Eminenca Juej Dom Ernest!

Eminenca Juej Dom Ernest!

dom-ernesti-1GJERGJ META    /

Eh mor dom Ernest! E kush e priti? Kur te telefonova sot me te thane se si ndjehesh, thjesht me the: “Nuk jam i denje. Asht merite e Zojes së bekume”. Nuk e pritem askush prej nesh e megjithate sot u shpall, e shpalli vetë Papa, se do te krijohesh Kardinal prej tij te Djelën e Krishtit Mbret i Gjithesise. Te djelen e atij Krishti qe ti e shoket e tu e shpallet Mbret, e besuat Mbret dhe i sherbyet si Mbretit. Deri në dekikën e fundit duke thanë: rrnoftë Krishti Mbret!

E mandej më the perseri: “Nuk e kam prite. Isha me Papen ne Assizi. U ula prane tij. Biseduam per gjana shpirtnore, por nuk me tha gja!” A thu se e kishe shok Papën. Por njerëzit si ti tashmë janë miqtë e të gjithëve. “Papa e ka ba per popullin tone – më the – per vuajtjet e tij. Une nuk jam i denje”.

E megjithate do te therrasim te gjithe Eminenca Juej! Është një titull, një emërtim që tregon se ju tashmë jeni më në pah se të gjithë ne, më eminent, por jo se ti ke bere diçka për të arritur këtu. Jo se ti pate ambicjen për t’u bërë kardinal. Jo jo! Ti nuk e pate këtë ambicie, sepse njerëzit e mëdhenj nuk kanë ambicie. Ose më mirë kanë vetëm një ambicie, atë që më the në telefon: “Të duam Zotin e njeni-tjetrin sa ma shumë”.

Sot i dashtun Dom Ernest, ashtu sikurse 2 vjet më parë, shkruan të gjitha mediat botërore për ty. Shkruan për faktin se ti ke vuajtur nën komunizëm, por ke vuajtur edhe pas komunizmit, herë nga moskuptimi e herë nga gjymtimet e pleqërisë. Më kujtohet herën e fundit kur jemi parë në spitalin ushtarak, ku ishe shtruar për shkak të një hematome në krye. Kishte pak njerëz aty në fakt. Më kërkove që të të rruaja fytyrën, sepse nuk ishe mësuar të rrije i parruar. Aty m’u kujtua gjyshi im kur unë si fëmijë e rruaja. Dhe me atë rast bëmë një foto për të treguar se sa i bukur dukesh. Tani me atë ngjyrën e kuqe të kardinalit nuk e di se si do të ngjash, por sigurisht do të dukesh i bukur, sepse ti je një dhuratë për Kishën tonë, një dhuratë që Zoti na ka bërë nëpërmjet teje, neve dhe shumë njerëzve që ti ke njohur e ke takuar. Dhe dhuratat e Zotit janë të bukura Eminencë, sikurse ti.

Një kardinal ka ngjyrën e kuqe, sepse dëshmon martirizimin dhe faktin që është i gatshëm të japë jetën për Krishtin. Por ti ketë gjë tashmë e ke bërë gjatë gjithë jetës tënde, madje me jetën tënde.

Eh dom Ernest! Ndërsa Papa të shpallte si kardinal të ardhshëm mua m’u kutjua ajo kënga e mrekullueshme ungjillore e cila thotë: “I rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvuajturit”. Sot, ndërsa Papa thonte emrin tend, mua më kujtoheshin me rradhë: Mons Prennushi, Mons. Frano Gjini, Dom Shtjefën Kurti, Marie Tuci … e kështu me rradhë të gjithë, të 38 martirët që me datë 5 do të shpallen të lumë në Shkodrën martire, në Shkodrën tënde që të meritoi ty, Dom Simon Jubanin, dom Frano Illinë, patër Zef Pllumin e të tjerë plot që i mbijetuat komunizmit. I mbijetuat për të na treguar neve ferrin. Na treguat që ne të mos kthehemi më në atë ferr.

Eminenca Juej Dom Ernest! Do ta kemi vështirë të t’thërrasim eminencë, por duhet! Tani do të rendin krejt pas teje, media, njerëz, të afërt e të largët, klerikë e jo klerikë. Tani je i rëndësishëm edhe pse nuk je i pushtetshëm. Pushteti yt është dashuria. Unë e di se ti do të jesh ai i përhershmi, i përvujtuni e i dashtuni, dom Ernest!

Të falenderojmë që je me ne! E falenderojmë Zotin për ty!

 

Previous 15 - vjetori i vdekjes së Atë Ettore Cunial
Next Predikimi per Kishen e re ne Llapushnik (Ks)

Sugjerime