Leo: turp për shtetin dhe për organizatat e aftësisë së kufizuar

Leo: turp për shtetin dhe për organizatat e aftësisë së kufizuar

leoSTEFAN PALOKA   /

Para thuajse një viti, gjatë një aktiviteti, më përloti rasti i një djali që, tashmë në moshë të rritur, kujtonte se si, në përpjekjet e tij për t’u regjistruar në shkollë, kishte dështuar plotësisht. Stafi (anti)pedagogjik e kishte arsyetuar refuzimin e vet kategorik për ta pranuar në institucionin arsimor vendor me “frikën” që prania e tij do t’u shkaktonte bashkëmoshatarëve të tij. Arsyeja kishte të bënte me faktin se fëmija asokohe në moshë shkollore, kishte gjymtyrë të shkurtra dhe, sipas tyre, pamja e tij e pazakontë do të përbënte problem për mbarëvajtjen e procesit mësimor!
Sonte, në emisionin “Fiks fare”, u transmetua rasti i një djali 9-vjeçar, në kushte të ngjashme me ato që përshkrova më lart dhe që në (miop)tikën e atyre prej të cilëve presim të iluminohemi, e bënte atë të padenjë për të gëzuar të drejtën e shenjtë për arsim, e drejtë e mbrojtur me konventat ndërkombëtare dhe me kushtetutën e ligjet e shtetit shqiptar.
Ndryshe nga rasti fatkeq i lartpërmendur, lajmi i mirë është se Leoja i vogël – protagonist i emisionit të sotëm – më në fund pa t’i bëhej realitet ëndrra për t’u shkolluar si gjithë bashkëmoshatarët e vet.
Por, a ishte kjo meritë e shtetit shqiptar?
Nëna e vogëlushit, me dënesje dhe lot për faqe, tregoi për peripecitë nëpër të cilat kishte kaluar: dyer shkollash që i përplaseshin në fytyrë;
qëndrime nga më poshtërueset, të tipit “mbaje djalin në shtëpi se e ke të sëmurë”;
një Ministri Arsimi që nuk denjon të mbajë kurrfarë qëndrimi ndaj kërkesës së gruas për t’i siguruar fëmijës transportin, ndërkohë që, në Evropën ku çirremi se duam të shkojmë, transporti është i garantuar edhe për nxënësit e tjerë, jo më për ata me aftësi të kufizuar!
U gjend, me ndihmën e emisionit “Fiks fare” një shkollë që shprehu gatishmërinë për ta pranuar fëmijën, madje duke marrë edhe masat e nevojshme për t’i siguruar atij akses në ambientet e mësimit.
Besoj se nuk duhet ndonjë inteligjencë kushedi se çfarë për të konkluduar se regjistrimi i Leos nuk ishte rezultat i respektimit nga ana e shtetit shqiptar të angazhimeve që ka marrë përsipër. Ai ishte konkretizim i përpjekjeve të njerëzve vullnetmirë për t’i dhënë një shans në jetë një fëmije që, përndryshe, do të kishte pasur fatin e qindra e qindra sivëllezërve të vet anembanë vendit, të cilët janë të destinuar të shkruajnë faqe të tjera të dhimbshme historie njerëzore të burrave, grave e fëmijëve të cilët, për shkak të aftësisë së tyre të kufizuar, mbeten jashtë rrjedhave normale të jetës.
Në këto kushte, do të duhej të isha prej guri a druri që të mos lëshoja disa klithma nga thellësia e shpirtit:
Turp për shtetin shqiptar që, edhe pse paguan qindra punonjës që mbulojnë çështjet e aftësisë së kufizuar, ende nuk po tregon sensibilitetin e duhur për ta ndryshuar njëherë e përgjithmonë qëndrimin e tij ndaj bartësve të saj!
Turp për drejtuesit e organizatave të aftësisë së kufizuar, për të cilat funksioni në krye të shoqatave që bëjnë kinse përfaqësojnë ka qenë mjet pasurimi përmes abuzimesh me projekte e fonde shtetërore, marrjes së favoreve nga instanca a individë të papërgjegjshëm nëpër institucione shtetërore, në shkëmbim të të bërit të një syri qorr e të një veshi shurdh përpara gjendjes katastrofike të sivëllezërve të tyre, mashtrimit të anëtarësisë së tyre me autoritetin që u jepte pozita përmes shitjes së mallrave , të mirave dhe shërbimeve që duhej t’i ofronin falas, ashtu sikurse i kishin marrë etje, etj!
Turp për ata persona me aftësi të kufizuar që, duke pasë arritur një pozitë të caktuar në nivele të ndryshme të qeverisjes, teksa shohin pamundësinë e zgjidhjes së kauzës së PAK, që është edhe kauza e vet, në vend që të japin dorëheqjen e të vihen në krye të lëvizjes për t’i dhënë fund njëherë e mirë kësaj mynxyre, vazhdojnë e hanë bukë të pamerituar dhe kanë guximin e na flasin për “gjithëpërfshirje” dhe “aksesibilitet”, si diçka tashmë në proces realizimi, vetëm e vetëm se ata për vete janë në rregull dhe, “kur jam mirë unë, flaka u daltë të tjerëve”!

Previous Gazetarja qe u be murgeshe katolike ne nje manastir klauzure
Next Agjenda e Katekistit

Sugjerime