Kemi të njëjtin gjak si ajo, por a duam edhe ne si ajo?*

Kemi të njëjtin gjak si ajo, por a duam edhe ne si ajo?*

ANGELO MASSAFRA   O.F.M.   /

imzot-massafraI Nderuar Imzot Ramiro Moliner Ingles, Nunci Apostolik, Bashkëvëllezër në Episkopat, President i Nderuar, Imzot Nikolla e Kishes Ortodokse, meshtarë dhe të kushtuar, Autoritete politike, Vendore, dhe ju të gjithë besimtarë besnikë të Zotit, të thirrur këtu prej Dashurisë që, në formë tejet solemne, në këtë vit të Mëshirës, e kemi kremtuar të dielën e kaluar në Vatikan, falë mundësisë që na u dha prej kanonizimit të Nënë Terezës: Zoti na dhashtë një zemër të madhe, të aftë për gjithë këtë dashuri.

Po, dashuria: shtytja e vetme dhe e pazëvendësueshme e çdo veprimi të krishterë! Na e ka thënë këtë Papa Françesku të dielën e kaluar: “Modeli i vetëm i veprimit është dashuria falas, pa dallime”. Pikërisht këtë jemi duke kremtuar edhe sot, një javë pas ngjarjes së madhe të Romës.

Në kërkesën e drejtuar Atit të Shenjtë për të shpallur Shenjte të Lumen Terezë, motivimet e paraqitura ishin qoftë ajo për të gëzuar ndërmjetësimin e saj prej Qiellit, por edhe ajo për ta pasur si model të dashurisë konkrete këtu në tokë. Dhe, faktikisht, Papa na e dorëzoi pikërisht kështu, si një model të dashurisë që duhet ndjekur dhe imituar.

Por i shtroj vetes edhe disa pyetje me shpresën që edhe ju të bashkëndani shqetësimin tim dhe të arrijmë së bashku të gjejmë disa zgjidhje të mundshme.

Pyetja e parë është: a kemi rrezikun që kjo ngjarje e kanonizimit të Nënë Terezës ka qenë vetëm një rast lavdie për ne shqiptarët? Sigurisht, një grimcë krenarie kombëtare nuk prish punë; po nëse kufizohet gjithçka në këtë dhe jeta jonë nuk nxitet për ndryshimin e kërkuar nga të qenët bashkëkombas të kësaj shenjteje, atëherë për çfarë do të ketë shërbyer fakti se e kemi parë të lartësuar në nderet e altarëve? Krenaria kombëtare duhet të na bëjë të themi jo vetëm: “Kemi të njëjtin gjak me të”, por edhe mbi të gjitha “ edhe ne duam të jemi si ajo!”.

Pyetja tjetër është: po nga ka ardhur gjithë ajo dashuri në zemrën e Terezës? Dhe besoj se përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje na vjen prej Fjalës së Zotit që dëgjuam. Gjoni Ungjilltar na ka thënë se nuk kemi qenë ne ata që e kanë dashur Hyjin, por Hyji na ka dashur i pari ne dhe ka dërguar Birin e vet si fli shpërblimi për mëkatet tona.

Nuk arrij ta përfytyroj një Terezë të Kalkutës shenjte të parakonfeksionuar, por frytin e një pune gjatë krejt një jete të përbërë prej adhurimit të zgjatur dhe të heshtur të një Hyji që, megjithatë, nuk dëgjohej dhe i jepte veç disa momente ngushëllimi shpirtëror. Pikërisht aty, në atë heshtje adhuruese, Tereza do të ketë medituar shumë herë këto fjalë të Ungjilltarit, përballë atij Trupi Eukaristik të Krishtit të dhuruar e të thyer në Kryq si shenjë të dashurisë së pakushtëzuar të Hyjit për botën. Një dashuri e madhe, ajo e Krishtit, që ajo nuk mund ta mbante krejt për vete, sepse dashuria është më e fuqishme dhe më e furishme se një lumë i fryrë që i shemb argjinaturat dhe përmbyt gjithçka me ujërat e veta.

Kështu, zemra e Terezës ka qenë një zemër vazhdimisht e nënshtruar nxitjes të kësaj dashurie të Krishtit që patjetër duhej të vërshonte e të derdhej mbi vëllezërit. Në çfarë mënyre? Në të njëjtën mënyrë me të cilën Jezusi i kishte mësuar në Ungjillin që edhe ne e dëgjuam dhe prej të cilit urtia e Kishës ka nxjerrë veprat e mëshirshme të trupit që të gjithë ne kemi detyrën t’i praktikojmë çdo ditë. Sepse, vëllezër e motra, në përfundim të jetës sonë do të gjykohemi sipas dashurisë që kemi ditur të dhurojmë!

Por, me të drejtë Papa, në homelinë e vet të së dielës, na ka paralajmëruar në lidhje me cilësinë e kësaj dashurie të dhuruar: ka shumë njerëz që në mënyrë të lavdërueshme praktikojnë dashurinë ndaj të afërmit, por nëse kjo nuk lind prej dashurisë së Krishtit, bëhet vetëm një solidaritet njerëzor. Ndoshta aty për aty zgjidh ndonjë problem, por “është e shterpë dhe nuk ka rrënjë”. Ndërsa ajo e ne të krishterëve, vazhdon Papa – është “THIRRJE në Dashuri”. Thirrje: pra jemi të thirrur prej Hyjit pikërisht për këtë. A nuk duhet t’i përgjigjemi atij që na thërret? A do të jemi kaq të pasjellshëm sa të shpërfillim një thirrje kaq të mrekullueshme? Jo, vëllezër e motra. Të mos ndodhë që t’i kthejmë shpinën Atij që na thërret të jemi dashuri, pikërisht sikurse Ai është Dashuri. Edhe këtë na e ka mësuar Gjoni ungjilltar: “Kushdo që do është prej Hyjit”.

Pra, Tereza nuk ka bërë asgjë më shumë se sa kërkon Jezusi në Ungjill? Do të thosha asgjë më shumë, përveçse ka qenë vazhdimisht në kontakt me këtë burim dashurie që ia ka mbushur krejtësisht jetën e saj deri në atë pikë sa i ka shembur argjinaturat e zemrës së saj.

Shenjtja Tereza e Kalkutës, por ne mund të themi e Shqipërisë, është model i veprave të mëshirshme, por sidomos është model për ne i qëndrimit në shoqërinë e Jezusit për të rrënjosur dhe bazuar më mirë dëshirën tonë që t’i përgjigjemi urdhrit të dashurisë, i vetmi që Shëlbuesi para se të vdiste na ka lënë, qoftë me fjalët qoftë me flijimin e vet në Kryq. Sa shumë nevojë kishim për këtë model!

Një bijë e popullit tonë e aftë të na tregojë rrugën drejt përmbushjes së rilindjes së kësaj toke ku ende ka situata diametralisht të kundërta me dashurinë: interesa personale në vend të shqetësimit për të mirën e përbashkët, korrupsion në vend të drejtësisë, shfrytëzim të të varfërve për interesin e atyre pak vetëve që, ashtu sikurse Papa ka theksuar me forcë në homelinë e vet, është KRIM kundër njerëzimit. Nënë Tereza ka pasur guximin ta padisë gjithë këtë, madje përpara të fuqishëmve të tokës, dhe ne ende strehohemi në një frazë tejet të rrezikshme dhe të parafabrikuar: “Çfarë t’i bësh? Këtu jemi në Shqipëri! Punët gjithmonë kanë shkuar kështu!”. Jo vëllezër dhe motra! Gjerat mund të ndryshojnë dhe të përmirësohen…varet prej secili prej nesh, ka thënë Papa Françesku të rinjve me forcë në  Krakovia në ditën boterore e rinisë.

Kush janë të varfrit që duhet t’i duam? Jemi ne vetë të parët ndaj të cilëve duhet të kemi mëshirë! Kush janë të varfrit që duhet t’i mbrojmë prej shfrytëzimit? Jemi ne! Edhe sa kohë duhet të presim më kot që të na shpëtojnë të tjerët? Edhe për sa kohë duhet t’i shohim bijtë tanë t’i lënë nënat e tyre dhe Atdheun e tyre për të marrë nga të tjerët? Kur do të dimë më në fund të bëjmë që të mbizotërojë drejtësia dhe e mira e përbashkët mbi shumë padrejtësi dhe mujshari?

Dhe nuk është vetëm Nënë Tereza modeli ynë: pas dy muajsh do të kemi edhe një tjetër kremtim solemn për të shpallur të lumë Martirët tanë. Edhe ata e kanë ngritur zërin e guximshëm kundër shtypjes e padrejtësisë dhe, për këtë, kanë dhënë jetën. E, pikërisht sikurse Nënë Tereza, edhe vëllezërit tanë Martirë kanë çuar përpara çështjen e Krishtit së cilës i është bashkuar edhe çështja e popullit shqiptar. “Rroftë Krishti Mbret, rroftë Shqipëria!” nuk mundet dhe nuk duhet të bëhet një sllogan si shumë të tjerë, por shpreh vetë thelbin e martirizimit të tyre dhe atë të cilën edhe ne, sikurse ata, duhet ta kemi më për zemër se gjithçka tjetër: pra që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë dhe secili të marrë lajmin e mirë të Ungjillit, i vetmi i aftë ta drejtojë shtegun dhe të na prijë drejt shëlbimit.

Vëllezër e motra, Kisha e Shqipërisë, e vogël dhe e varfër por e bukur, me këtë Kanonizim dhe me Lumturimin e ardhshëm i “Martirëve” është duke marrë një nder tejet të madh përpara botës por, siç ndodh gjithmonë, pranë një nderi të madh ka gjithmonë edhe një detyrë të madhe. Detyra jonë është ajo që të imitojmë Shenjtërit tanë dhe, me jetën tonë, t’i japim lavdi Hyjit e të nxisim të mirën e njerëzimit.

Më kanë treguar se në ditët para kanonizimit të Nënë Terezës janë bërë në rrjetet sociale bashkëndarjet e figurave të Shenjtes Terezë me thëniet e saj më të famshme; por unë besoj se mund ta pranojmë si të sajën, në këtë liturgji të sotme e pastaj gjatë gjithë jetës sonë, ftesën e Psalmit përgjegjës: “Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti! I lumi ai që shpreson në të!”. E nëse secili prej nesh do ta gëzojë praninë e Hyjit dhe mëshirën e tij, nuk mund të mos jetë afër atij që vuan dhe solidar e i mëshirshëm me të tjerët!

Këtë na dorëzon Nënë Tereza; këtë duam ta marrim si mësimin më të rëndësishëm; ky është misioni të cilin duam ta marrim përsipër përpara popullit tonë shqiptar sepse është ajo për të cilën ka më shumë nevojë: të takojmë Hyjin, të shijojmë praninë e tij e të jemi solidarë me të tjerët.

Shenjtja Tereza e Kalkutes na dhashtë këto dy hire. Amen.

*Predikimi i mbajtur nga Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkev Metropolit Shkoder – Pult, me rastin e Meshes se Falenderimit per shenjterimin e Nene Terezes ne Laç Te Vaut te Dejes me date 10 shtator 2016

Previous Bekimi që morëm në Laç të Vaut të Dejës, në Katedralen e Nanës ...
Next Letër një shkollari ...

Sugjerime