Roli i Kishës, misionarëve dhe vullnetarëve në luftën kundër varfërisë dhe përjashtimit social

Roli i Kishës, misionarëve dhe vullnetarëve në luftën kundër varfërisë dhe përjashtimit social

karitasiELIDON DODAJ   /

Me 14 tetor 2016, u zhvillua në ambjentet e Këshillit të Qarkut Durrës, konferenca rajonale me temën “Roli i Kishës, misionarëve dhe vullnetarëve në luftën kundër varfërisë dhe përjashtimit social”. Kjo konferencë u mundësua falë bashkëpunimit të Caritas Dioqezan Tiranë-Durrës, me Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës, Dekanatin e Durrësit si dhe Pushtetin Qendror dhe Lokal, Organizat e Shoqërisë Civile të Qarkur Durrës.

Takimi nisi rreth orës 10:15 me fjalën përshëndetëse të Dom Gjergj Meta, Dekan i Durrësit dhe Famullitarë i Konkatedrales së Shën Luçia. Ndër të tjera ai solli ndërmend të pranishëmve disa nga kauzat që Caritas-i mbështet gjithnjë dhe ndihmën që ai jep të varfërve dhe mbështetjen për t’iu qemdruar pranë përsonave që janë konsideruar si të përjashtuar social. Në panelin e parë të ftuar ishin Mons. George Frendo O.P. Administrator Dioqezan, Znj. Meme Xhaferraj, drejtore e Sherbimeve Social në Bashkinë Durrës, Prof. Ass. Dr. Genta Skura, pedagoge Universiteti i Tiranës.

Në fjalën e tij Mons. Frendo, i dha një shpjegim tematikës së ditës. Varfëria, shfrytëzimi i njerëzve – varfëria shpirtërore dhe ajo fizike reale janë dy dimensione që zakonisht janë jashtë mode në komunikimin e përditshëm. Kur varfëria shpirtërore e tejkalon atë fizike reale njerëzit nuk intereson aspak për ato që vërtetë kanë nevoje. “Në çdo shoqëri, të varfrit kanë qenë dhe ende janë ajo pjesë e njerëzimit që është më e pambrojtur, më e mënjanuar, dhe më e abuzuar. Një situatë e tillë është krejt në kundërshtim me atë dinjitet që gjendet brenda çdo njeriu”. Mons. Frendo vuri theksin se të gjithë presin nga Kisha, Caritas sikur këto të jenë institucione shtetore që prodhojnë buxhete – vertetë Caritas në kohë të caktuar ka kontribuar jashtëzakonisht në ndihmë të qytetarëve të Dioqezës sonë dhe mbarë Shqipërisë. Le të kujtojmë vitet ’90, situatën e jashtëzakonshme që u krijua gjatë Luftës në Kosovë, por edhe ndihmën e madhe që çdo ditë e më shumë Caritas mundohet të jap në morinë e madhe të problematikave aktuale dhe varfërisë që është realisht e madhe. Kisha Katolike, veçanërisht por jo ekskluzivisht nëpërmjet Caritas duhet të dëgjojë britmën e të varfërve, britmën e atij të shkreti…, i cili po kërkon pak dinjitet. Mund të jetë ai rom kundër të cilit ende ka shumë paragjykime, apo ajo grua që rrihet nga burri i saj, ose ai djalë i hedhur në mes të rrugës për të kërkuar pak lekë për të blerë një copë buke…. Kushdo që të jetë, fytyra e tij gjithmonë pasqyron fytyrën e Krishtit, i cili edhe sot thotë: “Isha uritur, e më keni dhënë të ha!”

Drejtoresha e Shërbimeve Sociale në Bashkinë Durrës i bëri një retrosprektivë dy dekave që kemi lënë pas në ulje ngritjet e saja si shoqëri. Ndryshimet politike, tranzicioni i tejet zgjatur, problematikat e hasura në këto vite nxjerrin në pah dhjetra probleme e nga kjo duhet të kemi parasysh – politikat e hartuara, Ligji i cili mbron njerëzit në nevojë, po ashtu edhe për një paketë ndihme ekonomike ku familjet në nevojë e sidomos ato në varfëri ekstreme që pas viteve ‘90 marrin si shërbim për të mbuluar gjërat më të nevojshme të një muaji. Pa lënë prapa edhe strukturat shtetërore që u vijnë në ndihmë të varfërve në strehim, arsimim, etj.

Ndërsa Prof. Genta Skura, si pedagoge por edhe si mbështetëse e kauzave qytetare thelbin e tematikës së saj e fokusoi tek Përjashtimi Social. Në dhjetëvjecarët e fundit – shtoj ajo, një koncept i ri po përpiqet të analizojë dhe të plotësojë konceptin e varfërisë, e cila shpesh matet kryesisht në tregues ekonomikë. Bëhet fjalë për përjashtimin social. Përjashtimi social pasqyron përparimin që është bërë në drejtim të përcaktimit të nevojave të individëve në shoqëri. Këto nevoja nuk janë vetëm të natyrës ekonomike, por edhe sociale, kulturore e politike (Castel, 2000).  Katër janë pikat më të rëndësishmë të këtij fenomeni: Rolit të familjes, rrjeteve miqësore dhe të komunitetit – sisteme që duhet të promovojnë dhe të mbështesin integrimin ndërpersonal; rolit të sistemit të përkujdesjes shoqërore, që duhet të nxisë dhe të promovojë mirëqenien dhe kohezionin social në shoqëri; rolit të tregut të punës si sigurues i të ardhurave; standardeve të përfshirjes sociale dhe politike, të cilat të promovojnë integrimin qytetar dhe civil të individëve në shoqëri. Duke e përfunduar me një nxitje që: Ndihma e komunitetit është tipar i shqiptarëve. Ta zhvillojmë më tej atë! Ta trashëgojmë te brezat e rinj!

Konferenca vijoj më pas me prezantimin e punëve aktuale që zhvillohen në Dekanatin e Durrësit. Ndër ta vlenë të përmenden punën jashtëzakonisht të madhe që motrat Benediktine zhvillojnë në arsimim, një tjetër nismë tejet e çmuar dhe plotë mëshirë ajo e Jozefinëve, Domenikanëve dhe kongrengatave të tjera në qytetin e Durrësit si Adhurueseve të Gjakut të Krishtit, Vinçesianeve, Motrave të Nënë Terezes me punën e palodhshme që zhvillojnë me të burgosurit në Durrës. Më pas u soll për të pranishmit një arritje tejet dashamirëse që Caritas Albania së bashku me Famullinë e Sukthit mbuluan krizën emergjente të përmbytjes në Janarin e shkuar nga z. Nikoll Priska, pensionist aktiv në jëtën Baritore të Kishës.

Ndërkohë u paraqit angazhimi që Caritas Dioqezan Tiranë-Durrës ka në Dioqezën tonë me misionin e tij, projektet afatgjata dhe ato pilote që po zhvillohen aktualisht kudo nëpër Dioqezë. Ndërsa nga Vullnetarët e Durrësit, u prezantua realiteti që është kthyer si një “buzëqeshje për të varfrit si një bëkim për shpirtrat”. Motra Maria si përgjegjëse e Projektit Aksion “Të gjithë së bashku mundemi” mbështetur nga Caritas Dioqezan Tiranë-Durrës me fonde të Bashkëpunimit Gjerman, Renovabis dhe Porticus zhvillojnë kurse për fëmijë në muzikë dhe vegla muzikore, pasqyroi ecurinë, arritjet dhe nxitjen që fëmijët e periferisë së Durrësit janë angazhuar të krijojnë një grup të vogël kulturor nga dhe ku marrin dijen për muzikën. Ky panel vijoi më tel me angazhimin e Caritas Albania në situatat e krizës së përmbyljes në disa zona të Durrësit, duke sjellur në kronologjike hapat e ndërmarrë deri në sistemimin e familjeve që u dëmtuan nga përmbytjet e shirrave të fillim vitit 2016. Nga sektori i Antitrafikit u vlerësua bashkëpunimi midis Caritas dhe Pushtetit  lokal në mbrojte të viktimave të trafikimit në Shqipëri. Ndërsa u paraqit edhe puna e qendres ditore në Arameras e cila mikpret persona me aftësi ndryshe çdo ditë duke i integruar në shoqeri me deshirën dhe pasionin që të jenë jashtë asaj çfarë quajmë përjashtim.

Paneli i fundit konsiderohet edhe si një panel mes miqsh. Që në organizim, Caritas Dioqezan Tiranë-Durrës kishte vënë theksin se pjesë e konferencës duhet të jetë patjetër entet publike dhe organizatat jo fitimprurëse. Ndaj ku më mirë se një nxitje për të njohur njëri – tjetrin dhe punëve që secili bën në fushat përkatëse e sidomos kur flitet për varfërinë dhe përjashtimin social, çështje që shoqëria civile i atakon çdo ditë. Në përfundim të gjithë këtij takimi – Dekani i Durrësit Dom Gjergj Meta, vuri theksin që secili duhet të nis nga vetja të veproj mbi këtë temë kaq madhore të shoqërisë së sotme. Ndonjëherë duhet  ngrihemi të shkojmë ti takojmë nga afër këto njerëz, grupe shoqërore. Vetëm ashtu do të njohim realitetin e brishtë. Gjeni kohë dhe uluni e rrini me ta e do të mësoni shumë prej tyre. Konferenca përfundoi me një moment bashkëndarje dhe njohje të mëtejshme të të pranishëmve.

Previous Zgjedhja për të varfërit në Shqipëri
Next Që kremtimi i martirëve të mos jetë një shfaqje

Sugjerime