Që nga 5 shtatori e këndej, Kombi ynë është në festë*

Që nga 5 shtatori e këndej, Kombi ynë është në festë*

nene-tereza-21DON AGIM QERKINI    /

Ka shumë njerëz të cilët e kanë takuar Shenjtëreshën, ndoshta edhe ndonjëri prej jush. Unë personalisht nuk e kam patur fatin ta takoj asnjëherë, por tani, pas shenjtërimit të saj, në një mënyrë e ndjej afër, si të ishte fizikisht mes nesh. Në fakt, këta janë shenjtërit! Ata nuk na braktisin pas vdekjes, por e shtrijnë edhe më shumë ndikimin e vet ndaj të gjithëve që kërkojnë ndërmjetësinë dhe ndihmën e tyre.

Që nga 5 shtatori e këndej, Kombi ynë është në festë. Me organizime të shumta, si në trojet tona, ashtu edhe në diasporë, po mbahen manifestime të ndryshme shpirtërore e kulturore, për të shënuar ngjarjen e madhe të Shenjtërimit të Bijës sonë Shqiptare. Në këtë kontekst, edhe ky aktivitet kulturor në Ambasadën tonë është vazhdim dhe pjesëmarrje në këtë festë mbarë kombëtare, sikur ai i Misionit tonë në Luzern, një javë pas shenjtërimit, kur kremtuam meshën e falënderimit në Emmenbrücke, duke bashkuar shumë besimtarë, bashkëkombës tanë, mysafirët e nderuar, prej tyre motrat e Nënë Terezës nga Zürichu, Ambasada e Kosovës në Zvicër etj.

Sot, ndjehem i nderuar të them disa fjalë në emër të tri Misioneve tona në Zvicër, për këtë Shenjtëreshë të cilën të gjithë e kemi për zemër. Së pari, për shkak të shpirtit të saj bamirës, universal, pastaj, për shkak se na la dëshmi të mrekullueshme se si duhet të punojmë dhe t’i duam njerëzit pa dallime.

Ajo që e karakterizoi jetën e saj, tashmë është e njohur nga të gjithë. Nuk do të ndalem të përshkruaj biografinë e saj, por do të përqendrohem në disa pika kyçe të cilat Atë e bënë të pavdekshme. Njerëzit e mirë nuk vdesin, por ata që bëjnë keq, për së gjalli fillojnë ta sprovojnë vdekjen.

  1. Për sa i përket identitetit të saj, ajo vetë pati thënë, dhe mendoj që e kemi mësuar përmendësh këtë deklarim: “Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi indiane, sa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes i përkas botës, por zemra ime i përket plotësisht zemrës së Krishtit.” Nënë Tereza, e lindur në Shkup nga prindërit me prejardhje nga Kosova, Kolë dhe Drane Bojaxhiu, trashëgoi shumë virtyte nga prindërit dhe familja e vet. Pas vdekjes së hershme e të mistershme të babait të saj, nëna Drane do të udhëheqë familjen. Nënë Tereza kulturën dhe shpirtin altruist e trashëgoi prej sajë. Ajo ishte bujare dhe i ndihmonte shumë njerëzit, sidomos të varfrit. Nëna Terezë thoshte: “Në familje jetonim njëri për tjetrin, ishim të bashkuar dhe shumë të lumtur”. Ky identitet i saj, na obligon së pari neve shqiptarëve, por edhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, që ta kultivojmë frymën e përkujdesjes ndaj njerëzve, që bota të ketë më shumë dritë dhe shpresë.

Në popullin tonë kishte dhe ka shumë “Nëna Tereze”, nëna të cilat kanë flijuar jetën për familjet e tyre, por asnjë nuk mund te krahasohet me kushtimin dhe flijimin e asaj të Kalkutës e lindur në Shkup. Jeta dhe roli i saj prej Nëne shpirtërore, e kushtuar Krishtit, flijuese e pa kursyer për të gjithë njerëzit në nevoja të ndryshme pa asnjë dallim, atë e bëri Shenjtëreshë!

  1. Së dyti, sot po mburremi për jetën dhe veprën e saj. Jemi krenar sepse ajo pasqyroi shpirtin bamirës e paqedashës të popullit tonë. Në fytyrën e saj e shohim butësinë dhe dashurinë e nënave tona, ajo reflekton shpirtin e popullit tonë. Ishte “ambasadore” e cila denjësisht shpalosi vlerat e popullit shqiptar; të vlerësimit të jetës, të dashurisë për familjen, të përkujdesjes ndaj të varfërve, simbol i mirësisë dhe i paqes, para së cilës me nderim përkulim kokën të gjithë. Me rastin e Shenjtërimit të saj, Papa Françesku, me mirënjohje dhe plot respekt i bekoi vendet dhe kombet që lidhen në mënyrë të veçantë me figurën e Nënë Terezës. Ne jemi ata që nga Ati i Shenjtë morëm këtë bekim, prandaj, e falënderojmë Zotin për këtë Nënë të madhe, Atin e Shenjtë për bekimin, e mbi të gjitha, i lutemi Nënë Terezës të ndërmjetësojë për ne dhe të na japë një zemër sikurse e pati ajo.
  2. Në jetën e përditshme dhe punën e saj, Nënë Terezës nuk iu deshën mjetet moderne teknologjike për ta ngritur zërin e vet për veprat që bënte. Ajo foli me zërin e lutjes së përvuajtur, zërin e heshtjes dhe të shërbimit deri në flijim. Edhe tani, më fort e dëgjojmë zërin e saj, i cili troket në ndërgjegjen e gjithsecilit nga ne, që të kontribuojmë për një botë më të mirë. Nga kjo përgjegjësi, nuk është i përjashtuar askush.

Pikërisht për shkak të këtij dimensioni, për Nënë Terezën dhe veprën e saj, shkruhet dhe flitet në aspektin baritor dhe fetar. Por, për të nuk mjafton të flitet vetëm në kisha dhe ambiente fetare. Për të dhe veprën e Saj, është mirë dhe e nevojshme të fillohet të mësohet edhe në shkolla dhe në institucione të tjera, kudo që bëhet fjalë për edukimin dhe formimin e brezave të rinj. Kjo për faktin se bota ka nevojë të ushqehet me kulturën e dashurisë dhe tolerancës, dialogut dhe mirëkuptimit mes njerëzve, pa marrë parasysh se cilit komb apo cilës fe i përkasin.

Në personin e saj, të gjithë e kemi shembullin e mirë dhe praktik se si mund të tejkalohen kufijtë, të munden ndasitë përçarëse, pra, ta vëmë në vend të parë vëllain njeri dhe të mirën e përbashkët. Shenjtëria nuk është privilegj vetëm për njerëz të zgjedhur apo të caktuar. Të gjithë jemi të ftuar ta ndjekim këtë rrugë dhe të bëhemi shenjtër.

Ajo u largua fizikisht nga ne, por shpirti i saj rron, sepse janë të gjalla kujtimet për të, dëshmia që na la, mbi të gjitha, tani, është vepruese ndërmjetësia e Saj ndaj nesh si shenjtëreshë para Zotit. Ajo që tani kërkohet prej nesh është t’i përngjajmë asaj me jetën tonë.

  1. Si popull i lashtë që jemi, kemi kaluar periudha të ndryshme e të vështira historike. Pastaj, si shoqëri kemi prirje t’u përmbahemi ligjeve apo normave kanunore, natyrisht si shumë popuj të tjerë, qofshin ato burimore edhe nga Besëlidhja e Vjetër. Mirëpo, tash e dymijë vjet më parë, që kur përshkoi Ilirikun Shën Pali apostull, ne shqiptarët kemi mësuar një mësim që nuk e tejkalon koha, atë se të gjitha urdhërimet e Zotit, Ligjet e Moisiut e mësimet e Profetëve, Krishti, të cilit Nënë Tereza ia kushtoj jetën, i përmblodhi në dy urdhërime: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët (Mt 22, 37-40).” Këtë dhe porosinë tjetër, “çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25, 40), Nënë Tereza i kishte kuptuar me kohë. Prandaj sërish po e them, e jona është të mos lejojmë të na kalojë dita, pa bërë mirë diçka për vëllain njeri.

Shenjtërimi i Nënë Terezës, së pari është vepër e Zotit. Natyrisht, vendin e parë në jetën e Saj e kishte Zoti. Ajo vet e pohon këtë gjë kur thotë: “Zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit”. Nga ky dimension vertikal, ajo do të gjejë rrugën e jetës: Nuk do të qëndroj duarkryq e vetëm në lutje, por do të vihet në shërbim të njerëzve në nevojë. Në këtë mënyrë, edhe më mirë do ta gjejë dhe do ta njohë Zotin, për të mos iu ndarë më gjatë gjithë jetës. Kjo ishte rruga e shenjtërisë së saj, prandaj, lirisht mund ta quajmë Shenjtëresha e Dashurisë.

  1. Hyji e ka pranuar dhe radhitur ne Korin e Shenjtërve në Qiell. Zoti vazhdon të veprojë nëpërmjet saj. Po të mungonin mrekullitë, Kisha nuk do të kishte dëshmitë prekëse dhe të dukshme për Shenjtërimin e Saj. Kështu që, duke marrë parasysh ndërmjetësinë e Saj konkrete ndaj njerëzve në nevojë, Zoti e bekoi Atë dhe bëri mrekulli, pastaj, Kisha e shpalli zyrtarisht Shenjtëreshë dhe na e dhuroi të gjithë neve, që të lidhemi edhe më ngushtë me të, ta shpallim me fjalë e vepra mësimin dhe dëshminë që na la.

Të bindur se në Krishtin e vuajtur e gjente fuqinë e qëndresës në punë, edhe atë, jo një shërbim formal por plotë dashuri, arriti të bëhet Nënë e të gjithë të sëmurëve dhe të mjerëve, të pa dëshiruarve, njerëzve zemërthyer e të braktisur, të atyre që ishin në prag të vdekjes, e të gjithëve që ishin arsyeja dhe kuptimi i jetës dhe i Shenjtërimit të saj. Pra, për sa i përket aktit zyrtar të Shenjtërimit, po t’i mungonte synimi apo qëllimi që gjithçka bën, e bën në nder e lavd të Zotit, ajo do të bëhej “nënë tokësore”, për ata që i shërbeu, por shenjtërinë do ta arrinte pa e ditur ne. Me plotë kuptim e pati thënë: “Unë jam një laps në dorë të Zotit, është vet Zoti që shkruan me të.” Kështu, i konkretizoi mirë fjalët e Krishtit kur thotë: “Përnjëmend po ju them: kush beson në mua, veprat që i bëj unë edhe ai do t’i bëjë. Madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto” (Gjn 14, 12). Ajo u bë Shenjtëreshë duke e mishëruar vullnetin e Zotin në mesin e njerëzve.

Po sjell një përvojë të Nënë Terezës, e cila thotë:

“Te kthimi në vlera qëndron madhështia e njeriut – shëmbëllesës së Hyjit”. E patën pyetur njëherë, cila ishte dita më e vështirë e saj. Ajo pati thënë: “Nuk di tu tregoj cila ishte dita ime më e vështirë, por do t’ju tregoj cila ishte dita më e lumtur e jetës sime: Njëherë, deri sa ecja rrugës pashë një të gërbulur të shtrirë në rrugë. Iu afrova dhe e ngrita në këmbë, kundërmonte nga varrët sepse mishi i binte nga trupi. Nuk e përballova dot dhe pa asnjë fjalë e lashë pranë rrugës dhe u largova. Duke ecur po mendoja: Ti ia ktheve shpinën Jezusit. U ktheva me të shpejtë te ai i gërbulur. Sërish u përkula dhe e ngrita. Nuk i vinte më erë e keqe dhe bëra çka munda që ai të vdesë me dinjitet. Ky kthim i imi tek ai, ishte momenti dhe dita me e lumtur në jetën time.”

Datën e 5 shtatorit, ditën kur Nënë Tereza kaloi në amshim, e që tani çdo vit do të shënohet festa e saj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve te Bashkuara, e ka shpallur Ditë Ndërkombëtare të Bamirësisë. Urojmë që kjo ditë, përveç aspektit liturgjik, të shoqërohet përherë me aktivitete bamirësie dhe promovimi të humanitetit dhe altruizmit terezian.

Në fund, po citoj falët e saja: “Popullin Shqiptar e kam gjithmonë në zemrën time, unë lutem shumë për të, lutuni edhe ju për fukaratë e mi.” Le t’i lutemi edhe ne që ta duam njeri-tjetrin me zemrën e saj.

*Fjala e mbajtur nga don Agim Qerkini ne Ambasaden e Zvicres ne nder te Nene Terezes me 21 shtator 2016

Previous Si ma përdhunuan Atmën?
Next Dy rreshta në kujtim të dom Gjergj Gjergjit, famullitarit tim!

Sugjerime