Nënë Tereza: motiv krenie apo angazhimi?*

Nënë Tereza: motiv krenie apo angazhimi?*

nene tereza 1GJERGJ META   /

Është më se normal entuziazmi që ka përfshirë shumë shqiptarë këto ditë për shenjtërimin e Nënë Terezës në Vatikan. Shumë pak ndoshta, dhe me të drejtë, e kuptojnë domethëniën e kësaj gjëje, por në përgjithësi kuptohet se është diçka e mirë dhe se emri i një gruaje shqiptare, i një bijës tonë, po përmendet për mirë në nivel planetar. A nuk është kjo një gjë e mire? Në këtë shkrim dua të shpjegoj me pak fjalë se çfarë do të thotë shenjtërim e më pas të bëj një vlerësim timin rreth dukurisë së “krenimit” me figurën e nënë Terezës.

Për Kishën katolike shenjtërit janë ato gra ose burra që me jetën e tyre paraqesin një model besimtari. Ne të krishterët katolikë besojmë se Kisha, pra bashkësia e besimtarëve e mbledhur rreth fjalës së Zotit, është jo vetëm ajo e tokës, por edhe e qiellit. Duke besuar në ringjalljen e trupave dhe në jetën e përtejme, Kisha na mëson se ka edhe një bashkësi njerëzish që sodit tashmë fytyrën e Hyjit dhe këta quhen shenjtër. Ata janë shumë sigurisht, por disa prej tyre Kisha i zgjedh për t’ua paraqitur besimtarëve katolikë si model jete, në bazë të dëshmisë së jetës që ata kanë dhënë për së gjalli. Në këtë kuptim Nënë Tereza shpallet si model i një njeriu besimtar që ka përmbushur në jetën e saj urdhërin themelor të dashurisë, që është premtuar ditën e Pagëzimit: të duam Hyjin dhe të afërmin porsi vetveten. Veçoria e shenjtes Tereza të Kalkutës ishte se të afërmit që ajo deshi dhe shërbeu ishin më të varfërit ndër të varfër. Ata që kanë qenë ndonjëherë në Kalkutë, apo në vendet ku ka shërbyer Nënë Tereza, e marrin vesh më së miri kuptimin e kësaj fjale: të varfërit ndërmjet më të varfërve.

Njerëz të tillë të mëdhenj Kisha Katolike e krishtërimi në përgjithësi ka nxjerrë gjatë gjithë historisë së tij. Dhe janë këta njerëz si Françesku i Assizit, Vincenc De Paoli, Shën Elizabeta e Hungarisë, Martin Luter King, e tani edhe Nënë Tereza, që kanë shkruar faqe të ndritshme të historisë së krishtërimit përgjatë dy mijë vjetëve, sidomos për shkak të angazhimit të tyre në të mirë të të varfërve.

Të varfërit të cilëve u shërbeu Nënë Tereza ishin vërtet, e vazhdojnë të jenë akoma, pjesa më e mënjanuar, e harruar dhe e lënë pas dore e shoqërisë. Janë njerëz që për pasuri të tyren kanë asgjënë, mjerimin dhe vetminë. Pikërisht këtyre njerëzve u krijohen kushtet që së paku të kenë një vdekje të dinjitetshme. Angazhimi i saj dhe i motrave në mbarë botën nuk zëvendëson strukturat që kanë për detyrë të zbusin varfërinë, të ndërtojnë e mirëmbajnë spitalet, të zhdukin papunësinë etj. Ato merren me ata njerëz që shoqëria apo shteti i ka harruar apo është i pamundur t’u vijë në ndihmë.

Për ne shqiptarët fakti që Nënë Tereza ishte bija e Kolës dhe e Dranes, e lindur në një familje qartësisht shqiptare, përbën një motiv të mirë për ta pasur si një ambasadore për popullin tone, që ndër shekuj ka vuajtur edhe ai vetë shumë. Ne jemi një popull që e dimë çfarë është vuajtja dhe përçmimi, varfëria dhe mjerimi. Historia shpesh na ka vendosur në situata dhe çaste jo fort të këndshme e të pëlqyeshme. Na ka vendosur nga ana e të shtypurve dhe të përbuzurve. Sigurisht nuk mund të rrimë e t’i qahemi historisë, por na kërkohet të përveshim mëngët e të punojmë për të ardhmen tonë.

Megjithatë një shenjte e të varfërve nga një popull i varfër është shenjë e një shpirti të madh që di të falenderojë Zotin e të vihet në shërbim të krijesave të tij të varfëra. Kjo mendoj se duhet të jëtë për ne jo vetëm një motiv krenie, por më së shumti një shtysë për angazhim personal e komunitar në shërbim të atyre që kanë nevojë e janë në mjerim. Të kuptohemi: Nënë Tereza nuk ka pasur si mision të zgjidhë problemin e varfërisë, por ka pasur si mision që askush që kalonte në shtëpitë e saj apo që ajo takonte në rrugë të mos mbeste pa një shërbim plot dashuri, sadopak kohë që të kalonte aty. Shembulli i saj nuk mund të përsëritet, pasi ajo ishte unike ashtu sikurse secili prej nesh është unik, por afrimin ndaj të tjerëve, ndaj plagëve dhe vuajtjeve të të tjerëve me dashuri mund ta bëjë secili prej nesh.

Nënë Tereza mbetet dishepulle e Krishtit dhe gjymtyrë e qytetërimit të dashurisë, atij qytetërimi që zë fill atëherë kur njeriu jeton gëzimin, paqen dhe drejtësinë: atribute këto të Mbretërisë së Hyjit.  Ky qytetërim zë fill kur njeriu, i vetëdijshëm për varfërinë dhe vogëlsinë e vet, dëgjon dhe bëhet i përgjegjshëm e i gjindshëm për varfërinë dhe mjerimin e tjetrit që gjendet afër tij. E kështu ofron krejt dashurinë e tij, përkushtimin dhe mundin, i bindur se jemi të gjithë bijë të t’njëjtit Hyj.

*Shkrimi eshte botuar ne Gazeten Panorama te dates 4 shtator 2016.

Previous SPROVË PËR NJË HISTORI TË KISHËS KATOLIKE NË TROJET SHQIPTARE
Next Predikimi i Papës Françesku në meshën për shenjtërimin e Nënë Terezës*

Sugjerime