Zgjedhja për të varfërit në Shqipëri

Zgjedhja për të varfërit në Shqipëri

Imzot-George-FrendoGEORGE FRENDO O.P.   /

Në çdo shoqëri, të varfrit kanë qenë dhe ende janë ajo pjesë e njerëzimit që është më e pambrojtur, më e mënjanuar, dhe më e abuzuar. Një situatë e tillë është krejt në kundërshtim me atë dinjitet që gjendet brenda çdo njeriu. Tregimi mbi krijimin në Bibël na tregon se njeriu është krijuar në përngjasimin e Hyjit, e prandaj çdo njeri, pavarësisht nga gjendja e tij shoqërore, ka një dinjitet të pazëvendësueshëm, sepse mbart në vetvete imazhin e Hyjit. Për këtë arsye në Librin e Fjalëve të Urta lexojmë: “Kush e përbuz skamnorin poshtëron Krijuesin e tij” (17, 5); dhe: “Mos u dëfto i mujshëm me skamnorin sepse është i varfër, as mos e ndrydh të papasurin në pleqëri, sepse vetë Zoti ta marrë në dorë çështjen e tyre” (22, 22-23).

Prandaj Bibla tregon një interes të veçantë për të varfërit. Hyji i mbështet, dhe në Librat e Levitikut dhe të Ligjit të Përtërirë, në Besëlidhjen e Vjetër, lexojmë se Zoti, nëpërmjet Moisiut, i dha popullit shumë ligje rreth mirësjelljes ndaj të varfërve. Profetët i kanë mbrojtur të varfërit, dhe kanë parashikuar se Mesia do të ruajë të drejtat e tyre. Amos, mbrojtësi i madh i të varfërve dhe profeti i madh i drejtësisë shoqërore, me fjalë shumë të forta ka qortuar ata që i shfrytëzonin të varfërit.

Është e vërtetëse Jezusi tha: “Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e Qiellit”. Por duhet të dallojmë “varfërinë ungjillore” dhe “varfërinë shoqërore”. Varfëria ungjillore është një zgjedhje personale, si në rastin e Nënë Terezës, e cila zgjodhi varfërinë që t’i përngjajë Krishtit rrënjësisht dhe të jetë më e lirë për t’u shërbyer të varfërve.

Atëherë besoj se mund të vëreni se në fakt kjo varfëri ‘në shpirt’ dallohet nga varfëria si gjendje sociale. Krishti dhe Krishtërimi nuk e kanë miratuar varfërinë shoqërore. Në qoftë se Marx, do të kishte lexuar me më shumë kujdes Ungjillin, ose Letrën e Shën Jakobit, ose shkrimet e Etërve të shenjtë (si, për shembull, Shën Gjon Gojart), do të kishte bërë më shumë kujdes para se të kishte hedhur baltë mbi Krishtërimin dhe të kishte akuzuar besimin si opiumi i popullit.

Në shëmbëlltyrën e pasanikut dhe të Lazrit të varfër Jezusi ka dënuar sjelljen e pasanikut që mbeti indiferent përpara Lazrit të varfër. Jezusi na ka paralajmëruar se në gjyqin e fundit do të na shpërblejë apo ndëshkojë duke u bazuar në ndeshmerinë ndaj të uriturit, të eturit, të zhveshurit, etj. Shën Jakobi i qorton ata që u pasuruan duke abuzuar nga të varfrit dhe punëtorët. Dhe ishte Gjon Gojarti që tha: “Ushqe atë që po vdes urie, sepse nëse nuk e ushqen, e vret”.

Varfëria në shoqëri është shenjë se plani i Zotit nuk po zbatohet; shenjë e një krize, fruti i padrejtësisë, egoizmit, krenarisë. Prandaj asnjë person që merr ungjillin e Krishtit seriozisht mund të mbetet indiferent përpara gjendjes së të varfërve.

Caritas është paraqitur në Shqipëri pothuajse menjëherë pas rënies së komunizmit. Menjëherë është angazhuar në shumë mënyra për të ndihmuar popullin më në nevojë. Situata e Shqipërisë në fillimin e viteve 90 ka qënë e tmerrshme: një përqindje shumë e madhe e popullsisë jetonte në varfëri ekstreme, infrastruktura ishte shumë mbrapa (veçanërisht në fshatra: rrugët, spitalet, shkollat, etj).

Sot situata në vendin është përmirësuar shumë. Megjithatë, çdo përparim ka sjellur me vetë edhe disa pasoja të padëshiruara. Për shembull, më kujtohet kur një person erdhi këtu në Shqipëri menjëherë pas rënies së komunizmit, dhe më tha: “Në Shqipëri nuk mund t’i drejtohesh një të pasuri dhe t’i thuash: ‘Ndihmoje fqinjin tënd që është i varfër’, sepse nuk ka të pasur”. Sot, përkundrazi, shumë shqiptarë janë pasuruar shumë! Por çfarë ka ndodhur? Është rritur shumë hendeku mes të pasurve dhe të varfërve, dhe shumica e atyre që dymbëdhjetë vjet më parë ishin të varfër, sot janë bërë akoma më të varfër. Kostoja e jetesës ka vazhduar të rritet, ndërsa pagat nuk janë rritur në mënyrë të përpjesëtueshme. Gjithashtu, papunësia është akoma shumë e lartë.

Kur erdha në Shqipëri për herë të parë, për një vizitë të shkurtër, në vitin 1993, kam pyetur një profesor: “A ndjehet shumë këtu problemi i drogës?” M’u përgjigji: “Droga bëhet problem vetëm kur populli është i pasur dhe ka mundësi ta blejë atë. Pra këtu nuk është problem fare”. Por a mund ta themi këtë gjë edhe sot? Sigurisht që jo!

Qeveria demokratike në vitet ’90 kishte filluar tashmë procesin e privatizimit dhe qeveritë e mëvonshme kanë ndjekur të njëjtën politikë. Ky proces ka afruar më tepër Shqipërinë me Europën Perëndimore, por kjo ka krijuar probleme të reja, mbi të gjitha për më të varfërit. Për shembull, shumë mjekë dhe mësues kanë kaluar në sektorë privatë, duke lënë një boshllëk në sektorët publikë, i cili është sektori më pranë për të gjithë, përfshirë të varfërit.

Kur kam kaluar për herë të parë Krishtlindjet në Shqipëri, m’u kujtua sa shumë, në vendin tim, e qortonim popullin tonë mos të kremtojnë ato feste si viktimë konsumizmi, dhe mendoja se në Shqipëri as kishte nevojë të bëhej fjalë për konsumizem: konsumi i tepërt as që ekzistonte në Shqipëri. Por a mund të mendojmë ashtu sot? Sigurisht që jo! Si vendet e tjera ish-komuniste, e para gjë që ka mësuar nga Europa perëndimore ishte pikërisht konsumizmi. Amerikani Francis Fukuyama deklaroi që etika e konsumimit ishte pushteti i ri për zgjidhjen e konflikteve ideologjike. Tregjet ishin bërë më tërheqës sesa politikanët; televizori me ngjyra është treguar më i pushtetshëm se Manifesti komunist.

Kapitalizmi demokratik dhe individualizmi dalin mbi çdo ideologji. Dhe këtë e kemi parë të verifikohet edhe në Shqipëri. Pak a shumë të gjithë jemi bërë viktima të këtij mentaliteti, një mentalitet që mendon vetëm për të sotmen, sigurisht jo pse është ndriçuar nga fjala e Jezusit: “Mos u shqetësoni për të nesërmen, se çfarë do të hani…”, por sepse është tërhequr nga filozofia e Oracios: Carpe diem (Gëzoju të sotmes) dhe Quid sit futurum cras, fuge quaerere (Mos kërko çfarë do të bëhet me të nesërmen). Konsumizmi është si një ungjill i ri për njeriun e sotëm. Por njeriu duhet të ungjillëzohet me fjalën e Krishtit, që na kujton se, ndërsa jemi duke ngrënë mirë në një restorant apo në shtëpi, afër nesh është ai i varfëri që quhet Lazër, që dëshiron “të ngihej me dromcat që bien nga tryeza” jonë!

“Skamnorët i keni gjithmonë me ju”, na thotë Jezusi edhe sot. Dhe Kisha Katolike, veçanërisht por jo ekskluzivisht nëpërmjet Caritas duhet të dëgjojë britmën e të varfërve, britmën e atij të shkreti që quhet Lazër, i cili po kërkon pak dinjitet. Mund të jetë ai rom kundër të cilit ende ka shumë paragjykime, apo ajo grua që rrihet nga burri i saj, ose ai djalë i hedhur në mes të rrugës për të kërkuar pak lekë për të blerë një copë buke…. Kushdo që të jetë, fytyra e tij gjithmonë pasqyron fytyrën e Krishtit, i cili edhe sot thotë: “Isha uritur, e më keni dhënë të ha!”

 

Previous Kisha e Llapushnikut e ngritur mbi mal: rastësi apo providencë?
Next Roli i Kishës, misionarëve dhe vullnetarëve në luftën kundër varfërisë dhe përjashtimit social

Sugjerime