Zëri i Kishës dhe fenomeni i kultivimit të drogës në Shqipëri

Zëri i Kishës dhe fenomeni i kultivimit të drogës në Shqipëri

10391802_10208530233842737_1986900021678946314_nAGUSTIN BARDHI   /

Nuk kanë kaluar shumë kohë nga shpallja e shenjtes Nënës Tereza, moment i cili u duk sikur na shkëputi paksa nga realiteti i hidhur i problematikave që duket se kanë zënë vend këmbëkryq në vendin tonë. Do të thoni ju po ç‘lidhje ka titulli me Nënë Terezën?! Në të vërtetë ka shumë lidhje. Ajo, në një ndër momentet me te rëndësishme të vlerësimit te saj që insitucionet njerëzore mund te japin, pati thënë: “Kam mbetur e habitur se si në perëndim shumë djem e vajza priren nga droga, kam pyetur veten përse, pse ndodh kjo, dhe përgjigja është: sepse nuk kanë askënd në familjen e tyre që t’i presë. Babai dhe nëna janë kaq të zënë sa nuk kanë kohë. Prindërit e rinj janë të mbyllur në ndonjë zyrë dhe fëmijët shkojnë rrugëve e mbesin të përfshirë në ndonjë gjë. Po flasim për paqen. Këto janë gjëra që e shkatërrojnë paqen”. (Nënë Tereza në 1979 me rastin e çmimit Nobel për paqen)

Po ashtu edhe në meshën e falënderimit për këtë shenjtëreshë, që u kremtua në Katedralen e Sapës, Arqipeshkëvi i Shkodrës na kujtoi guximin e kësaj bije të kombit tonë: “Një bijë e popullit tonë e aftë të na tregojë rrugën drejt përmbushjes së rilindjes së kësaj toke ku ende ka situata diametralisht të kundërta me dashurinë: interesa personale në vend të shqetësimit për të mirën e përbashkët, korrupsion në vend të drejtësisë, shfrytëzim të të varfërve për interesin e atyre pak vetëve që, ashtu sikurse Papa ka theksuar me forcë në homelinë e vet, është KRIM kundër njerëzimit. Nënë Tereza ka pasur guximin ta padisë gjithë këtë, madje përpara të fuqishmëve të tokës, dhe ne ende strehohemi në një frazë tejet të rrezikshme dhe të parafabrikuar: “Çfarë t’i bësh? Këtu jemi në Shqipëri! Punët gjithmonë kanë shkuar kështu!”.

Të gjithë e dimë se kohët e fundit jemi mbizotëruar si vend nga kultivimi i drogës (kanabis), për këtë nuk është e nevojshme që ta deklaroje televizori, pasi tashmë flet e qan hall çdo njeri. Nëse është banor fshati, sepse nuk mund të kullosë gjënë e gjallë, pasi nuk i lejohet hyrja më në shumë zona, perimet nuk i bëhen më në kopsht… Nëse është banor qyteti, sepse nuk i lejohet më të vizitoje shumë male, hyrja është e ndaluar për një farë periudhe! Shumë njerëz e kanë humbur shpresën dhe nuk kanë guxim ta denoncojnë prej frikës se mund ta pësojnë, dhe në të vërtetë në shumë raste e pësojnë, por nuk dua të zgjatëm në këtë aspekt. Dua të ndalem nga anët e mia. Po ne institucionet fetare, që deshëm apo nuk deshëm jemi shpeshherë zëri i popullit që nuk “ka zë”, çfarë masash po marrim për këtë realitet, ku janë reagimet tona, përveç ndonjë reagimi si ai i homelisë së Imzot Massafrës në Krishtlindjet e Vitit të kaluar në Shkodër? A nuk është misioni ynë të “shpëtojmë” njeriun…?!

Meqenëse jam katolik e jam prift, po ndalem akoma tek shtëpia ime, te Kisha. Misioni im është të jetoj me të vërtetën, mos të behëm aleat i së keqes, të shpall të vërtetën. Kjo është Kisha në botë, drita që shpartallon errësirat. Pra unë nuk mund të jetoj misionin tim në bashkëjetesë më të keqën i verbër nga sytë e i shurdhet nga veshët. Shpeshherë kam dyshime nëse Kisha e din apo jo çfarë po ndodh në Shqipëri apo në vetë territoret e zonave që na  janë besuar, se si “grigja” është skllavëruar në kultivimin e drogës e si shkak ka vrasje, grindje ndërmjet familjeve…!

Pse mungon guximi për ta ngritur zërin tek më të pushtetshmit ashtu sikurse bëri e Shenjta Nënë Tereza? Ndoshta askush nuk do të dëgjojë, por a po e bejmë?! Apo ky guxim duhet të mbesë vetëm brenda katër mureve të kishës ku shfrytëzojmë foltoren për ta rrahur me grushte. Nuk duhet të harrojmë së shumica dërrmuese e njerëzve që presin një mendim ndryshe, nuk janë brenda këtyre mureve dhe vështirë se do të jenë ndonjëherë, pra nuk kanë për t’i dëgjuar fjalët tona!

Vetë Papa Françesku duke folur me Ipeshkvijtë e rinj ne Vatikan ka thënë: Bota është e lodhur nga meshtarët dhe ipeshkvijtë e modës. Kisha duhet të “destabilizohet” nga Zoti e duhet të jetë gjithnjë pranë njerëzve për t’u transmetuar mëshirën e Hyjit. Pikërisht për këtë “destabilizim” ka nevojë edhe Kisha në Shqipëri, por duhen udhëheqës të guximshëm për këtë akt, e assesi nuk mund të ndodhe vetëm me ndonjë dokument apo predikim.

Vetë Katekizmi i Kishës Katolikë (§ 2291) është shumë i qartë rreth përdorimit dhe kultivimit të drogave, ndër të tjera thotë: “…per sa i përket prodhimit klandestin të drogave ose trafikimit të tyre, janë praktika skandaloze; përbëjnë një bashkëveprim direkt, që nga momenti që shtyjnë në praktika të rënda kundra ligjit moral.

A nuk është gjendja kaq alarmante sa të mos meritoje të paktën një reagim zyrtar kundrejt këtij problemi?!

Nëse në vitet 20-30’ Kishës ju desh të bëhej mbrojtëse e vlerave dhe kulturës shqiptare dhe keq apo mire e bënë, sot i kërkohet që të jetë mbrojtëse dhe “strehë” e këtyre njerëzve që po përdoren nga të fortët e të paprekshmit. Kishës i duhet të qëndrojë përkrah njerëzve se ata jo gjithmonë e kanë forcën për të qëndruar përkrah saj! Nuk duhet të habitemi se edhe në radhët klerikale ka personazhe që mendojnë se nuk duhet folur e nuk duhet mbajtur pozicione, me pretekstin djallëzor se, nuk është puna jonë. Madje kanë frike kur shohin ndonjë prift të flasë apo të shkruajë për problematikat koherente që dalin nga konturet e Kishës, nga strofulla ku janë strukur! Këta do të ishin të aftë edhe t’i sugjeronin Krishtit se si t’ja hidhte mundimit të kryqit! Ndoshta sot nga ne nuk kërkohet të jemi don Pino Puglisi, por na kërkohet gjithmonë të jemi mbështetja e të dobëtëve. Nuk është aspak lehtë, por duhet.

Previous Bëhu i lumtur, sepse lumturia është të kesh miq, e këta miq le të jenë populli i Zotit
Next Ndërron jetë në moshën 80 vjeçare Kryetari i Nderit të KMSH-së, Haxhi Selim Muça *

Sugjerime