Promovohet ne Shkoder libri mbi martiret

Promovohet ne Shkoder libri mbi martiret

libri-i-martireveLORETA TOMA    /

Të mërkurën, më 26 tetor 2016, në orën 18.30, pranë Sallës “Kardinal Mikel Koliqi” të Famullisë së Shën Shtjefnit të Arqidioqezës Shkodër-Pult, në praninë e shumë autoriteteve kishtare e vendore, të rinjve dhe të moshuarve, u bë promovimi i librit: “Imzot Vinçenc Prennushi me Shokë Martirë” shkruar në italisht nga Atë Leonardo di Pinto O.F.M., përkthyer në shqip nga Angjelina Gjeka, Artur Lugu dhe Loreta Tomaj dhe botuar nën kujdesin e Arqipeshkvit Metropolit Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra O.F.M.

Në fjalën e tij të hapjes Imzot Angelo Massafra bëri një paraqitje të autorit të librit, duke vënë veçanërisht në pah dashurinë e tij për shqiptarët dhe ndihmën e paçmuar që ai ka dhënë për përgatitjen e dokumentacionit për kanonizimin e martirëve dhe pastaj, dhe si rrjedhojë, edhe për shkrimin e librit në fjalë.

Atë Mario Imperatori, Drejtor i Institutit të Filozofisë dhe të Teologjisë dhe Profesor i Dogmatikës dhe i Historisë së Kishës me ndërhyrjen e tij “Vështrim teologjik mbi jetën dhe veprën e martirëve” vuri në dukje se martirizimi është shenjë e misterit pashkor të Krishtit sot dhe i dashurisë së tij për ne.

Shumë prekëse qe ndërhyrja e historianes Prof. Dr. Nevila Nika, e cila me shumë kompetencë dhe ndjenjë bashkëndau me të pranishmit përvojën e saj shumëvjeçare në Arkivën e Shtetit Shqiptar në lidhje me mirëmbajtjen e dokumenteve të sekuestruara gjatë bastisjeve të panumërta bërë nga komunistët në kishat dhe kuvendet e shumta të Kishës në Shqipëri.

Prof. Dr. Nertila Ljarja Haxhia, historiane dhe pedagoge në Fakultetin e Historisë pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” bëri një paraqitje të shpejtë të fakteve historike që hedhin dritë mbi jetën dhe veprën e Martirëve, duke përmendur të gjitha etapat në të cilat kaloi regjimi komunist në lidhje me Kishën katolike në Shqipëri.

Krejt e veçantë qe dëshmia e bërë nga Dom Gjergj Simoni, bashkëkohës dhe bashkëvuajtës, i cili me fjalët e tij prekëse mallëngjeu gjithë të pranishmit.

Ndërhyrjet e relatorëve u shoqëruan me leximin e disa pjesëve nga të Lumët Atë Josif Papamihali, Atë Çiprijan Nikaj dhe Atë Gjon Shllaku bërë nga tre nxënës të Gjimnazit Privat “Atë Pjetër Meshkalla”.

Ditën e hënë, 31 tetor 2016, ora 11.30, ky libër do të promovohet pranë Universitetit katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Tiranë.

Previous Gruaja që u kujdes për ipeshkevin martir ka një emër
Next Faleminderit shenjtëri!*

Sugjerime