Bekimi që morëm në Laç të Vaut të Dejës, në Katedralen e Nanës …

Bekimi që morëm në Laç të Vaut të Dejës, në Katedralen e Nanës …

nene-tereza-1PEREGRINUS.AL   /

Retë që mbështillnin sot Laçin e Vaut të Dejës dhe katedralen e Nënë Terezës, dukeshin ajo reja që shoqëronte popullin e Hyjit në shkretëtirë. Së pari Dioqezën e Sapës që para pak kohësh ka humbur Bariun e Saj, Imzot Avgustinin, e tani i lutet Zotit që t’i dërgojë sa më parë një bari të denjë. E po ashtu ajo re na mbështillte të gjithë neve si prani e Zotit në mesin e popullit të tij. Disa piklima shi, shumë pak, që ranë ndërsa po kremtonim meshën e shenjtë, dikujt i’u dukën si pika të bekimit hyjnor që nëpërmjet Nënë Terezës vinin e lagnin fytyrat tona e të atyre që kishin ardhur nga e gjithë Shqipëria për të falendruar Hyjin.

Dita e sotshme në Katedralen e Laçit të Vaut të Dejës iu kushtua falenderimit (Eukaristia) për Shenjten Tereza të Kalkutës. Një shenjte për Kishën dhe për besimtarët është gjithnjë një dhuratë e bukur, sepse tregon se Zoti vazhdon të frymëzojë njerëz me dashurinë e tij. Për ne, Shenjtja Tereza e Kalkutës mvesh një rëndësi edhe më të madhe, jo vetëm për faktin se ishte me origjinë shqiptare, por edhe për faktin se ajo erdhi në Shqipëri e ka shumë prej atyre që e kanë njohur, takuar e folur me të.

Metropoliti i Shkodrës, Imzot Massafra, sot me fjalët e tij i çoi peshë zemrat e të pranishmëve duke na kujtuar që Nënë Tereza nuk është vetëm motiv krenarie pse ishte shqiptare, por një shtytëse në angazhimin tonë që të ndjekim shembullin e saj. Po, pikërisht kjo gjë është thelbësorja në këtë kremtim. Fjalët e Ungjillit na kujtuan të vërtetën themelore të shpallur nga Krishti nëpërmjet Mateut: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.

Rrallëherë e kemi menduar ndoshta këtë njejtësim që bën Krishti me të varfërit, të sëmurët, të eturit e të uriturit, të burgosurit e shtegtarët. Më duket sikur Krishti të njëjtën gjë që thotë në darkën e mbrame: merrni e hani ky është trupi im, e thotë edhe këtu: më shërbeni tek të varfërit se ai është trupi im. Atëherë nuk mund ta ndajmë trupin e Krishtit që marrim në Eukaristi, me trupin e Krishtit që shohim e prekim tek të tjerët e sidomos tek më të varfërit. Kjo është rruga e Kishës, rruga e dashurisë.

Ky kremtim ishte një rast edhe i një përshëndetje me Nuncin Apostolik, Imzot Ramiro Moliner Ingles, i cili përfundon misionin e tij diplomatik në Shqipëri. Po ashtu në fund fjalën e morën edhe Presidenti i Republikës Zoti Bujar Nishani e Kryetari i Bashkisë së vaut të Dejës Zoti Zef Hila. Të gjithë theksuan me nota të dukshme emocioni bukurinë  e kësaj gruaje dhe të virtyteve të saj.

Në fund të  ceremonisë Bashkia e Vaut të Dejës kishte organizuar edhe një koncert me muzikë klasike për të gjithjë të pranishmit. E veçantë ishte edhe prania e Postulatorit të Përgjithshëm të Shenjtërimit të Nënë Terezës Padre Brian, i cili bashkëkremtoi meshën me ipeshkëvinjtë e pranishëm.

Previous Nunci Apostolik, Imzot Ramiro Moliner Ingles, përfundon misionin e tij në Shqipëri
Next Kemi të njëjtin gjak si ajo, por a duam edhe ne si ajo?*

Sugjerime