Dy rreshta në kujtim të dom Gjergj Gjergjit, famullitarit tim!

Dy rreshta në kujtim të dom Gjergj Gjergjit, famullitarit tim!

gjergj-gashi-1JETON THAQI   /

Ndërmjet dëshirës për të shkruar dy rreshta për dom Gjergjin dhe tundimit që mos të shkruaj, zgjodha të parën. Megjithatë nuk e ndiej si gjë të lehtë rrugën për të cilën u përcaktova. E kam vështirë të shkruaj, sepse u gjeta i papërgatitur, ashtu sikurse ishte edhe vdekja e tij, për të gjithë ne, një e papritur. I vetmi që ishte i përgatitur, për këtë moment, duket të ketë qenë ai vet. I përgatitur për  të gjitha, sidomos momentet kulmore të kësaj përgatitjeje qenë ushtrimet shpirtërore, të cilat i përjetoi me shumë devotshmëri deri në ditën e fundit, së bashku me një grup meshtarësh.

Dom Gjergjin e konsideroj pa mëdyshje një figurë të ndritur të një njeriu, kleriku, dhe intelektuali me peshë të jashtëzakonshme. Prandaj qysh në fillim të këtij shkrimi ndihem jo kompetent të shkruaj për disa periudha të jetës dhe në disa fusha ku ai shkëlqeu me veprimtarinë e tij. Nuk do të shkruaj për fëmijërinë dhe rininë e tij, pasi që unë nuk isha kohanik i tij. Nuk do të shkruaj për përgatitjen dhe formimin e tij shpirtërore dhe intelektuale, pasi që nuk ishim kolegë gjatë formimit. Nuk do të shkruaj për shërbimin e gjatë të tij në famullinë e Pejës, ku ai u quajt “Axhë” dhe si të tillë me shumë respekt e pranuan dhe nderuan, jo vetëm besimtarët katolikë, por edhe gjithë qytetarët pejanë. Nuk do të shkruaj për periudhën kur ai shërbeu si misionar në Shqipëri, ku edhe shoqëroi Nënë Terezën në udhëtimin e parë të saj. Nuk do të shkruaj, sepse ende nuk e kisha njohur, as nuk e kisha takuar dom Gjergjin. Deri në ato momente, si i ri që isha, vetëm kisha dëgjuar për të.

Unë preferoj në këtë rast të shkruaj për periudhën kur ai u emërua famullitar i famullisë së Gllaviçicës. Ishte koha e pasluftës. Unë vijoja studimet teologjike në Itali. Takimet e para me dom Gjergjin ishin paksa të rezervuara. Në fillim të jepte përshtypjen e një personi paksa ‘të çuditshëm’, i rreptë dhe shumë fiskal. Paraqitja e tij e parë dukej shumë serioze. Si pasojë e këtij qëndrimi nuk munguan edhe ankesat nga ana e besimtarëve rreth qasjes së tij. Por kjo kohë zgjati shumë pak. Ai shumë shpejt pushtoi zemrat e njerëzve me diturinë, bujarinë, fjalët, veprat e sidomos me entuziazmin që e përcillte. Me kujtohen, në atë kohë, komentet që vinin nga besimtarët: “prift i shtirë, por shumë i mençur; po kënaqemi me predikimet e tija; fjalët e tij janë plotë urti”. I tillë ishte dom Gjergji.

Don Gjergji ishte para se gjithash një klerik katolik. Ishte një besimtar shumë devotshëm. Një njeri i lutjes, uratës, meditimit, adhurimit. Njeri me një fe të gjallë, të thellë dhe të sprovuar. Ishte njeri i Kishës. E donte shumë Kishën. E njihte doktrinën dhe historinë e saj, në mënyrë të thellë, të saktë dhe të përpiktë. Jetonte dhe përjetonte me shumë devotshmëri meshën e shenjtë dhe sakramentet e tjera. E lexonte dhe e njihte deri edhe në detaje Shkrimin e shenjtë, Biblën. Meditonte pa ndërpre sidomos librin e psalmeve. Ishte shumë i devotshëm ndaj Zojës së Bekuar. Lutjen e Rruzares e kishte shumë të preferuar. Edhe rruzaret gjendeshin gjithandej të varura në shtëpinë, makinën, dhe në trupin e tij. Lexonte me shumë kujdes jetën e shenjtërve. Kishte prej tyre disa të preferuar, prej të cilëve frymëzohej vazhdimisht. Fliste shpesh për Shën Franin, Shën Piun e X, Shën Piu nga Pjeterlcina, Papa Palin e VI e sidomos pikë në zemër e kishte Nënë Terezën. Ai jetonte me shenjtërit si të ishin ata shokët e tij në këtë jetë. I konsideronte afër. Fliste me ta, fliste për ta, jetonte nga ata. Feja, besimi dhe mbështetja në Zotin për dom Gjergjin ishte primare dhe nuk guxohej, sipas tij, të zëvendësohej me asgjë tjetër.

Dom Gjergji ishte një klerik shqiptar. Jo veçse e donte çdo gjë që ishte shqiptare, por ai e kishte pasion sidomos historinë e popullit shqiptar, vuajtjet e tij, merrej me padrejtësitë që i kishte përjetuar populli i ynë. Nuk ishte një patriot vetëm në kuptim e thjeshtë të fjalës. Ai patriotizmin e vet e dëshmoi nëpërmjet studimit, gjurmimit, hulumtimit nëpër arkivat dhe bibliotekat më të famshme të botës. Ai ishte patriot e punonte për të nxjerrë në pah të vërtetën historike mbi shqiptarët. Këtë gjë e bënte me shumë modesti, pasion dhe saktësi. Simbolet kombëtare e shoqëronin gjithkund: në Kishë, në shtëpi, në dhomën e studimit, në makinë. Shpjegonte me shumë dëshirë edhe gjenezën, kuptimin dhe historinë e këtyre simboleve. Ato ishin pjesë e jetës së tij. Për dom Gjergjin kryqi dhe flamuri kuq e zi me shqiponjën dy krenare ishin të pandashme gjatë tërë jetëssë tij. Në këtë mënyrë po qëndrojnë të pandashme edhe pranë varrit ku pushon trupi i të ndjerit.

Dom Gjergji ishte prifti që ndërtoi kishën e parë në botë kushtuar Nënë Terezës. Kjo mund të duket paksa e çuditshme, por është e vërtetë. Ai ngriti në fshatin Dugajevë të Klinës, së bashku me besimtarët, qysh në vitin 2001, një tempull kushtuar Nënë Terezës. Ndonëse mund të konsiderohej, në atë kohë, si një ‘kishë ilegale’, pasi që Nënë Tereza në atë botë nuk ishte ende e shpallur ‘e lumtur’ e as ‘e shenjtë’. Por atë nuk e ndalen format kanonike, sepse besonte ngultas që Nënë Tereza do të shpallej shpejt ‘e lumtur’ e gjithsesi edhe ‘e shenjte’. Për këtë arsye edhe duhej që asaj t’i ngriheshin sa më shumë tempuj, kisha dhe uratore…etj. Kjo kishë e vogël bëri që ai të lidhej shumë me këtë vend dhe me popullatën aty. Ky vend i shenjtë, kjo kishë u bë një qendër që e ngjalli jetën e këtij fshati e sidomos u bë një vend lutje, urate dhe takimi me Zotin dhe me të afërmin.

Ndonëse përfundimi i këtij projekti të vogël në fshatin Dugajevë duket që ndërlidhet me përfundimin e karrierës së tij me detyrë kishtare, ashtu sikurse po ndërlidhet edhe përfundimi i jetës së tij tokësore menjëherë pas shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan. Duket që arritja dhe përfundimi i qëllimeve dhe misioneve jetësore të tija, ishin arsyeja e vetme për t’i dhuruar paqen. Prandaj në një fare forme pasi që e pa – sikurse e quante ai- ‘Nanën’ shenjtëreshë, edhe ai sikurse Simoni plak, diku në heshtje, duhet të ketë thënë: “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe siç the ti vetë, sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve: Dritën që bën të të njohin Ty paganët e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.” (Lk 2, 29-33). Pusho në paqe!

Previous Që nga 5 shtatori e këndej, Kombi ynë është në festë*
Next In memoriam: Dr. Dom Gjergj GJERGJI – GASHI (1948 – 2016)

Sugjerime