Dekanati Durres – Rruzarja e martirëve

Dekanati Durres – Rruzarja e martirëve

dekanati-durresNURION SULA    /

Dhe ja, ora 16.00 e datës 12.Tetor.2016, u mblodhëm të gjithë në kishëzën kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë në Porto Romano (Kodër), kishëz filial i Famullisë të Shën Domenikut në Durrës, për të kremtuar meshën e shenjtë dhe më pas rruzaren e medituar.

Vëllezërit e Urdhërit Domenikan, ose siç njihen ndërkombëtarisht Urdhëri i Vëllezërve Predikues, bijtë e Shën Domenikut nga Guzmani, kishin përgatur me shumë kujdes meditimin e rruzares së shenjtë, nën fokusin e përkujtimit të pesë martirëve shqiptarë, të cilët dhanë jetën e tyre për fe dhe për atdhe, duke qëndruar si kështjella të pamposhtura ndaj çdo stuhie dhe tufani, të mizorisë ateiste që atdheu ynë ka përjetuar për pesëdhejtëvjet me rradhë.

Është një nismë kjo, që dy Famullitë e qytetit të Durrësit, (“Sh. Luçia” dhe “Sh. Dominiku”) kanë marrë përsipër çdo të mërkurë, si një parapërgatitje për lumturimin e martirëvë shqipëtarë në 5 nëntor 2016, ne qytetin e Shkodrës. Duke qenë se muaji tetor, është një muaj i kushtuar Zojës së Rruzares, është menduar që të përdoret kjo lutje e lashtë dhe domethënëse për besimtarët katolikë për të njohur më shumë pesë nga tridhjetë e tetë martirët, vecanërisht: Imzot Vinçenc Prennushi, Imzot Fran Gjini, Imzot Jul Bonati, Dom Anton Zogaj e Dom Zef Marksen. Këta klerikë, kanë një lidhje të veçantë me qytetin bregdetar të Durrësit, pasi kanë shërbyer në këtë qytet dhe në fshatra periferike të tij si dhe kanë larë tokën tonë më gjakun e tyre pikërisht në këtë vënd. Kujtojmë se në burgun e Porto Romanos kaluan ditët e fundit të jetës së tyre të paktën tre nga këta “bëma kreshnike”. Gjithçka filloi me kremtimin e meshës së shenjtë e udhëhequr nga Atë Xhefri Bugeja O.P, dhe me bashkëkremtues Atë Constantine Mamo O.P. dhe Atë Giovanni Salustri (rregulltar i Urdhrit të Shën Jozefit).

Në predikimin e tij Atë Xhefri, theksoi faktin, e shembullit që të gjithë ne duhet të marrim nga martirët që dhanë jetën e tyre, për fenë, për Hyjin, për Krishtin mbret, për të mos harruar kurrë, dëshminë jetësorë që klerikët shqiptarë dhanë për besnikërinë ndaj fesë së tyre, dhe që të gjithë ne duhet të ecim mbi gjurmët e tyre.

Pas celebrimit të meshës së shenjtë, në qendër u vendos një fotografi e zmadhuar e disa prej martirëve klerikë shqipëtarë. Emocionet ishin të papërshkrueshme, kur gjatë meditimit të rruzares së shenjtë, nën koordinimin e Atë Bernard Caruana O.P (Famulltar i Famullisë se Shën Domenikut – Durrës), lexoheshin fragmente nga jeta dhe veprimtaria e disa prej martirëve. Më pas dëgjuam për shumëllojshmërinë e turturave, jo vetëm fizike por edhe psikologjike që ata kishin përjetuar nga makineria e dhunës ateiste enveriste diktatoriale, për faktin e vetëm të besnikërisë së tyre ndaj Hyjit dhe të qënurit katolik. Ishin momente të mbushura me lutje, përshpirtëri dhe kujtesë ndaj vuajtjeve të disa burrave që dhanë jetën për fe dhe për atdhe.

Previous Predikimi per Kishen e re ne Llapushnik (Ks)
Next Jeta e kushtuar në vendet e lindjes si ideal bukurie dhe lirie*

Sugjerime