A kanë prapavijë djallëzore veprimet terroriste?

A kanë prapavijë djallëzore veprimet terroriste?

ANTON UKA   /Anton Uka

Ngjarjet terroriste të viteve të fundit, që po tronditin botën mbarë, sipas interpretimeve dhe analizave të ndryshme kanë një lidhshmëri religjioze – fundamentaliste, politike, psikologjike dhe ideologjike. Duke mos përjashtuar asnjërën nga këto lidhshmëri, përmes këtij shkrimi dëshiroj të theksoj se pas çdo veprimi të keq, fshihet edhe dinakëria dhe veprimi famëkeq i Djallit; po ashtu dëshiroj ta ndihmoj lexuesin, që t’i kuptojë rrugët, përmes të cilave përvijohet dhe vepron i Keqi në jetën e njeriut dhe shpirtrat e këqij, nga të cilët duhet të lirohet dhe shërohet.

Jezuiti i famshëm slloven, Atë Tomas Spidlik, thoshte: «Secili prej nesh posedon një parajsë brenda vetes, pra, një zemër të krijuar nga Hyji. Dhe secili prej nesh jeton përvojën e gjarprit (simboli i së keqes), që depërton në zemër për të na joshur». Nga kjo thënie kuptojmë se fara e mirë dhe egjra bashkëjetojnë në brendësinë e secilit njeri.

Duke iu referuar përvojës së begatshme shpirtërore të Kishës, kuptojmë se Djalli depërton në zemrën e njeriut përmes pesë fazave:

  1. Sugjerimi – Djalli para se gjithash i sugjeron njeriut idenë, mendimin, fantazinë dhe impulsin për të vepruar keq dhe në kundërshtim me të vërtetën njerëzore dhe hyjnore.
  2. Dialogu – personi pasi që të provokohet nga sugjerimet e Djallit, fillon të dialogojë dhe të reflektojë mbi ato sugjerime të këqija që ndjen në brendësinë e tij.
  3. Luftimi apo beteja – personi meqë e ndjenë dëshirën për të mëkatuar, vendos me liri të plotë të mos bie pre e sugjerimeve të Djallit; përmes betejës dëshmon aftësinë e tij për t’i rezistuar të Keqit.
  4. Pranimi (miratimi) – në këtë fazë njeriu e humbë betejën me të Keqin, duke pranuar sugjerimin e tij të keq.
  5. Pasioni – kjo është faza e fundit, në të cilën e keqja bëhet shprehi e keqe apo ves brenda mendimit dhe veprimit të njeriut.

Pasi që kemi kuptuar pesë rrugët e depërtimit të të Keqit në jetën e njeriut, pyetja më normale që mund të na lind është kjo: si ta njohim apo si ta kuptojmë që një mendim apo sugjerim vjen nga Djalli?

Përvoja shpirtërore e shenjtërve të Kishës na mëson, se mendimet mund t’i dallojmë nëse ato vijnë nga e Mira apo nga e Keqja, nga efektit që ato shkaktojnë apo prodhojnë në jetën e njeriut. Kur janë të mira shkaktojnë guxim, përtëritje, gëzim, harmoni, paqe, qetësi, dashuri për Hyjin dhe për të tjerët. Ndërsa, kur janë të këqija shkaktojnë trazim, shqetësim, frikë, çrregullim të brendshëm, trishtim, urrejtje, dëshira të këqija. Shën Injaci i Loyoles, në lidhje me këtë thoshte përafërsisht kështu: nëse mendimet dhe veprimet e tua shkaktojnë ngushëllim dhe paqe të brendshme, është shenjë se vijnë nga Shpirti Shenjt i Hyjit; ndërsa, nëse ato shkaktojnë hidhërim dhe trishtim të brendshëm, është shenjë se vijnë nga shpirti i të Keqit. Nëse shkaktojnë ngushëllim, duhet t’i kultivojmë; nëse shkaktojnë hidhërim, duhet t’ braktisim.

E cilët janë shpirtrat e këqij, nga të cilët duhet të lirohemi?

Sipas murgut të famshëm të Kishës lindore Evagrio Pontico-s, ekzistojnë tetë shpirtra të këqij apo mendime të këqija, nga të cilat duhet të lirohet, të pastrohet dhe të shërohet njeriu, e këta janë:

  1. Grykësia – Vetëdija se ‘njeriu nuk jeton për të ngrënë, por, ngrënë për të jetuar’, është shumë e rëndësishme për dimensionin e tij shpirtëror dhe mendor. Mjerisht, shumë njerëz të përfshirë nga shpirti i keq i grykësisë, nuk mendojnë dhe nuk dëshirojnë tjetër, veçse të kënaqin grykësinë e tyre. Ky shpirt i keq e turbullon mendjen e njeriut, nuk e lejon të mendojë për Zotin dhe për nevojat e të tjerëve. Njeriu i përfshirë nga ky shpirt i keq, rrezikon të mos mendojë për shpirtin e tij, për jetën e pasosur; gjithçka mendon dhe vepron në funksion të kënaqësive trupore. Sikurse një tokë e papërpunuar prodhon ferra, po ashtu edhe një mendje e pushtuar nga shpirti i grykësisë prodhon mendime të këqija. Sikurse një i vdekur që nuk e ndjen dhembjen që shkakton zjarri, po ashtu një i pushtuar nga grykësia nuk e ndjen shpirtin dhe frymëzimin e Hyjit. Që të kemi një jetë të gjallë shpirtërore, është e domosdoshme të shërohemi nga shpirti i grykësisë.
  1. Epshi – Instinkti seksual ka në vete një fuqi tërheqëse të jashtëzakonshme. Imazhet e ndyta, filmat pornografik, literatura me karakter seksual, tregimet dhe bisedat erotike, kanë fuqi të madhe, sa që zgjojnë në njeriun epshe të pakontrollueshme, të cilat me kalimin e kohës mund të shndërrohen në vese dhe varësi. Që të luftohet ky shpirt i keq, është e domosdoshme të edukohen shqisat sipas shpirtit ungjillor dhe të integrohen ato në impulse dhe fuqi pozitive. Pra, nuk duhet të ndrydhen instinktet seksuale, por, të njihen, të pranohen, të edukohen dhe të integrohen. Arma më e fuqishme që e lufton këtë shpirt të keq është lutja, leximi dhe meditimi i Fjalës së Zotit, adhurimi, kundrimi, veprat e mira, si p.sh., shërbimi dhe vizita ndonjë të sëmuri. Përtacia apo dembelia është rrënja e këtij vesi.
  1. Koprracia – Koprrac është ai njeri, i cili mendon se të mirat e veta materiale që posedon janë absolutisht të tijat dhe nuk është apo nuk ndjehet i detyruar të bashkë-ndajë asgjë me të tjerët, as ato gjëra që i teprojnë. Koprrac është ai njeri që në çdo gjë, në çdo punë dhe në çdo lidhje njerëzore sheh vetëm interesin e vet material dhe të gjitha vlerat tjera i konsideron sekondare. Koprrac është ai njeri që më tepër beson në paratë që posedon, sesa në Zotin. Sikurse deti që nuk mbushet kurrë përplot me ujë, edhe pse të gjithë lumenjtë derdhen në të, po ashtu edhe dëshirat e koprracit për pasurim, nuk ngihen kurrë. Edhe pse i dyfishohet apo i shumëfishohet pasuria, prapëseprapë nuk ngopet, por, gjithmonë kërkon, gjithmonë dëshiron dhe shqetësimin e tij e shuan vetëm vdekja. Njerëzit e pushtuar nga shpirti i koprracisë, me kalimin e kohës, bëhen zemërgur, të pandjeshëm ndaj nevoja të tjerëve. Të shërohesh nga ky shpirt i keq, domethënë të lirohesh nga zoti pasuri, për të besuar në Hyjin dashuri, që dhuron kënaqësinë dhe ndjenjën e plotësisë. Lirimi nga ky shpirt i keq e bënë zemrën të ndjeshme dhe të dhimbshme ndaj nevoja të vëllezërve.
  1. Zilia (trishtimi) – Zilia është keqardhja e brendshme që ndjen njeriu kur sheh se të tjerët janë të lumtur, të kënaqur, kanë sukses, pasurohen, jetojnë dhe kalojnë mirë më vetën e vet dhe me të tjerët. Ndjenja e zilisë zakonisht shkakton në brendësinë e personit trishtim. Njerëzit e pushtuar nga shpirti i zilisë nuk e njohin dhe nuk e shijojnë kënaqësinë shpirtërore, për faktin se vazhdimisht janë të pushtuar nga mendime zilie, të cilat shkaktojnë ndjenja të mëdha trishtimi dhe dëshira të madha për tu hakmarrë. Zilia është sikurse një krimb që dalëngadalë e ha njeriun, duke i shkaktuar dhimbje të tmerrshme shpirtërore dhe mendore; nuk e le të qetë, ia humbë gëzimin e të jetuarit, e mbyll në burgun e vetmisë. Shërimi nga ky shpirt i keq ndodh përmes marrëdhënieve të mira dhe të sinqerta që jemi të thirrur t’i ndërtojmë me të tjerët; ndodh atëherë kur nuk kemi frikë nga pasurimi dhe suksesi i tjetrit, por, besojmë se e mira e tjetrit është edhe e mira jonë.
  1. Zemërimi – Ekziston një zemërim i drejtë dhe një i padrejtë. Me zemërim të drejtë kemi të bëjmë atëherë kur zemërohemi ndaj të këqijave, mëkateve dhe padrejtësive të ndryshme. Pra, ky është një zemërim i kontrolluar dhe i moderuar. Ndërsa, me zemërim të padrejtë kemi të bëjmë atëherë kur na vijnë mendime të pakontrolluara, të cilat shkaktojnë dëshirë për tu hakmarrë, nxisin kënaqësi për fatkeqësinë e tjetrit, nxisin dhunë mendore dhe shpirtërore, që nganjëherë mund të shndërrohet edhe në dhunë fizike. Zemërimi, sipas etërve të Kishës, është një dobësi shpirtërore, që e kanë sidomos ata njerëz që nuk jetojnë sipas natyrës dhe nuk bëjnë asgjë, apo bëjnë shumë pak, për ta luftuar tundimin. Njerëzit e poseduar nga shpirti i zemërimit kanë një potencial të jashtëzakonshëm, që nëse nuk menaxhohet mirë dhe nuk integrohet, rrezikon të shndërrohet në dhunë të madhe dhe të rrezikshme. Zakonisht njerëzit e poseduar nga ky shpirt i keq e kanë të vështirë të falin. Pikërisht për këtë arsye mund të shndërrohet në një patologji drastike atëherë kur kemi të bëjmë me një refuzim të vazhdueshëm të daljes apo të shërimit nga kjo plagë e rënd psikologjike dhe shpirtërore.
  1. Përtacia apo dembelia shpirtërore – është një gjendje e përgjithshme neverie, painteresi, indiference dhe vaktësie mendore dhe shpirtërore. Meqë përtacia e privon njeriun nga gëzimi shpirtëror, Shën Bernardi thoshte se ajo është hija e vdekjes. Duke iu referuar mësimeve të etërve të Kishës, kuptojmë se dembelia shpirtërore shfaqet në mënyra të ndryshme: 1. Përmes frikës së tepruar nga pengesat që hasën në përditshmërinë e jetës. 2. Përmes neverisë, mosdashjes apo mospëlqimit të lodhjes apo sakrificës, që është e domosdoshme në arritjen e sukseseve mendore, trupore dhe shpirtërore. Nuk ka sukses pa sakrificë. 3. Përmes paqëndrueshmërisë në mbajtjen e premtimeve, rregullave dhe urdhërimeve. 4. Përmes humbjes së kohës së çmueshme. 5. Përmes zemërimit ndaj atyre që janë të aftë t’i përballojnë vështirësitë. 6. Përmes lejimit të lirisë së tepruar dhënë shqisave: mundem, prandaj, dua dhe e bëj. 7. Përmes pakujdesisë në detyrat kryesore të të qenurit babë, nënë, i shuguruar, i kushtuar, punëtor, student etj. Shërimi nga ky shpirt i keq nënkupton rikthimin e entuziazmit dhe të dëshirës për të vrapuar, me bindje se të gjithëve na pret kurora e artë e Mbretërisë qiellore.
  1. Krenaria – Edhe vesi i krenarisë buron nga shpirti i të Keqit. Mundohet ta mbjellë në njeriun, pra, në mendjen dhe në ndërgjegjen e tij, ndjenjën e të qenurit superior apo më i madh se të tjerët. Njerëzit e pushtuar nga ky shpirt i keq janë të përqendruar tejet mase mbi vetveten dhe në veprimet e tyre. Pra, kemi të bëjmë me persona narcizoitë, të dashuruar në vetveten. Krenarët në aspektin shpirtëror rrezikojnë të mbesin pa shpërblimin e Hyjit, pikërisht për faktin se çdo gjë e konsiderojnë meritë të tyre. Në aspektin shoqëror rrezikojnë të mbesin të izoluar, ndërsa, në aspektin psikologjik, zakonisht janë njerëz të frustruar, që vazhdimisht sillen rreth vetes, rreth vicioz ky shumë i rrezikshëm, që shkakton vetëm pakënaqësi. Krenaria është kanceri i shpirtit. Etërit e Kishës thoshin se zemra e krenarit arrin në lartësi të mëdha, e pastaj nga aty bie në humnerë. Lirimi apo shërimi nga ky shpirt i keq, nënkupton përvujtërinë, që do të thotë pranimin se gjithmonë jemi të vegjël, fëmijë. Kush lartësohet do të përvujtërohet, e kush përvujtërohet do të lartohet, thotë Krishti (krh. Lk 14, 11).
  1. Fryrja apo mburrja – Njerëzit e pushtuar nga shpirti i keq i mburrjes zakonisht janë të prirë të gënjejnë. Përmes gënjeshtrave dëshirojnë ta mbajnë lartë admirimin dhe konfirmimin e të tjerëve. Zakonisht njerëzit e tillë i bëjnë gjërat me qëllim që të duken dhe të duartrokiten nga të tjerët. Gëzimi i tyre nuk qëndron në veprën e bërë, por në lëvdatën e pranuar. Pra, nuk i bëjnë veprat në nder dhe lavd të emrit të Zotit dhe për dobinë e shpirtrave të njerëzve dhe pikërisht për këtë arsye mungesa e mundshme e lëvdatës shkakton në ta një hidhërim të tmerrshëm, një dëshpërim dhe zhgënjim të paparë. Rregulla e Jezusit: ‘mos ta dijë dora e majtë çka bënë e djathta’ është krejtësisht e papranueshme për ta. Edhe nga ky shpirt i keq njeriu ka nevojë të shërohet, që të jetojë dhe të veprojë i lirë nga dëshira e vazhdueshme e pëlqimit dhe miratimit nga të tjerët.

Kuptimi i fazave të depërtimit të Djallit në jetën e njeriut, njohja e mendimeve të këqija që veprojnë brenda nesh dhe luftimi i shpirtrave të këqij do ta lironte njeriun nga një barrë e rënd psikologjike dhe shpirtërore, do ta ndihmonte të distancohej nga çdo veprim i keq dhe i dëmshëm, për të dhe për të tjerët, e kështu do të jetonte në paqe dhe dashuri me vetveten, me të tjerët dhe me Hyjin.

Previous A e njohim fytyrën e Zotit? - Motrat Salvatoriane ne ushtrime shpirterore
Next Vrasja e Atë Hamel si simbol i luftës kundër qytetërimit të dashurisë*

Sugjerime