Drejtuar nje prifti të ri … *

Drejtuar nje prifti të ri … *

ndue-kajtaziNDUE KAJTAZI    /

Jemi në këtë vend të shenjt, ku qindra mijëra njerëz kanë filluar jetën me Krishtin në pagëzim, kungim e krezmim. Ku mijëra njerëz janë pajtuar me Zotin në rrëfim, ku mijëra njerëz kanë dhënë besën Zotit se kanë me jetu në kunorë të shenjtë. Por nuk janë të pakët as ata që këtu u shuguruan për meshtar e këtu shërbyen edhe si ipeshkëvinj. 
Tradita e jetës katolike e Zymit është e hershme, dhe kjo traditë ka mbajtur gjallë edhe katolikët tjerë në Kosovë e më gjerë. Reth 200 vite në shek 15, e 16, veprojnë këtu etërit françeskanë, ishte qendra e Misionit Françeskan, deri në vitin 1671.
Të kujtojmë se nga këto troje dolën imzot Pjetër Bogdani e Andre Bogdani etj.
Gjithashtu këtu gjatë pushtimit turk, në veçanti gjatë luftrave të shek. 17 turko-austriake, u strehuan për 50 vite, dhe gjetën mbrojtjen ipeshkëvinjtë e asaj kohe: imzot Pjetër Karagiqi, Mikel Suma dhe Gjon Nikollë Kazazi.
Nga ky vend dolën edhe shumë meshtarë, punëtorë në vreshtin e Zotit: don Pjetër Bytyçi, l. 1688, don Andre Lumezi, l.1711, don Zef Lumezi, l.1720, vëllai i tij, don Anton Lumezi, l. 1732, don Zef Bytyçi, l.1763, don Zef Labuni, l. 1743, don Simon Lumezi, l. 1853, patër Nikollë Gegë Kolgjeraj, l…, Patër Pjetër Batista Pecolli, Patër Lorenc Ibishi – Prenkpalaj, l.1920-1949, dhe unë Patër Ndue Kajtazi.
Ndërsa me prejardhje nga Zymi kemi edhe don Ndue Bytyçin e mons. Lucian Augustinin. Si dhe nipa të këtij vendi don Gaspër Gjini e don Nikollë Mini.
Pra nga ky vend kemi një aradhë, një Qetë të Profetëve. Kësaj qete bashkangjitju edhe ti, i nderuari don Daniel.
Po në këtë vend kemi eshtrat e Gjeçovit dhe të martirit patër Luigj Palit, i cili nuk di për cilën arsye u fshi nga lista e 40 martirëve që me 5 nëntor do të shpallën të lumtur.
Është ky vit i hirit të Zotit, Viti i mëshirës, viti kur shenjtër e martir shqiptarë ngritën në nderimin e elterit. 
Çka do të thotë të jesh meshtar, prift?
Meshtari është njeri i Zotit, i cili jeton për Krishtin, dhe Krishti është krejt jeta e tij.
Meshtar, të shërbesh meshën dhe sakramentet tjera, shërbëtor i Kishës dhe predikues i Fjalës së Zotit.
Prift sot-nesër-pergjithmonë, i përzgjedhuri i vetëm.
I vetmi i cili e sjell Krishtin në elter.
I vetmi i cili mund të thotë: Ky është korpi im, ky është gjaku im. 
Dhe ti vëllau im je prift. Thoshte Nënë Tereza.
Prifti katolik është i thirrur që brenda Kishës, ta ndjej Kishen- sentire Ecclesiam, ta don Kishën, të jeton për Kishën. Prifti është biri i Kishës, e Kisha është nëna e tij.
Ta ndjesh Kishën, është thirrje të bëhesh një me Kishën, të mishërohesh me të në dashuri dhe në lutje. Çka do të thotë vërtetë ta duash Kishën? Dashuria është e sinçertë dhe konkrete kur meshtari në punën e vet ec sipas udhëzimeve të eprorëve të Kishës dhe nuk punon si një ujk i vetmuar. Do të jemi apostuj dhe meshtarë të vërtetë nëse punën tonë e harmonizojmë me nevojat dhe kërkesat e Kishës. Por mbi të gjitha duhet të jetë dëgjesa ndaj eprorëve, edhe atëherë kur nuk je i bindur në tërësi.
Dashuria e pakufi për Kishën do të jetë ndihmesë që t’i bindesh vullnetit të eprorit. Pa dashuri ndaj Kishës nuk ka as dëgjesë ndaj eprorëve. Krishti ishte i dëgjueshëm deri në kryq.. Jemi apostuj të Krishtit aq sa jemi një dhe veprojmë në bashkim dhe në harmoni me Kishën. Gjithmonë ekziston rreziku që shërbimi meshtarak të jetohet si funksion ose si profesion, e jo si mision që ka për qëllim shenjtërimin dhe shëlbimin e shpirtrave.
Mos u shkëput askurrë prej Ungjillit dhe Fjalës së Zotit, sepse mbetësh si shermendi i këputur. Nuk mjaftojnë aftësitë e tua, sado i mençur dhe i shkathtë që je. Frytshmëria e misiont tënd është e kushtëzuar nga e vërteta dhe besnikëria që ke me Zotin dhe Fjalën e tij.
Mos e bjerr as mos e humb kohën që Zoti ta ka dhënë. Ajo është dhuratë që duhet të shfrytëzohet për të mirë. Mëso e aftësohu për të gjitha fushat, rrite bagazhin tënd intelektual që të bëhesh mesues i mirë, por mbi të gjitha bëhu mësues i mirë i fesë.
Ungjilli e urata janë forca e jote, janë burimi i fuqisë tënde që nesër ta drejtosh vetën dhe Kishën. Rri afër Zotit, se pa Të nuk mund të bësh asgjë.
Meshtari jeton nga Fjala që del nga goja e Zotit, meshtari duhet të jetë njeri i lutjes. Edhe kur të ngulfasin angazhimet gjej kohë për tu lutur.
Bëhu bari i mirë i grigjës që do ta besojnë. E bariu i mirë e jep jetën e vet për delet e veta, thotë Krishti.
Në rapot me liturgjinë dhe ndarjen e sakramenteve, që janë kulmi dhe forca e të krishterëve, bëhu administrator i denjë i mistereve të Zotit. Mesha dhe kremtimi i hirit janë burimi nga i cili ti shuan etjen dhe janë kulminacioni i misionit tënd. Kur mesha kremtohet me fe të gjallë, i transformon pjesëmarrësit dhe ty që kremton, të jep energji të reja për jetën që të pret.
Meshtaria jote rrjedh nga Eukaristia, dhe kuptimi i meshtarisë tënde është i lidhur me Eukaristinë, dhe pa të s’ka kuptim.
Do të jetosh në celibat, i pa martuar, që është dhuratë e kryq i madh për ty.
Je Abrahami i ri, që e sakrifikon Izakun tënd, djalin që është gëzimi dhe vazhdimi i të jetuarit tënd mbi këtë tokë. Trashëgimia jote është Zoti, e gëzimi yt është Krishti. E Ai na flet: çkado që keni lënë për mua do t’ju shpërblehet 100 fish. 
Mos u lidh me pasurinë tokësore, Krishti ishte i varfër dhe ndaje çdo të mirë materiale me të varfërit. Do ta gjeshë gëzimin kur të tjerët i gëzon.
Pasuria jote le të jetë e natyrës shpirtërore, le të jetë Zoti. Aty ku është pasuria jote, aty është zemra e jote, thotë Krishti.
Mos lejo që tajkun të ndryshëm, pronar të firmave e restoranteve, atyre qëvozisin makina luksoze, pronar të vilave etj, me të mbajt leksion sesi janë të suksesëshëm e sa bukur jetojnë. Aq më pak me ju pas lakmi. Mos harro se ata janë vetëm pronar të disa metrave katrorë
E ti je ushtar i Krishtit!
Mos e nënvlerëso thirrjen e mision tënd. Ta keshë në mend që je rojtar i dinjitetit të mision tënd. Misioni yt kërkon mund e punë të pafund, të ndahesh nga kënaqësitë që i ofron kjo botë, vetdisciplinë e rregull. Andaj ke kujdes si sillesh, çka flet e si vishesh. Nëse veten e nënçmon edhe të tjerët dë të nënçmojnë. Bëhu krenar për thirjen tënde, me plotë vetbesim, i gatshëm që gjithmonë të mësosh më shumë dhe gjithë jetën të ecësh drejt përkryerjes.
Mos harro, ti je ushtar i Krishtit!
Duaj njerëzit që të rrethojn e bashkëpunëtorët e tu, ofroju dashuri fisnike e të panjollë, rritju nderin e dinjitetin besimtarëve tu. Autoriteti nuk fitohet me egërsi, ashpërsi e arrogancë, por fitohet me vetflijim e drejtësi, punë e sakrificë. Ti je ai që i vendos rregullat dhe i cakton kufinjtë, ai që i mban penjtë në dorë. Mos u lidh me njerëz që mos mund të jetosh pa ta.
Mos harro,ti je ushtar i Krishtit!
Mos harro se ti i formëson dhe i edukon njerëzit, me besimtarë e tu ke me kalu shumë kohë. Ndikimi yt te ata do të jetë i madh. Të jeshë i vetdishëm për përgjegjësitë e tua, si meshtar duhesh të jeshë rojtar i gjuhës dhe kulturës. 
Mësoj besimtarët ta duan atdheun e tokën e vet. Mësoj se dinjitet do të kenë vetëm në atdheun e vet, e çdokund tjetër janë emigrantë e ardhacakë, tu tregosh se nuk është mirë ta lëjmë fatin e vendit tonë në duar të halabakëve e rrugaqëve. Ju bënë me dije se është detyrë të luftohet të dilet nga kjo baltë që fundosemi. Mbille në ta ndjenjën për përgjegjësinë në shoqëri, shpjegoju që këtë vend askush nuk mund ta pastrojë pos ne vetë. 
Bindi njerëzit se fara e mirë e të gjitha reformave, ekonomike, morale e kulturore mund të mbij e të rritet vetëm në familjen e shëndoshë.
Mësoj të rinjët, se pishtarë të dritës e orientim për ta nuk duhet të janë: as këngëtarët as vallëtarët, as stilistatas futbollistat, as manekenët as bisnismenët. Por njerëzit që me djersë bukën e fitojnë, e njerëzit që në Zot besojnë.
Mësoj të rinjët se në duar të këtyre mund të jenë: projektet, lokalet, kamionat e avionat, por në duar të atyre që me djersë e fitojnë bukës, në duar të tyre është ardhmëria e këtij vendi.
Ky popull çdo ditë e më shumë po e kërkon dritën e vërtetë, edhe ata që i ranë mohin, e kërkonë edhe më shumë. Bëhu gati me i kthy në vathën nga kanë dalë.
Mos harro, ti je ushtar i Krishtit!
Do të vijnë momente kur do të lodhësh, do të mërzitesh e do të mbetësh i vetmuar. Ke me pyet vetën a jam mirë në këtë rrugë, ta vazdoj a ta ngris flamurin e dorëzimit. Idealet dijnë edhe të veniten. Vjen tundimi që të jeshë rahat e të keshë pasuri. Për këto nuk është dashtë me u lind fare në këtët vend, aq ma pak me veshë petkun e meshtarit. E pse është kështu mos pyet askend, por ulu e me vetvetën ndaje këtë pleqni, se me i pyet të tjerët ku po të dhemb ty nuk është mençuri. Vërtetë të tjerët mund ta kenë më lehtë, por çfarë dobie për ty, kur ti se ke vendin aty. E Zot ruana me shku, në ballë ka me të shkru, e njerëzit kanë me thanë, kah erdhi ky prift këtu. 
Edhe në ato momente të rënda trus aty ku e ke vendin, e mos luaj nga rruga jote e shenjtë, ule flamurin e dorëzimit, ngrite atë të Krishtit që doli fitimtar edhe mbi kryqin e mbi vdekjen.
E mos harro, se nuk është punë e vogël të jeshë ushtar i Krishtit!
Mos ke frikë, se Zoti është me ty!
Mos u bënë as konformist as puthadorë, as servil i askujt. Dorën që nuk mundesh me thy, kurr mos e puth!Se ma shumë vlenë me vdekë në këmbë sesa me jetu pa kurriz.
Bëhu zëri atyre që s’kan zë, i butë me ata që s’kan fuqi, i fortë me të fortit, e mos ja lësho rrugën të keqit se të ulet kambëkryq në krye të vendit.
Kur të lëvdojnë mos e rrit mendjen, as mos fluturo. Kur të shajnë e të njollosin mos u dëshpëro. Bëhu edhe më i fortë, sepse atëherë më së shumti i përngjan Krishtit.
Beso se e mira fiton.
Jetoje jetën për të tjerët, sepse vetëm ai që jeton kështu, meriton me jetu. Edhe me vdekë për Krishtin është fitore. 
Mos harro, ti je ushtar i Krishtit! Amen.

*Predikimi i Ate Ndue Kajtazit ofm ne meshen e pare te Don Daniell Markprekaj ne Zym te Kosoves

Previous Agjenda e Katekistit
Next Tre të rinj shqiptar nga Shqiperia, Mali Zi e Kosova, veshin zhgunin e fratit

Sugjerime