, një dramë me pesë akte, shqipërimi i së cilës nga Imzot Vinçenc Prennushi ishte aq i arrirë sa që dukej si i shkruar së pari shqip. Po kështu është “Drandofillja e Bardhë ase Jeta e Sh’Terezes së J. Krishtit Fmí” , 1935, “Fabiola” ose “Kisha nën dhe e mbi dhe”, “Quo vadis”, 1933, si edhe mjaft përkthime të tjera.

Këta janë vetëm disa nga titujt që mbajnë autorësinë e Imzot Prennushit, për të cilin Padër Benedikt Dema shkruante, tek fliste për botimet në “Hyllin e Dritës”: “Përmi faqet e tija ka pushue pena mâ e fuqishme kombtare – At Fishta, bashkë me pendën mâ t’ambel t’gjuhës s’onë – Prennushin.” Fryt i këtij bashkëpunimi të ngushtë vjen edhe botimi i “Visareve të kombit” (“Kângëve popullore gegnishte”), një thesar i vërtetë i pasurisë shpirtërore të dokumentuar në faqet e tij. Emri i Imzot Vincenc Prennushit shfaqet në trashëgiminë e shtypshkronjës françeskane me më shumë se 40 zëra bibliografikë, çka risjell në vëmendje kontributin e rëndësishëm të Ipeshkvit të Sapës dhe më pas të Durrësit, këtij hierarku të lartë Kishës katolike shqiptare, që u dha kaq shumë shqiptarëve, deri edhe jetën në duart e torturuesve të tij të një gjaku, por të pafe.

Atë Bernardin Palaj dhe Atë Donat Kurti, dy klerikët e përkushtuar për mbledhjen e thesareve të folklorit shqiptar, etërit e këngëve të maleve. Atë Bernardin Palajn, Ernest Koliqi do ta quante « frati i kângvet ». Me botimin e Kângëve të kreshnikëve në faqet e “Hyllit të dritës”, ata jo vetëm i publikuan, por edhe gjurmuan e sintetizuan kodin e Eposit të kreshnikëve. “A t’ka ra rasa me pâ ndonji herë ndonji kullë ngujimi, po gjije, po kure e thana e bune ndër male? Ti qi lexon ke me më mpvet çuditshëm: kto fjalë shka janë? N’mos kjosh nji etnograf shoq me Hahnin e Nopcen jase ndonji banuer i ktyne maleve t’kanûs, t’a nxâ besë lehtas se vështirë e ke me kuptue. Të vallojm nji here malet e kanûs, ato bjeshkë t’madhnueshme, ku porsi çerdhe shqypesh, shihen të shpërdame aty-ktu çatave, prrojeve, qejve gjijet e atij shqiptari qi t’ruejti gjuhen mâ t’kulluetën, doket mâ të pastërtat të fisit iliro-trak, aq sa edhe ma studjozi rmues indoeuropjan ka per t’u bindë për atillsin e tij.”

 …A ka gjâ mâ të bukur per nji poet shqyptár, romancjer, a etnograf se me u gjetë më ndonji mbledhje ksi homeriadash të kullueme të panjohtun prej fjalorit të shkollavet, e me ndie aso pershkrimesh aq të bukura, e t’enduna në nji gjuhë aq të kthiellet, sa edhe hartistit mâ të merit i nepet me thane: na nuk dijmë ship, kjo âsht gjuha shqype.  (Pater Bernardin Palaj). Ai botoi edhe disa shkrime apologjike, polemika e poezi në revistat e kohës. Ndërsa egërsia e pafe ia mori jetën, siç shkruan At’ Volaj: Dërrasa, ku e kishin shtrî, ishte plot me gozhda të ndryshkuna. Atëherë katili zhguli nji gozhdë e, tue marrë një gur aty ngjet, e gozhdoi për dërrasë dorën e djathtë të Fratit, atë dorë që i kishte dhurue Kombit Kangët e Kreshnikëve.

At Donat Kurti, si një etnolog dhe qëmtues sistematik i trashëgimisë gojore, boton nën siglën e Shtypshkronjës Françskane jo vetëm ciklin e Përrallave kombëtare, por bëhet i pari kërkues e mbledhës sitematik i lojërave shqiptare, me botimin e “Lojët komtare”, së pari në faqet e “Hyllit të Dritës”, në vitet 1936-1939. At Donat Kurti sjell kështu një kontribut mjaft të rëndësishëm në kërkimet e mëvonshme antropologjike. Me kompetencë të veçantë ai përgatiti edhe përkthimin e gramatikës dhe të sintaksës latine të Sheindler-it. Klerikët katolikë jo vetëm krijuan, por si intelektualë të përgatitur i shërbyen historisë edhe me vepra e analiza kontributesh e zhvillimesh shoqërore e kulturore. E tillë është ajo e përgatitur nga At Donat Kurti Veprimi i elementit katolik për kah kultura,  i struktuar në dy pjesë : 1) Veprimi i katolikve sa komi qindroi në besimin e krishtenë  2) Veprimi i katolikve gjatë pesë shekujsh robnimit, errsijet e ligshtijet, ku renditen shkollat, konviktet, shtypshkrojat, shkrimtarët e librat, të perkohshmet e fletoret, shoqnit, vepra tjera kulture (mjeshtëri e zeje, kërkime arkeologjike), veprat filantropike, kontributi i misjonit françeskan etj. Dhe siç kujton prof. Kolec Topalli : Ironia e fatit deshi që ai të vdiste i harruar, i vetmuar e në heshtje të plotë, pikërisht në ditët kur në Tiranë mbahej një simpozium për ciklin e Kreshnikëve.

Nga vitet 1938-1939, Hylli i Dritës u drejtua nga Atë Gjon Shllaku, i cili shkroi një numër artikujsh mbi çështje të filozofisë dhe botoi dokumente të rëndësishme mbi historinë kombëtare. Duke analizuar ideologjinë marksiste në shkrimin e tij “Magna charta e shekullit t’sotshëm”, botuar në Hyllin e Dritës, 1941, ai shkruan duke iu referuar filozofisë materialiste si ligshtia  mâ e madhe e këtij sistemi, i cilli që në parim bâan nji vetvrasje tuj kên se përjashton çë do influence të vullndesës së lirë e t’idesë mbi materje. Âsht nji system absurd …

Dom Lazër Shantoja, i njohur për shkrimet publicistike, filozofike, psikologjike, poetike, pedagogjike, kritikat letrare, mbledhjen e folklorit, poezinë, prozën, përkthimet e përkryera të Gëtes e Hajnes. Në një prej komenteve të tij të Faustit, ai shkruan: “Vetem Poeti lufton për arsyet ideale t’ artit e përkundet në vegimet e dijtuna a të zakonta të vetmis, të frikës, të lavdurimit të larit …”. Po çfarë force, përtej njerëzores, veç besimit në Hyjin do ta bënte të përballonte malinjitetin e skajshëm që vërshoi mbi trupin e tij nga duar të pafè.

Shka i fali françeskani ndër kohët e mbrame Shqypnis? I fali Vehten, i fali jetën e vet…

I fali, i pasqyroi Shqypnis edhe vehten e sajë. I këndoi me Lahutë Kangët e Kreshnikëve, Besën e Burrnin, i ruejti Kanunin e Lek Dukagjinit. Prrallat e Lojët kombtare, Gojëdhanën e Skanderbegut. Pse e pat gjithmonë per zêmbër Visarin Kombëtar. Françiskant i falen Shqypnis Poetin e fisit, të rracës. Shka u ka detyrë Shqypnija Franciskanvet? Kurrgjâ. Pse Franciskant janë të Shqypnis. (Atë Gjon Shllaku)

Këtyre martirëve u ndodhi të jetonin në kohën e atij që në Ungjillin sipas Gjonit, Jezusi e përshkruan: Babai juaj është djalli e ju dëshironi të kryeni vullnetin e babait tuaj. Ai qe vrastar njerëzish që në fillim, nuk mundi të qëndrojë në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. (Gj. 8:44)

E ndaj, në ditë tilla, nuk mund të mos rikthehen në mendje fjalët e Pater Anton Harapit: “Shqipninë do ta shpëtojë Zoti, kurse na i kemi vu vetes një mision: të përpiqemi me t’gjitha fuqit  për t’a pakësue mjerimin dhe shëmtimin shqiptar. …. lypet t’a rindërtojmë ndërgjegjen tonë vetjake dhe kolektive.”.

Previous Martirët si kremtim i jetës
Next Dashuria që më shpëtoi nga pornografia*

Sugjerime