Kisha e Llapushnikut e ngritur mbi mal:  rastësi apo providencë?

Kisha e Llapushnikut e ngritur mbi mal: rastësi apo providencë?

llapushnik-1ANTON UKA   /

Meqë ditëve të fundit në rrjetet e ndryshme të komunikimit shoqëror në Kosovë dhe më gjerë, po qarkullojnë zëra kritikë në lidhje me ndërtimin e kishës katolike në Llapushnik të Drenicës, vendosa t’iu qasem këtij argumenti, jo për të kritikuar apo sharë ata që mendojnë dhe veprojnë ndryshe nga ne, por thjeshtë për të dhënë një shpjegim teologjik në lidhje me kuptimin dhe domethënien e zgjedhjes së vendit apo malit ku u ndërtua kisha e Shën Abrahamit.

Ipeshkvi i Kosovës Mons. Dodë Gjergji, në predikimin e rastit të shugurimit të kishës, mes tjerash, foli edhe për domethënien teologjike dhe shpirtërore që mali ka pasur dhe vazhdon të ketë edhe sot në fetë monoteiste, por, kam përshtypjen se fjalët e ipeshkvit nuk kanë mbërritur në veshët e atyre, që pa arsye, vazhdojnë të bëjnë zhurmë.

Në kontekstin biblik, malet përveç se kanë një rëndësi të madhe gjeografike, ato po ashtu kanë edhe një rëndësi dhe kuptim të madh shpirtëror. Malet biblike janë përplot porosi dhe kanë në vete mësime të nevojshme për rritjen njerëzore, kulturore dhe shpirtërore të secilit njeri.

Meqë nuk është momenti të ndalem dhe të shpjegoj kuptimin dhe domethënien e të gjitha atyre maleve që përmend Shkrimi shenjtë – Bibla, dëshiroj të ndalem shkurtimisht te mali Horeb i njohur edhe si mali Sinai. Ky mal përndryshe quhet Mali i Zotit, sepse pikërisht në këtë vend ndodhi ngjarja ku shihej, dëgjohej dhe përjetohej prania e gjallë e Zotit. Në këtë mal Hyji ia dha Moisiut dhjetë urdhërimet e veta. Në këtë mal Izraeli bëhet komb i shenjtë dhe përmes një besëlidhjeje e pranon Hyjin si Mbret, pra si udhëheqës të vetin. Ky mal, në kuptimin shpirtëror, do të duhej të përshkohej nga secili besimtar që dëshironte ta takonte Zotin dhe ta shijonte bukurinë e Tij. Pikërisht për këtë arsye, psalmisti pyet: “Kush do të guxojë të banojë në malin tënd të shenjtë?” (Ps 15, 1).

Libri i Daljes dëshmon se në malin Sinai gjendet flaka e ndezur që nuk shuhet, simbol i pranisë së përhershme të Hyjit. Historia biblike e kaçubës së ndezur dëshmon kështu: “Tashti, Moisiu po i kulloste delet e vjehrrit të vet, Jetros, priftit të Madianit. Pasi i dha grigjës mballimin shkretëtirës, arriti në malin e Hyjit Horeb. Një engjëll i Zotit iu duk në flakën e zjarrit në midis të një kaçube. Kaçuba ishte e ndezur flakë, por nuk digjej. Moisiu mendoi: Po afrohem të shoh këtë dukuri të madhe: pse nuk digjet kaçuba? Kur Zoti e pa se po afrohet për të parë, Hyji e thirri prej kaçube dhe i tha: Moisi, o Moisi! Ai përgjigji: Urdhëro! Ai tha: Mos u afro këtu! Hiqi të mbathurat prej këmbëve të tua, sepse vendi në të cilin qëndron është tokë e shenjtë! Dhe shtoi: Unë jam Hyji i atit tënd Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit. Atëherë Moisiu e mbuloi fytyrën, sepse nuk kishte guxim të shikonte drejt Hyjit” (Dal 3, 1-6).

Duke iu referuar një studimi të biblistit me famë botërore, kardinalit Gianfranco Ravasi, do të kuptojmë se mali Sinai ka tri dimensione të një rëndësie të veçantë teologjike dhe shpirtërore, e që në këto dimensione e shoh edhe qëllimin e ndërtimit të kishës së bukur të Llapushnikut.

 

  1. Mali Sinai – vend i zbulimit të Hyjit (Teofania)

 

Në këtë dimension të parë mali Sinai na paraqitet si vendi i zbulimit të Hyjit të mistershëm. Në librin e Daljes kemi përshkrimin e këtij zbulimi nga ana e popullit: “Erdhi e treta ditë dhe zbardhi drita: u ndien bubullima, shpërthyen vetëtima, një re e dendur tesve e mbuloi malin. Boria jehoi thekshëm dhe u dridh populli që ishte në tëbanishtë. Atëherë Moisiu e bëri popullin të dalë nga tëbanishta në takim më Hyjin. Populli qëndroi në këmbë rrëzë malit. Krejt mali i Sinait s’ishte tjetër por tym, sepse Hyji kishte zbritur në zjarr mbi të e tymi i tij ngjitje porsi tym furre. I tërë mali tundej tmerrësisht. Zëri i bririt vinte gjithnjë e rritej: Moisiu fliste me Hyjin e Hyji i përgjigjej me bubullimë” (Dal 19, 16-19). Kardinal Ravasi duke komentuar këtë pjesë biblike thoshte: “Jemi përballë festimit të shkëlqyer, përballë tremendum (tmerrit) të Hyjit, ky është vendi në të cili Hyji na bënë ta zbulojmë krejt pafuqinë e njeriut dhe njëkohësisht ta zbulojmë fuqinë e Tij; kush ka qenë në malin Sinai do të ketë kuptuar edhe nga atmosfera e këtij mali: mal i vetmuar, i shkretë, i thatë, i përfshirë nga era e fuqishme, i terur nga rrezatimi i diellit, i ndryshueshëm edhe nga ngjyra e shkëlqimit të gurëve”.

Përshkrimi biblik duket se i ngjason shumë kodrinës së Llapushnikut: kodrinë e vetmuar, e shkretë, e thatë, e përfshirë nga stuhi të mëdha. Ndërtimi i Tempullit të shenjtë do ta shndërrojë këtë vend, do ta bëjë një vend të bukur ku mund të zbulohet dhe të takohet Hyji. Nga ky mal, ashtu sikurse nga mali Sinai, do të lartësohet tymi, simboli i lutjes, për të gjithë ata njerëz dhe ato familje që nga larg e shohin këtë kishë. E ata që e kanë besimin, guximin dhe dëshirën që t’i ngjiten këtij mali, do të takohen me një njeri, që në shembullin e Bariut të mirë, i lutet Zotit për të gjithë, i dëgjon gëzimet dhe vuajtjet e të gjithëve, i ndihmon, i ngushëllon, i qorton, i bekon, duke ua dëshmuar atyre dashurinë dhe mëshirën e pafund të Hyjit. Këtu gjendet kuptimi i nxitjes së madhe që kryparlamentari i Kosovës z. Kadri Veseli i bëri famullitarit të Llapushnikut: “Don Marjan mos thuaj se në Drenicë ke pak besimtarë. Jo, nuk ke pak! Krejt Drenica është e jotja”. I lumtë Kryetarit të Parlamentit, jo vetëm se ka folur mirë, por, për faktin se është dëshmuar si një teolog i urtë; e ka kuptuar, më mirë se disa të krishterë tjerë që pretendojnë të jenë njohës të mirë të fesë, misionin universal të Kishës; e ka kuptuar se Kisha nuk bën dallime, përjashtime. Ajo ka lindur dhe jeton për të gjithë; është në shërbim të të gjithëve, pa dallim feje, race apo kombësie. Periferia është vendi i privilegjuar i misionit të sajë.

 

  1. Mali Sinai – vend i teologjisë ( i fjalës së Hyjit)

 

Mali Sinai është vendi i Fjalës së Hyjit. Mbi këtë mal dëgjohet fjala e Tij, zëri i Tij. Mbi këtë mal njerëzimit iu dhanë dhjetë fjalët themelore të Zotit, që kanë për qëllim të ndihmojnë marrëdhënien e tij me Hyjin dhe me të tjerët.

Prandaj, në këtë mal njeriu e dëgjon zërin e Hyjit, pa e fshehur fytyrën e Tij. Kështu që besimtari është i ftuar, që duke u ngjitur në malin e Tij të shenjtë, të bëjë përvojën e heshtjes që në realitet është përvojë e dëgjimit të Fjalës së Tij, pra, përvojë teologjike.

Edhe në malin dhe në kishën e Llapsuhnikut, ashtu siç ndodh në çdo kishë tjetër, do të shpallët Fjala e Zotit; ajo Fjalë që e liron, e ngushëllon dhe e mbush me gëzim zemrën e njeriut; ajo Fjalë që nuk ka interes tjetër, përveç lumturisë së njeriut. Nga aty, të gjithë atyre që do ta frekuentojnë këtë kishë, Hyji përmes të shuguruarve të vet, do t’ua përforcojë besimin, respektimin, nderimin, besën dhe falënderimin.

 

  1. Mali Sinai – vendi i diafanisë (i kalimit të Hyjit)

 

Kjo fjalë edhe pse nuk është e pranishme në Bibël, kardinal Ravasi e huazon nga  Pierre Teilhard de Chardin, pikërisht për të folur për dëftimin e Hyjit që reflektohet në ne. Diafania domethënë: kalimi i Hyjit përmes nesh, përmes tokës, përmes malit. Pikërisht për këtë arsye – shton Kardinali – mali Sinai bëhet vend i takimit intim me Hyjin, vend në të cili Hyji i përshtatet njeriut, duke hyrë në mënyrë të mistershme ne jetën e tij, me butësi dhe me dashuri.

Hapësira ku u ndërtua kisha e Llapushnikut, falë urtisë, bujarisë dhe burrërisë të burrave të Drenicës, është dhe do të bëhet gjithnjë e më tepër vend nga i cili do të kalojnë bekimet e shumta të Zotit në familjet e tërë asaj zone.

Kisha Katolike ndër shqiptarë, ashtu siç ka bërë në historinë e saj dymijë vjeçare, edhe përmes këtij Tempulli do të vazhdojë të promovojë vlerat kombëtare dhe fetare, do të investojë gjithçka, që shkresa Për Atme e Fe, e vendosur në kumbonaren e kishës së Llapushnikut, të bëhet sinonim i bashkimit, i vëllazërisë dhe i dashurisë mes njerëzve.

 

Mali i Jetës

 

Pasi që kemi parë rëndësinë dhe domethënien teologjike dhe shpirtërore të Malit në Besëlidhjen e Vjetër; tani dëshiroj të ndalem edhe te simbolika e Malit në Besëlidhjen e Re.

Malet, kodrinat, vendet e vetmuara dhe shkretëtirat e karakterizojnë jetën dhe misionin e Jezu Krishtit. Njëri ndër to është mali i ashtuquajtur i Lumturive, pra, vendi ku Jezusi i shpalli Lumturitë (krh. Mt 5, 1-12).

Teofania, teologjia dhe diafania e Besëlidhjes së Vjetër e gjen plotësimin dhe realizimin e vet në personin e Jezu Krishti. Jezusi, në një farë mënyre, bëhet Moisiu i ri, që përmbledh dhe mishëron tërë mësimin e Dhiatës së Vjetër. Jo rastësisht kardinali Ravasi thoshte: “Ne e dimë se Jezusi u referohet teksteve të Sinait, duke i radikalizuar ato, duke dëshmuar afërsinë absolute të Hyjit që, përmes Lumturive dhe fjalimit në mal, paraqitet si Zoti i dashurisë, i plotësimit dhe i intimitetit absolut me njeriun”.

Krejt në fund e konsideroj të arsyeshme t’iu referohem edhe malit të Golgotës apo Kalvarit, që për ne të krishterët e ka një domethënie të veçantë, për faktin se aty është kryqëzuar dhe ka vdekur Jezu Krishti. Por, duhet theksuar se Golgota nuk është mali i vdekjes, por, është mali i jetës; është mali i mbarë njerëzimit, i tragjedisë së një Hyji, që merr për sipër përgjegjësinë ta pijë kalkun e mundimit, kalkun e vuajtjes, kalkun e vetmisë, kalkun e trishtimit, kalkun e heshtjes së Hyjit; por, që sipas Ungjillit të Shën Gjonit, pikërisht ky mal bëhet mali i Ringjalljes, i lartësimit, i lavdërimit, i shpresës. Kështu që Kalvari është, njëkohësisht, vend i vuajtjes dhe i vdekjes, por edhe vend i lavdisë dhe i pavdekësisë (krh. Gjn 19, 1-35).

Kështu edhe kodrina e Drenicës legjendare, falë gjakut të derdhur të martirëve të çlirimit të Kosovë dhe falë kishës, që i dha bukurinë e merituar, nga vendi i vuajtjes, i përndjekjes dhe i martirizimit që ishte, u bë dhe do të mbetet përgjithmonë vendi i lirisë, i fesë, i shpresës dhe i dashurisë. Në këtë vend do të ngritët Kelku i jetës, si dëshmi e gjallë e atyre që e dhanë jetën, që ne të jetojmë dhe ta gëzojmë lirinë. Prandaj, përmes ndërtimit të këtij tempulli, Kisha Katolike në Kosovë nuk dëshiron të sfidoj askënd, e aq më pak të bëjë politik ditore dhe prozelitizëm, siç disa mendojnë, por, me ndërtimin e tij ka pranuar sfidën dhe përgjegjësinë e madhe, para popullit dhe para Zotit, që të jetë në shërbim të njeriut dhe të nevojave të tija materiale, kulturore dhe shpirtërore.

Previous Jeta e kushtuar në vendet e lindjes si ideal bukurie dhe lirie*
Next Zgjedhja për të varfërit në Shqipëri

Sugjerime