Që kremtimi i martirëve të mos jetë një shfaqje

Që kremtimi i martirëve të mos jetë një shfaqje

Peregrinus_uneGJERGJ META   /

Shkodra dhe gjithë katolikët e Shqipërisë po përgatiten me shumë entuziazëm për kremtimin e Lumnimit të 38 martirëve tanë që “kaluan ngushticën e madhe dhe lanë rrobat e tyre duke i bërë të shkëlqyeshme me gjakun e Qengjit”, sikurse na thotë edhe libri i Zbulesës (Zb 7, 14).

Atë ditë e gjithë Shkodra do të jetë një Katedrale e madhe. Edhe një here, sikurse para 50 vjetësh, martirët tanë do të kalojnë në rrugët e saj, por jo tashmë me duar të lidhura, me fytyra të gjakosura, me rroba të shkyera, por me kurorën e shenjtërisë mbi krye. Atë ditë si atëherë do të jenë të gjithë, në rrugët e Shkodrës, por kësaj here jo për t’i qarë apo quajtur tradhëtarë, por për t’i nderuar. Do t’i nderojnë edhe ata që i kanë vrarë, apo bijtë e tyre, të sigurtë shpresoj nga ana e tyre, se martirët tanë i kanë falur. Ata kanë falur menjëherë edhe pa i kërkuar kush falje. Në aktin e vdekjes ata kanë falur ashtu sikurse Mësuesi i tyre mbi kryq (Lk 23,34). E aty do të jemi edhe ne pasardhësit e tyre, meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë që jemi fara e gjakut të tyre, të lindur ndër mundime. Aty do të jetë e gjithë Kisha katolike në Shqipëri dhe më gjërë.

Por sa herë mendoj këtë kremtim se ç’më kap një pezm dhe më ngushton aty ku takohen dy pjesët e kraharorit. Është një vuajtje që e mbart me vete e nuk di pse ndodh. Sa do të doja që dita e lumturimit të martirëve të mos ishte një ditë triumfi, por një ditë reflektimi. Ia kam frikën llogjikave triumfuese të ndërtuara mbi logjikat viktimiste. Llogjika e martirizimit është llogjika në të cilën vdekja pranohet si vetëdija e një kauze më të madhe se sa vetë jeta. Nuk është një vdekje e kërkuar me ngulm, por e lejuar të ndodhë dhe e pranuar për hir të lirisë. Është absurde ndoshta, por pikërisht vdekja, që për shumkënd është mohimi final i gjithçkaje, kthehet në një instrument lirie, e për ne të krishterët është rruga drejt jetës së re. Ky kremtim është një festë e besimit, pasi ata vdiqën in odium fidei dhe besimi ishte elementi që i shtyu ata të mos dorëzohen, pavarësisht se shumicës prej tyre iu bënë oferta të vazhdonin jetën në shërbim të regjimit. Ata nuk bënë kompromise me të fuqishmit e momentit, sikurse në fakt, në shumë vende të lindjes, bënë shumë kolegë të tyre duke krijuar kishat patriotike.

Ajo çka unë shoh si rrezik të madh në kremtime të këtij lloji është fakti se do të ndezim një zjarr i cili do të shuhet ditën pas. Kjo do të ndodhë nëse Kisha, pra të krishterët katolikë, nuk reflektojnë rreth faktit që martirizmi është gjëndja e saj e vazhdueshme. Edhe kur ky martirizim nuk vjen nga jashtë, ka një dyluftim të brendshëm për të krishterët që është ai me të keqen e cila shfaqet në forma të ndryshme në jetën individuale dhe atë komunitare.

Me martirët nuk mund dhe nuk duhet të bëjmë shfaqje. Ata nuk janë dekorim i dëshirës tonë për t’u dukur apo për t’u ndjerë më të fortë. Ata janë një burim frymëzimi për të jetuar një jetë autentike e cila kalon nëpër zjarrin e vështirësive të pranuara e të mbartura, të brishtësive të jetuara me vetëdijen se dikush tjetër është burimi i forcës. Do të thoja pa mëdyshje që martirët na shtyjnë drejt një stili jete më pak të dukshëm, më shumë në kontakt me njerëzit, e më të fshehur në sytë e botës. Nuk mund të jetë ky kremtim triumfi i katolikëvë të cilët tani kinse duhet të krenohen përballë pjesës tjetër të shqiptarëve për atë çka kanë prodhuar. Martirët janë të të gjithëve dhe janë aty si simboli i vuajtjeve të një populli. Sigurisht në prizmin e besimit të krishterë ata kanë edhe kuptime të tjera, por kurrsesi atë të logjikës triumfuese dhe krenuese.

Martirizimi ndodh edhe kur Kisha, duke shkuar në gjurmët e Mësuesit të saj, kthehet për botën në një shenjë kundërshtie me praninë e saj dhe me fjalën e saj. Këtu nis ai rrugëtim i Kishës drejt Kryqit të cilën ajo duhet ta bëjë gjithmonë. Është i vetmi rrugëtim i saj i mundshëm. Të krishterët nuk mund të kenë një rrugëtim tjetër. Është detyra jonë kjo. Çdolloj tjetër rrugëtimi na çon drejt kompromisit dhe humbjes së thelbit të arësyes pse Kisha ekziston, pse të krishterët quhen të tillë.

Martirët nuk kanë ndonjë meritë pse janë martirë. Këtë e thotë Ungjilli dhe e vetmja kontratë që të krishterët kanë është ajo me Ungjillin: “Kështu edhe ju kur të bëni gjithçka ju qe urdhëruar thoni: jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë çka kishim për detyrë të bënim” (Lk 17,7-10)

Previous Roli i Kishës, misionarëve dhe vullnetarëve në luftën kundër varfërisë dhe përjashtimit social
Next Përshkrimi i Logo-s së Martirëve në Shqipëri

Sugjerime