MESHË FALENDERIMI PËR SHENJTËRIMIN E NËNË TEREZES

MESHË FALENDERIMI PËR SHENJTËRIMIN E NËNË TEREZES

nene-terezaVIOLETA MARASHI   /

Të shtunën e 10 shtatorit, Dioqeza e Sapës dhe mbarë kombi shqiptar ishin në festë. Në një klimë festive dhe gëzimi është kremtuar Mesha e Falenderimit me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezes. Për të bashkëndarë mirënjohjen për këtë dhuratë që Zoti ia bëri Kishës dhe Popullit shqiptar në personin e Nënë Terezes, qindra besimtarë shtegtuan drejt Katedrales së Shën Terezes së Kalkutës, në Vau-Dejës. Përveç hierarkisë së lartë të Kishës Katolike në Shqipëri dhe klerit, nderoi me praninë e tij edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani. Po ashtu ishin pjesëmarrës edhe autoritetet vendore dhe përfaqësues te besimeve te tjera në Shqipëri.

Në meshën e udhëhequr nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, në predikimin e mbajtur me këtë rast, ai ndër të tjera tha: “Shentja Tereze e Kalkutës është model i veprave të mëshirshme, por sidomos është model për ne i qëndrimit në shoqërinë e Jezusit për të rrënjosur dhe bazuar më mirë dëshirën tonë që t’i përgjigjemi urdhrit të dashurisë, i vetmi që Shëlbuesi para se të vdiste na ka lënë, qoftë me fjalët, qoftë me flijimin e vet në Kryq. Kisha e Shqipërisë, e vogël, e varfër por e bukur, me këtë Kanonizim dhe me Lumturimin e ardhshëm të Martirëve, është duke marrë një nder tejet të madh përpara botës!  Por, siç ndodh gjithmonë, pranë një nderi të madh ka gjithmonë edhe një detyrë të madhe. Dhe detyra jonë është që, të imitojmë shenjtërit tanë, dhe me jetën tonë t’i japim lavdi Hyjit e të nxisim të mirën e njerëzimit”, tha ipeshkvi.

Edhe Aministratori Dioqezan, D. Simon Kulli, ka përshëndetur të gjithë të pranishmit, përmes fjalëve se, “vetë Zoti deshi që këto dita ta gëzojë dhe ta hijeshojë Kishën e gjithmbarshme duke e lartësuar në Elteret e shenjtërisë, bijën e Popullit tone, Nënë Terezen”. Në këtë ngjarje madhështore, d. Simoni nuk la pa kujtuar edhe ipeshkvin e ndjerë, Imzot Lucjan Avgustinin, duke theksuar se “Ky gëzim i madh që po përjetojmë këto ditë, patjetër që na i ngushëllon dhe freskon  zemrat tona plot dhimbje prej ndarjes së parakohshme të bariut tonë shpirtëror, Imzot Lucjanit, i cili aq shumë e deshi këtë Kishë në Shqipëri, dhe nuk u kursye kurrë ta mësoje dhe ta drejtoje grigjën e tij nga kjo katedër. Por të bindur dhe të nxitur prej fesë, shpresojmë se Ipeshkvi jonë krah për krah me Nanë Terezen do na përcjellin prej qiellit dhe nuk do ta largojnë shikimin e tyre bekues prej nesh – tha ai.

Në fund të të gjithë këtij kremtimi solemn, edhe Nunci Apostolik, Imzot Ramiro Moliner Ingles mbajti përshëndetjen e tij, gjë e cila përkoi edhe me lamtumirën e Misionit të tij Diplomatik në Shqipëri. Gjithashtu sollën përshëndetjet e rastit edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe kryetari i Bashkisë z. Zef Hila, të cilët e vlerësuan figurën e Nënë Terezes duke e sjellë si shembull të jetës tonë të përditshme dhe me ndërmjetësinë e saj të mund të mbartim në vetvete angazhimin dhe përgjegjësinë që të mund t’i përngjajmë veprës dhe dashurisë së kësaj Nane që iu kushtua  Zotit dhe mbarë botës.

Previous Letër një shkollari ...
Next KATEKISTËT E FAMULLISË “SHËN RROKU”, RRANXA-BUSHAT, NË FORMIM

Sugjerime