Predikimi per Kishen e re ne Llapushnik (Ks)

Predikimi per Kishen e re ne Llapushnik (Ks)

llapushnikImzot DOD GJERGJI   /

I dashuri  don Marjan, Prifiti i Lapushnikut,

Shumë i nderuar  z. Demaku, Kryetar i Komunës së Drenasit

I nderuar kryetar i Parlamentit, z. Kadri Veseli,

Autoritete tjera,  Komunale, shtetërore, diplomatike dhe ndërkombëtare

Bamirës të nderuar ,

Zonja dhe Zotëri,

Vëllezër e Motra,

Ju përshëndesë dhe ju marrë ngryk të gjithëve, në këtë vend të mrekullueshëm, mbi Llapushnik, në këtë kishë kaq të bukur dhe në këtë atmosferë plotë gëzim të kësaj feste.

Papa Françesku e pati shpallë këtë vit “ Vitin e Mëshirës Hyjnore” ,  dhe i ka ftua të gjithë njerëzit që të reflektojnë në mendjet dhe zemrat e tyre, që të gjejnë guximin, për të bërë kthesën e duhur  drejt së vërtetës dhe  mëshirës së Zotit, i cili na do e na fal. Papa Benedikti na ftonte që duke lartësuar sytë nga  kah Zoti, mos të harrojmë që këmbët  i kemi në tokë dhe mund ta shkelim njëri-tjetrin. Te dytë, pra, na ftojnë që të përqafojmë  Zotin, i cili na falë mëkatet dhe i bënë të dukshëm virtytet, na e përterin shpirtin dhe na rimbushë të gjithëve me gëzim, shpresë e dashuri.

Kohët e fundit, Zoti e ka shpërblye popullin tonë me shumë të mira dhe begati! Në këtë vit të Mëshirës së Zotit, Kisha universale,  duke ia njoh meritat popullit tonë të nëpërkëmbur dhe të vuajtur,  ka vlerësua dashurinë, sakrificën dhe shembullin e mirë, që bijtë dhe bijat e këtij populli i kanë dhënë botës.

Me shenjtërimin e Nënë Terezës, në shtator të këtij viti, dhe me Lumturimin e 38-të Martirëve në Shqipëri, më 5 nëntor, Kisha universale e ka ngritë popullin Shqiptar në piedestalin e popujve të nderuar, sidomos duke u propozuar shembullin e një Bije të këtij populli, Nënë Terezën, si shembullin më të mirë të bujarisë dhe dashurisë për njeri – tjetrin.

Mu në këtë vit të Mëshirës Hyjnore, ne po e shugurojmë këtë Kishë, që do t’i a kushtojmë Shën Abrahamit, me shugurimin e  altarit të saj, ku do të kushtohet Mesha e Shenjtë, që është vazhdimësi e sakrificës së Krishtit Shpëtimtar, vepër e mëshirës së Zotit, për faljen e mëkateve tona,  gjesti më i përkryer i dashurisë së Tij ndaj nesh.

Dua të falënderoj të  pagëzuarit e Lapushnikut dhe Meshtarin e kësaj Kishe, Don Marjan Uka,  për punën e madhe që ka bërë bashkë me Dan Limën dhe me gjithë ndërmarrjet e ndërtimit. Mbi të gjitha dua të falënderoj Kryetarin e Komunës së Drenasit, stafin e tij dhe të gjitha institucionet e Kosovës, për bashkëpunim e mbështetje.

Ata, të pagëzuarit, na propozuan këtë vend për të ndërtuar Kishën e tyre.  Ne e pranuam këtë propozim me dëshirë, pasi  kodra ose bregu kanë domethënie të veçantë në historinë e fesë e të kombit:

  • Mbi një kodër ngjitej Abrahami për të sakrifikuar  Izakun;
  • në një kodër ngjitej altari i sakrificës së profetit Elia;
  • në hijen e një kaçube në malin Sinai, ndizej flakë dashuria e Zotit për popullin e vet;
  • në Malin e Lumturive shpallej Kushtetuta e Krishtit;
  • në malin Tabor takohej Krishti me Moisiun dhe Elinë;
  • në malin e Kalvarit lartësohej Krishti në Kryq;
  • pas Ringjalljes në një kodër të Galilesë Krishte ngjitej në qiell;
  • mbi kodrat e maleve tona ngriheshin dikur Kalatë e vjetra;
  • Nga shkrepat e maleve hidhej Mbretëresha ilire Teuta, dhe shumë vajza, të cilat vetëm në atë mënyrë mund ta ruanin nderin e tyre; po edhe  Kanuni i Lekës, që e merr në mbrojtje Kishën e priftin,  është ruajtur në male tona.

Sigurisht që ka edhe shumë arsye tjera, por është e vërtetë edhe se nga kjo kodër,  kjo kishë, mund të shihen më së miri:  rrënojat e shumë kishave të lashta nëpër Drenicë; nga këtu shihet mirë ara e kishës, livadhi i priftit, kroi fratit  e shumë trashëgimi tjera të së kaluarës tonë të përbashkët shpirtërore. Kjo është kishë e të pagëzuarve, por edhe  kushdo që e gritë kokën  drejtë kësaj kodre, duhet të ndihet mirë, sepse do të sheh dhe do ta njoh: shtëpinë shpirtërore të  parëve të vet.

Motra dhe vëllezër, të dashur miq!

Festa e sotme e shugurimit të kësaj kishe ku, ne shqiptarët,  të krishterë dhe myslimanë, festojnë së bashku,  është dëshmi e gjallë e prekshme dhe shpresëdhënëse për të gjithë, sepse ne jemi të lirë dhe dimë të jetojmë në lirinë e shpirtit nën studimin e dashurisë. Kjo pasuri e dashurisë ndër-vëllazërore, nuk është një gjë e re,  por një trashëgimi shumë shekullore që na i lanë amanet të parët tanë.  Ata kishin kuptua, që moti, se fe ka shumë, por Zot është një, që na do, na falë, na ruan e na mbron. Këndej, kur në të kaluarën, shumica e shqiptarëve u konvertuan në islam, nuk e prishën dashurinë për njëri tjetrin, por vazhdonin të jetonin së bashku në dashuri në harmoni. Shumë kohë, bile disa e mbajnë mend edhe sot, kur njëri vëlla që mbetej katolik e tjetri i konvertuam në islam, jetonin në një shtëpi dhe kujdesoheshin bashkë për t’i përballë vështirësitë e jetës.

Të huajve iu duket ndoshta  kjo gjë absurde, por për ne është krejt normale,  që një familje katolike të quhet Hasani, kurse një familje myslimane të quhet Kelmendi,  që të kemi një prift  që quhet  Shabani, e një hoxhë që quhet Krasniqi.

Bashkimi ynë në vëllazëri dhe mos-përçarja në fe ka qenë barka e shpëtimit tonë në dallgët e së kaluarës. Këndej mund të themi se përballimi i së kaluarës në vëllazëri, si dhe  përpjekjet e përbashkëta për të ardhmen me dashuri, kanë mundësuar që bashkë të fitojmë e ta gëzojmë paqen dhe lirinë.

Mirëpo është shumë e rëndësishme  që ta jetojmë të lirë – lirinë, duke begatuar atë me dashuri!

Paqja dhe liria, pa dashuri,  janë shterpe! Këndej, për t’i shijua frytet e lirisë dhe paqes me dashuri, lypet  që paqja dhe dashuria të zënë vend në çdo pore të jetës sonë, në mendje dhe në zemër të secilit, në familje dhe në shoqëri,në qytete dhe fshatra, në kisha e në xhamia.  Kjo duhet të jetë deri në atë masë, sa që të respektohet liria shpirtërore e individit, që të jetë i lirë të besojë atë që dëshiron. Jo vetëm kaq, por edhe t’i mundësohet secilit, të kumtojë atë besim që e frymëzon,e bën të lumtur, e ngushëllon, e ndihmon për t’i përballuar vështirësitë e tokës dhe i jep shpresë për amshim.

Me pak fjalë, Zoti na ka krijuar të lirë në shpirt, duke na krijuar të lirë nuk do të na nënshtrojë  e sundojë, por si babë i mirë dhe i dhembshëm na bekon, na ruan, na prinë dhe na udhëheqë, na falë e na shpëton.  Feja është liria e shpirtit,  këndej askush s’ka të drejtë t’ia okupojë shpirtin ose t’ia cungojë këtë liri tjetrit.

E,  çka do të thotë kjo formë e ushtrimit të lirisë dhe kjo mënyrë  e të jetuarit në paqe me dashuri?

Kjo do të thotë që kur, në Ferizaj bëhet mysliman ditën e Bajramit Kolë Kasapi, të mos zemërohet prifti,  po edhe kur Ismeti i kthehet fesë së të parëve e pagëzohet ditën e Pashkëve në këtë kishë ose në Katedrale, s’ka pse të hidhërohet hoxha.

Si njëri si tjetri, duhet ta respektojnë lirinë e personit. Jo veç kaq, por kjo mënyrë e të jetuarit të lirë dhe të pajtuar,  duhet të zbres edhe në familjet tona, që burri mos të pengojë gruan e as gruaja burrin, as prindi fëmijën,  as fëmija prindin,  në mënyrë që çdo individ të jetë i lirë të shpalosë bukurinë e shpirtit vet dhe të jetë i lirë të për ta  jetuar fenë që ka zgjedhur, pa e cenuar harmoninë brenda familjes,  dhe pa e prishë dashurinë nder-vëllazërore. Nuk duhet lejuar që familja të bëhet “mejdan i përplasjeve”, por tryezë që bashkon të gjithë anëtarët. Aty ku secili i shtron virtytet dhe pasuritë e shpirtit të vet, dhe të gjithë shijojnë begatinë e sofrës së përbashkët.

Vëllezër e motra!  Nëse, të parët tanë kanë pas guximin të jetojnë këtë liri deri në atë masë që, një vëlla katolik e një tjetër mysliman të jetojnë në një shtëpi, gjatë okupimit,  pse të kem frikë në liri,  për të respektuar dhe tolerua të njëjtën gjë. Pse duhet të përpiqemi t’ia  okupojmë shpirtin njëri – tjetrit dhe të mos e lejojmë që të besojë ose të jetojë, sipas ndërgjegjes dhe lirisë së shpirtit vet.

Sot, ne jemi dëshmitarë se një gjë e tillë është e mundur, sepse në Llapushnik, një mysliman e një i krishterë jetojnë bashkë në paqe.  Brenda të njëjtës familje, brenda një gjaku e brenda një fisi, disa i janë kthye fesë së të parëve, që do të thotë se janë katolikë, e disa  janë myslimanë,  sepse duan të vazhdojnë të mbajnë përcaktimin e baballarëve.

Kjo mënyrë e të jetuarit në paqe dhe dashuri mes vete në familje dhe me njëri-tjetrin në shoqëri,  na mundëson që, t’i japim kuptim lirisë, gëzim shpresës dhe kuptim të ardhmes

ku, identiteti familjar, kombëtar dhe kulturor na bashkon, NDËRSA  ai shpirtëror e fetar NUK NA përçan.

Ne, Kisha e gjallë e Krishtit të Ringjallur, e kemi ndërtuar këtë kishë guri, këtu në Llapushnik, për t’iu mundësuar të pagëzuarve ta jetojnë fenë, të forcohen me sakramente dhe të ushtrojnë dashurinë ndaj njëri – tjetrit dhe ndaj kombit. Dua që të gjithë të kuptojnë  që Kisha nuk dëshiron të konverton askënd,  dhe nuk është në kërkim të djalit plan-prishës. Por ajo do të gëzojë të drejtën e kumtimit të Lajmit të Mirë të gjithë njerëzve, të hapë thesarin historik që ka ruajtur gjatë dymijë viteve dhe, si nënë e dëbuar, të guxojë t’iu afrohet të bijve të vet, për t’i parë dhe për t’u çmallur me ta, t’iu flasë atyre për të kaluarën dhe t’ua dëftojë atë që zemra e saj ndien për ta.

Mbi të gjitha, të shtrijë bekimin e vet mbi gjithë Drenicën, të lutet për të gjallët dhe të vdekurit, sidomos për dëshmorët e dikurshëm dhe të tashëm. Kisha e di se sakrifica, martirizimi dhe qëndresa, burrëria dhe besa, janë virtyte.  Këndej, përkulet përpara sakrificës,  burrërisë e besës së shumë gjeneratave të kësaj ane. Sidomos atyre që kanë sakrifikuar për këtë liri që po e jetojmë sot. Ka disa që mendojmë se duke u ngritur mbi varret e dëshmorëve mund të shihen më larg, por ne mendojmë se para varreve të dëshmorëve duhet të bimë në gjunjë dhe të lutemi për shpirtin e tyre, me ndjenjën e falënderimit dhe respektin për sakrificën e tyre. Ne duam të bimë në gjunjë para tyre dhe të lutemi.  Simboli i sakrificës së Jasharëve, kur në vend të shtëpive të reja rreth Kullesë së vjetër, ka varre, nuk duhet harruar kurrë.

Askush, më mirë se burra dhe gra të Drenicës, s’ kanë arrit të kuptojnë artin e të jetuarit i pa nënshtruar nën okupim. Shumë gjenerata kanë ecur nëpër zjarr e hi, mirëpo,  gjithnjë  kanë shkëlqyer në histori. Është e vërtetë që këtu nuk është shkruar asnjëherë  historia, por është e sigurt që këtu gjithmonë është bërë histori.

Motra dhe vëllezër,

Hyji, Ati i mëshirshëm me ndërmjetësinë e Shën Abrahamit,  Atit tonë të përbashkët në fe, i katolikëve dhe i myslimanëve, e bekoftë popullin tonë, familjet tona, fqinjët tanë dhe gjithë njerëzit që jetojnë në këtë vend dhe ju dhashtë paqen të gjithëve!

llapushnik-1 llapushnik-2

Previous Eminenca Juej Dom Ernest!
Next Dekanati Durres - Rruzarja e martirëve

Sugjerime