Misioni katolik shqiptar ne Zvicër dhe shenjtërimi i Nënë Terezës

Misioni katolik shqiptar ne Zvicër dhe shenjtërimi i Nënë Terezës

misioni-katolik-zvicerDON AGIM QERKINI   /

Me 2-5 shtator, Misioni Katolik Shqiptar në Luzern shtegtoj ne Romë me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Në këtë shtegtim, nga Misioni ynë morën pjesë 120 besimtarë, pastaj, edhe sakristani i famullisë se Shën Mihillit Kurt Bircher, ndërsa kishte edhe shumë të tjerë që kishin ardhur në Romë në forma tjera. Shkuam ta takojmë këtë Shenjtëreshë në Romë, tani lutemi që ta takojmë tek njerëzit në nevojë dhe t’i ndihmojmë ata me zemrën e saj.
Ditën e shtunë para shenjtërimit, nën udhëheqjen e z. Martin Utz, (ish komandant i gardës së Papës) vizituam shumë vende e monumente të rëndësishme nga koha romake, por edhe Bazilika dhe vende të shenjta që na flasin për kishën e hershme e deri më sot. Pas vizitës te shtatorja e heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit, në mbrëmje, në Basilikën e Shën Palit, morëm pjesë në koncertin klasik të filarmonisë së Kosovës, i organizuar enkas për këtë ngjarje të rëndësishme për mbarë Kishën, e sidomos për popullin tonë. Në këtë koncert, ndër tjerë u paraqiten me këngë sopranot e mirënjohura Inva Mula dhe Ermonela Jaho, pastaj këngëtarja Rita Ora interpretoj këngën “What Child is this”, në përcjellje të violinistit të njohur Shkëlzen Doli. Interpretuan edhe artistë tjerë dhe vërtetë ishte një koncert madhështor.
Ditën e diel, me shumë shtegtarë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, ishim në lutje dhe gëzim me ata që i shërbeu Nënë Tereza, me të varfrit dhe të sëmurët, me të gjithë ata që ishin arsyeja dhe kuptimi i jetës së Saj të shenjtë.
Kështu, herët në mëngjes, numër i madh i shtegtarëve i ishte drejtuar sheshit të Shën Pjetrit për të marrë pjesë në meshën e shenjtërimit. Pas meshës solemne të udhëhequr nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, pasditen e kaluam në qytezën e Genazzanos (rreth 60 km larg Romës). Me këtë qytezë të vogël, shqiptarët janë të lidhur tash e më shumë se 500 vjet më parë, që prej vitit 1467. Sipas një legjende, afresku që paraqet “Zojën e Këshillit të Mirë” me Krishtin në dorë, për t’i shpëtuar shkatërrimit nga pushtimet turke, shkëputet nga muri i Kishës në Shkodër dhe duke kaluar detin Adriatik vjen dhe vendoset ne Genazzano. Që atëherë shqiptarët shtegtojnë në Genazzano. Misioni ynë në Luzern, “Zojën e Keshillit të Mirë” e ka për pajtore të veten, prandaj, me kënaqësi e vizituam edhe këtë Shenjtërore.
Shumë Papë e kanë vizituar këtë vend. Ndër ta, po veçoj vizitën e Papës Gjon Palit të II, i cili erdhi në Genazzano më 22 prill 1993, tri ditë para se të nisej për vizitë në Shqipëri. Me këtë rast ai e pati rikthyer në Shkodër kopjen e figurës së Zojës. Ky ishte një gjest i tij për të nderuar me admirim qëndresën dhe flijimet e shumta për Fe e Atdhe të klerikëve dhe shumë laikëve të martirizuar në Shqipëri.
Edhe Nëna Terezë, si shumë shqiptarë të tjerë, disa herë kishte ardhur në Shenjtëroren e ashtu quajtur “të shqiptarëve” në Genazzano. Vizita e saj e fundit në këtë Shenjtërore ishte më 10 qershor 1993.
Të hënën, pas meshës së falënderimit në Sheshin e Shën Pjetrit, e udhëhequr nga Eminenca e tij, Kardinali Pietro Parolin, me gëzim të madh në zemër dhe përshtypjet më të mira u nisem për Luzern. Ishte kjo një ngjarje që do të mbahet mend gjatë gjithë jetës. I lutemi Nënë Terezës të ndërmjetësoj për ne të gjithë, dhe të na shoqëroj me ëmbëlsinë e shikimit Amnor dhe buzëqeshjen e saj.

Previous Shqiptarët e çmuar nën hijen e Apostullit Pal
Next Famullia Katedrale e Shkodrës në Romë për shenjtërimin e Nënë Terezës

Sugjerime