Vrasja e Atë Hamel si simbol i luftës kundër qytetërimit të dashurisë*

Vrasja e Atë Hamel si simbol i luftës kundër qytetërimit të dashurisë*

Foto_profili 2GJERGJ META   /

Vrasja e Atë Jaques Hamel ditën e djeshme në Francë, nga dy persona në emër të ISIS, ka brenda një vlerë simbolike të fuqishme. Terrorizmi po kalon në një stad tjetër, akoma më të fuqishëm. Nuk bëhet fjalë për një akt terrorist çfarëdo, ku synohet një numër sa më i madh personash (mund të ishte zgjedhur një meshë e ditës së diel, sikurse zgjidhen xhamitë në vende të Lindjes që hidhen në erë gjatë faljes së të premtes), apo një objekt i rëndësisë së veçantë. Jo! Synohet një vend dhe një person simboliknjë kishë dhe një prift që po kremton meshën e mëngjesit, të përditshëm, me pak veta.

Pse unë mendoj se është një goditje simbolike? Aktualisht, Kisha Katolike, me në krye Papën Françesku, duket i vetmi realitet dhe zë që ende beson te mosreagimi me anë të dhunës, te moskthimi i së njëjtës monedhë, te fakti që tjetri, pavarësisht se ka një fe tjetër, në momentin që është emigrant duhet pritur e pranuar. Në mënyrë të përsëritur këtë gjë e kanë bërë, qoftë meshtarët katolikë, qoftë ipeshkvijtë e qoftë vetë Papa Françesku, e jo vetëm me fjalë, por edhe me gjeste konkrete. Kjo për Kishën ndodh sepse këtu luhet shpirti, esenca e krishtërimit:dashuria dhe solidariteti me ata që kanë nevojë, pavarësisht se kush janë e nga vijnë.

Kjo gjë terroristëve nuk u pëlqen, sepse u kujton diçka që ata nuk e kanë, nuk mund ta kenë kurrë dhe që e kanë humbur tashmë. Mesazhet e paqes dhe të thirrjes për të mos urryer atyre nuk u pëlqejnë. Madje, mesazhet për të mosurryer myslimanët atyre nuk u pëlqejnë fare, sepse ata këtë duan. E kam vënë re edhe vetë këtë gjë kur mundohem shpesh të jap mesazhe paqeje. Shoh nëpër rrjete sociale që jo të gjithëve u pëlqejnë këto mesazhe dhe ka nga ata që jo vetëm ironizojnë, por edhe i sulmojnë. Gjithnjë e më shumë terrorizmi do të kërkojë të vrasë çdo gjë të mirë që dikush mundohet të mbjellë sado pak, sepse paqja dhe e mira u heq atyre token nëpër këmbë, u heq atyre tokën e urrejtjes dhe të përjashtimit, si terreni natyral ku ata jetojnë. Padre Jaques Hamel, tashmë i vrarë, i cili edhe kështu po jetonte ditët e tij të fundit në këtë jetë për shkak të moshës, kështu kishte shkruar në blogun e famullisë së tij pak ditë më parë: “Pushimet janë një kohë për me u largu pak nga veprimtaritë tona të zakonshme. Është një kohë relax-i, por edhe shërimi, takimi, bashkëndarje e gëzimi….(një kohë) për me taku të afërm dhe miq, për me provu diçka së bashku. Një kohë për me u respektu në mënyrë të ndërsjellë me të tjerët, kushdo qofshin ato.Lutuni për ata që kanë nevojë, për paqen, për me jetu më mirë së bashku…”.

T’u kujtosh, paqen, përkujdesjen, takimin me njëri-tjetrin, edhe pse të ndryshëm, terroristëve nuk u pëlqen. Është si t’i hedhësh djallit ujin e bekuar. Por edhe sikur këtë akt të mos e kenë bërë ata të ISIS-it, kushdo ta ketë bërë dhe e ka shitur në emër të tij, ka vetëm e vetëm këtë qëllim që të bëjë edhe Kishën Katolike partnere në një kundërreagim të dhunshëm, t’i bëjë edhe ata të krishterë që besojnë në Ungjillin e dashurisë të mendojnë se nëpërmjet dhunës mund t’i jepet përgjigje terrorizmit. Terroristët e dinë se nuk mund ta pushtojnë Europën dhe Perëndimin, e dinë se nuk mund ta imponojnë Islamin dhe ligjin islamik me dhunë, por duan të mbjellin panik e ta pushtojnë nëpërmjet panikut. Këtë e kanë bërë në disa raste, e brenda një muaji e gjysmë në shumë raste (rreth 15 në një muaj e gjysmë). Me rastin e djeshëm kemi të bëjmë me një lloj tjetër lëvizjeje, e cila ka gjasa të mos ndalet e të krishterët duhet të përgatiten jo më në vende publike dosido, por pikërisht aty ku mblidhen për të ushtruar kultin e tyre, sepse terrorizmi nuk njeh kult. Ai ka kult vetëm vetveten dhe ideologjinë e tij për të totalizuar idenë e tij dhe atë që ai e quan zoti i tij, është një zot i krijuar prej tij.

Një njeri nuk bëhet kamikaz pse i është premtuar një jetë tjetër, por sepse këtë jetë që ka po e jeton i frustruar, i paorientuar, thellësisht i plagosur në sensin e jetës dhe të dashurisë, krejtësisht i mbushur me ndjenja urrejtjeje dhe mllefi. Një kamikaz apo një terrorist, nuk ka më asgjë për të humbur, sepse ka humbur gjithçka, i kanë marrë gjithçka, e kanë zbrazur dhe e kanë bërë tabula rasa, qoftë edhe duke i premtuar një parajsë false. Realiteti i përtejmë i pretenduar nga terroristët si një premtim për një jetë më të mirë, fsheh mungesën e një sensi në realitetin e këtejmë. Prandaj, ata nuk do të ndalen as përpara vendeve të kultit apo njerëzve të kultit, sidomos ndaj atyre që promovojnë paqen e respektin për të gjithë, sepse ata janë më të rrezikshmit për ta më shumë sesa avionët luftarakë, më shumë sesa multinacionalet e naftës e më shumë sesa tanket shtypëse.

Por ne nuk mund t’i lëmë vend urrejtjes. Ja çfarë shkruan Arqipeshkëvi francez, Dominque Lebrun, i zonës ku u vra Atë Jaques, i cili këto ditë ndodhej në Poloni për Ditën Botërore të Rinisë: “Kisha Katolike nuk ka armë të tjera për të marrë, përveç lutjes dhe vëllazërimit. Unë qaj drejt Hyjit me të gjithë njerëzit vullnetmirë dhe i ftoj edhe jobesimtarët t’u bashkohen lotëve të mi (për viktimat). Po lë këtu qindra të rinj (në Krakovë) që janë e ardhmja e njerëzimit. U kërkoj atyre që të mos i dorëzohen dhunës e të bëhen apostuj të qytetërimit të dashurisë”.

*SHKRIMI ESHTE BOTUAR NE GAZETEN PANORAMA TE DATES 27 KORRIK 2016 me titull “Terrorizmi eshte kundër qytetërimit të dashurisë”

Previous A kanë prapavijë djallëzore veprimet terroriste?
Next Papa Françesku ne Poloni: Hyji hyn i thjeshte ne histori

Sugjerime