GËZIM PËR TY NË DASHURINË QË NUK VDES

GËZIM PËR TY NË DASHURINË QË NUK VDES

civerraATE PASQUALE NALLI    /

Para dy ditësh, mora lajmin që gjendja shëndetësore e atë Giuseppe Civerra ishte duke u përkeqësuar, që nga shkurti 2014 tashmë e minuar nga një ictus cerebral. Sot më 21 shtator 2016 mora njoftimin e vdjekes së tij të pritur.

Giuseppe ka lindur më 29 janar 1926 në Castel S. Vincenzo në provincën e Isernia, Itali. I ati Gaetano ka qenë roje pyjesh, ndërsa e ëma Enrichetta ka qenë shtëpiake, kujdesej për tre fëmijët. Për arsye të punës së babait, familja u zhvendos nga jugu në veri të Italisë.

Psalmi na kujton me të drejtë: “kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, do ta kalojë natën (e jetës) nën hijen e të Gjithëpushtetshmit”. Edhe pse ditët e fundit të jetës së tij kanë qenë si nata pa dritë, megjithatë zemra e tij ka jetuar nën hijen e Hyjit që e donte. Psalmi vazhdon akoma: “Ai do të të çlirojë nga laku i gjahtarëve, … do të të bëjë hije me krahët e vet”. Po, ekzistenca e tij, e çliruar nga litarët e kësaj toke, tashmë ka marrë fluturimin drejt Qiellit.

Por unë lamtumirën atë Giuseppe-s, nga kjo tokë Shqiptare, ia kam dhënë atë natë dimri buzë atij avioni të vogël, që do ta dërgonte nga aeroporti “Nënë Tereza” të Tiranës në Itali. Në atë moment iu afrova, kërciste dhëmbët nga i ftohti dhe priste ta vinin mbi barelë, vendosa dorën time mbi ballin e tij. I bëra shenjën e kryqit, ndërsa lotët më rridhnin mbi fytyrë. Si një vetëtimë kuptova që po humbisja një atë dhe një mik. Më kujtohet një herë, duke ngrënë, ndërsa i shërbeja, i thashë: “Giuseppe, shiko me sa dashuri të shërbej, kushedi nëse kur të plakem edhe unë do të kem një bashkëvëlla të dashur?”. Dhe ai menjëherë: “Edhe unë të dua shumë!”. Kemi jetuar së bashku katermbëdhjetë vjet në Shqipëri.

Donte jetën e thjeshtë dhe plot punë, i kushtonte kohë lutjes personale dhe lutjes së lirimit. Kam mësuar nga ai t’i afrohem botës së ekzorcizmit me dilikatesë, duke zbuluar seriozitetin dhe angazhimin me të cilin çdo meshtar duhet t’i afrohet ekzistencës së të Keqit në historinë e njerëzve. Falë këtij shërbimi të tij, shumë njerëz shkonin tek ai për të gjetur ngushëllim dhe shërim. Në gjithçka që thonte dhe bënte, ruante një shpirt përvujtërie dhe besimi, duke i njohur gjithçka Hirit hyjnor.

Në atë që thonte dhe bënte ishte i menjëhershëm dhe entuziast, edhe pse ishte në moshë, ishte shumë kureshtar të njihte dhe të mësonte në çdo fushë të shkencës dhe të fesë. Kur i bënin përshtypje disa intuita, apasionohej aq shumë dhe ishte i palodhur për t’i realizuar, kërkonte gjithmonë interesa të reja për të jetuar. Në marrëdhënie me të tjerët ishte gjithmonë gazmor në dialog dhe gjithomë i gatshëm të tregonte një anekdotë për jetën, një batutë humoristike ose një barcaletë.

Një bashkëvëlla shumë i dashur për të, ka ditur të flasë me një ndjeshmëri të rafinuar për atë Giuseppe, që ka qenë një pionier i Shenjtërores së Krishtit Shëlbues në Andria. Meshtar i Zemrës së Krishtit plot energji, me karakter shpërthyes dhe me zemër të madhe, në ecjen e tij si meshtar, ka kultivuar gjithmonë  një vëmendje të veçantë ndaj fjalës dhe mjeteve për ta komunikuar, me synim që të hynte në jetën dhe historinë e njerëzve të thjeshtë, pasi ky ishte shqetësimi që kishte më për zemër. Ka qenë një shpallës i madh i Fjalës së Hyjit, të cilës i ka kushtuar shumë energji.

Mënyra e të folurit të tij ishte gjithmonë e drejtpërdrejtë dhe tërheqëse, e lidhur me problemet konkrete dhe nevojat urgjente të punës, të familjes dhe të shëndetit, të jetës së përditshme të personave. Ishte kjo mënyra e të folurit që njerëzit vlerësonin, mbi të gjitha nga një prift. Për të kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit e zakonshëm, ishte oksigjeni që një prift duhet të thithë në misionin e tij baritor. Mikpritja, dialogu, bamirësia solidale, ngushëllimi, ishin ingredientet e shërbimit të tij ndaj popullit të Hyjit.

Ekspert në astronomi, ndërtoi me prirje dhe mjete fati një Observator Astronomik në Andria, në Barbadangelo. Ka qenë edhe një piktor i mirë, duke bërë të hyjnë në shumë familje fytyrat e shenjta të Jezusit, Jozefit dhe Marisë. Me anë të këtyre imazheve bënte katekezë dhe ftonte në lutje.

Në vitin 1975 Atë Civerra u transferua në një kishë të braktisur në zonën fushore të Andria-s: Shenjtërorja e Krishtit Shëlbues. Vetmia dhe izolimi i vendit qenë për të vuajtja më e madhe.

Lindi kështu idea e një Radioje dhe më pas të një Televizori. “Nëse njerëzit nuk shkojnë në Shenjtëroren e Shëlbuesit, atëherë shenjtërorja shkon te njerëzit. Dhe hyn me dyer të mbyllura. Pa trokitur!” Në 1976 Atë Civerra themeloi Radio C.h.r.i.s.t.u.s., dhe më 3 maj 1978 nga Shenjtërorja e Krishtit Shëlbues rrezatoi sinjali i parë i Tele Dehon, me emrin e themeluesit të Urdhrit, francezi Atë Leon Dehon. Por të gjithë e thërrisnin “Televizori i Atë Civerra”. Ka qenë një eksperiencë e veçantë që bëri të zgjohej në zemrën e njerëzve ndjenja e përfshirjes sociale dhe e pjesëmarrjes në jetën e Kishës.

Në moshë të re, atë Giuseppe shkon në Angli për të studjuar anglishten që më pas të nisej si misionar. Aspirata misionare, e futur në sirtar, doli në pah në moshë më të madhe, në momentin e vdekjes së papritur të atë Michele Bulmetti. Vitet e fundit të veprimtarisë së tij baritore ia ka kushtuar me entuziazëm Shqipërisë. Me mënyrën e tij ka qenë gjithmonë gati të bisedonte me njerëzit, me gjithë vështirësinë e gjuhës, interlokutorët e tij e kuptonin me ato pak fjalë shqip që dinte dhe shumë gjeste.

I dashur atë Giuseppe, duke të menduar ty dhe anektodat e tua, shfaqet para fytyrës sime një buzëqeshje dhe imagjinoj që edhe atje lart do të dish të bësh të buzëqeshë shën Pjetrin që e doje aq shumë.

Gëzim për ty në Përjetësinë e Dashurisë që nuk vdes! Lutju për ne, akoma shtegtarë mbi tokë, Familjes së shenjtë të Nazaretit, që të ecim në paqen që Jezusi na ka premtuar plotësisht në shtëpinë e Atit.

Previous Shqiptarët si tutorë të legalizuar
Next SHËNJTËRESHA NËNË TEREZË DHE SHQIPTARËT

Sugjerime