Faleminderit shenjtëri!*

Faleminderit shenjtëri!*

1-eugjen-merlikaEUGEN MERLIKA –

Me gëzim të madh mësova, pak ditë më parë, për emërimet e reja të kardinalëve nga Selia e Shenjtë. Ndërmjet atyre emrave ishte dhe Dom Ernest Simoni (Troshani), i fundit ende në jetë, mbas martirizimit të Kishës shqiptare prej regjimit komunist. Zgjedhja e atij shërbyesi të përvuajtur të Zotit, për ta futur në numrin e pakët të Princërve të Kishës, më ka prekur në thellësi të zemrës.

Shenjtëri, më lejoni t’U quaj vëlla. Si katolik, si shqiptar dhe si njeri që ka jetuar deri në moshën 47-vjeçare në kampet e përqendrimit e në burgjet e diktaturës komuniste, Ju falënderoj nga thellësia e zemrës sime për emërimin e Kardinalit të ri Troshani. Falënderimi im, besoj edhe i bashkatdhetarëve të mi, ish të përndjekur nga diktatura, nuk i drejtohet vetëm shprehjes së fundit të dashurisë për popullin tim, vlerësimit të Kalvarit vetjak të shumë viteve të Dom Ernestit, në mbrojtjen skajore të parimeve të krishtera, edhe me flijime të dhimbshme në vite të gjata.

Ai falënderim shtrihet në të gjitha vendimet e marra nga Selia e Shenjtë në dobi të katolikëve e të popullit shqiptar, në tri vitet e fundit. Bashkatdhetarët e mi nuk mund të harrojnë kurrë 21 shtatorin 2014, atë ditë të paharrueshme, në të cilën Ju erdhët në Shqipëri. Ishte udhëtimi i parë në Kontinentin e Vjetër, jashtë kufijve të Italisë. Ai udhëtim iu kushtua Vendit tonë, “tokës së fshikulluar nga përndjekjet”, siç e kishte përcaktuar një paraardhës i ndritur i juaji, shumë i dashuri Gjon Pali II. Ajo ditë qe ndriçuese për të gjithë shqiptarët, ata që jetojnë n’atdhe dhe ata që janë të shpërndarë nëpër botë. Qe veçanërisht e gëzuar për katolikët, të cilëve iu njohën përsëri mundimet, kalvaret, martirizimi në pothuaj gjysmëshekulli të diktaturës së pamëshirshme komuniste.

Ju faleminderit Shenjtërì për atë ditë të mrekullueshme, që na solli në kujtesën tonë një tjetër ditë të paharruar, 25 prillin e vitit 1993, kur Papa Woytila, në gjunjë puthi tokën tonë në aeroportin “Nënë Tereza”. Ishte vizita e parë e një Vikari të Krishtit në tokën shqiptare gjatë dy mijë viteve. Qe një vizitë në shenjën e nderimit për dhimbjet e vuajtjet tona, por edhe të ringjalljes sonë mbas Kalvarit, të shpresës e të rilindjes së Kishës së Krishtit, mbas gjysmë shekulli errësire e katakombash.

Vizita juaj, veç nderimit për martirizimin e Kishës katolike, të paraqitur mjeshtërisht, nëpërmjet portreteve të Martirëve, të varur në të dy anët e shëtitores së Kryeqytetit, qe edhe në shenjën e respektit e vlerësimit për harmoninë fetare të shqiptarëve. Shumë falënderime, Shenjtërì, për vënien në dukje para gjithë botës të kësaj pasurie të paçmuar të popullit tonë. Shumë njerëz, gjatë shekujve, e kanë interpretuar tolerancën dhe harmoninë tonë fetare si shprehje të pamjaftueshmërisë së besimit. Ndoshta ka një pjesë të vogël të së vërtetës historike n’ato gjykime, por un besoj se ato vlera janë një pasuri e madhe shpirtërore e popullit tonë.

Çfarë krenarie e përshkoi trupin tim kur dëgjova të pohonit, në fjalën Tuaj përpara qytetarëve të Tiranës:

Bashkëjetesa paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, është në fakt një dhuntì e paçmuar për paqen dhe zhvillimin e harmonishëm të një populli. Është një vlerë që duhet mbrojtur e forcuar çdo ditë, nëpërmjet edukimit me respektin e ndryshimeve dhe të identiteteve të veçanta, të hapura kundrejt bashkëbisedimit dhe bashkëpunimit për të mirën e të gjithëve, me ushtrimin e njohjes e të vlerësimit të njëri-tjetrit. Është një dhuntì për të cilën duhet t’i lutemi Zotit gjithmonë. Le të vazhdojë Shqipëria gjithmonë në këtë rrugë, duke u bërë për shumë Vende shembull frymëzues!

Mbas vizitës së Gjon Palit II në Shqipëri erdhi emërimi i Imzot Mikel Koliqit si Kardinal. Edhe Ai ishte një i shpëtuar i ndritur i përndjekjes që ra mbi fenë e krishterë nga regjimi ateist komunist. Ju na bëtë një tjetër dhuratë, emërimin e Dom Ernest Troshanit, Kardinalit të ri shqiptar, i pari në mijëvjeçarin e tretë, i dyti i kohëve të reja.

Mbas pak ditësh, në qytetin e lashtë të Shkodrës, në qendrën e hershme të krishterimit shqiptar, do të kryhet procesi i Lumturimit të 38 Martirëve të periudhës 1945 – 1974. Do të jetë ngjarja e tretë e madhe e kësaj vjeshte të lavdishme për kishën shqiptare e për të gjithë Kombin tonë. Mbas Shenjtërimit të Nënës Terezës së Kalkutës, bijës më të madhe të gjakut shqiptar e shembull i Shenjtëreshës botërore, mbas shpalljes si kardinal të Dom Ernest Troshanit, të të mbijetuarit të fundit të martirizimit, ja edhe lumturimi i Martirëve që janë ngjitur në Qiell, duke çuar në Mbretërinë e Zotit dëshminë e tyre të fuqisë së Fesë.

Faleminderit Shenjtërì, për ndihmesën Tuaj vendimtare në këto ngjarje historike, të bekuara e të jashtëzakonshme për popullin tonë. Do të keni gjithmonë mirënjohjen e gjithë shqiptarëve që besojnë në Hyjninë dhe lusin Zotin për paqen e dashurinë mes njerëzve, mbi këtë tokë dhe shëlbimin e shpirtrave në Mbretërinë e Perëndisë.

Përshëndetjet e urimet e mia më të përzemërta e më të ngrohta, për një jetë të gjatë në shërbim të Kishës së Krishtit e të Paqes në Botë.

*Marre nga Gazeta Mapo e dates 29.10.2016

Previous Promovohet ne Shkoder libri mbi martiret
Next Me gëzim dhe shpresë ia dorëzojmë këtë vepër krejt popullit shqiptar *

Sugjerime