A e njohim fytyrën e Zotit? – Motrat Salvatoriane ne ushtrime shpirterore

A e njohim fytyrën e Zotit? – Motrat Salvatoriane ne ushtrime shpirterore

motrat salvatorianeMIMOZA JAKU   /

Dëshira më e madhe e njeriut në jetë është që të njohë dhe të dijë arsyen pse është i krijuar. Pyetjet ekzistenciale që ai i bën, janë pikërisht  të tipit filozofik, antropologjik dhe teologjik mbi atë që është dhe atë që do të mbërrijë. E shën Agostini me fjalë të tjera do t’u jepte përgjigje këtyre me një shprehje të vetme: “Shpirti im nuk gjen paqe deri sa të pushojë në ty, o Zot”.  E vërtet, e tërë qënia e njeriut është në kërkimi të kësaj “paqe-Zotit”, edhe pse ndoshta nuk është i sigurt në atë që kërkon. Prandaj, të njohësh Zotin, vërejmë se nuk është çështje vetëm e arsyes apo e shpirtit,  por është një çështje që prek njeriun në të gjitha dimensionet.

Po të kushtuarit, a e njohin fytyren e Zotit, meqë ata i kanë dhuruar  jetën Zotit? Pyetje kjo, që në shikimin e parë duket se përgjigjen e ka të menjëhershme: Po! Por në të vërtetë, e tërë kjo nëse nuk jetohet në një dhurim të vazhdueshëm edhe për të kushtuarit ky realitet bëhet sfidues, për faktin se ne Zotin nuk e zotërojmë dhe nuk jemi në gjëndje që ta përfshijmë në njohuritë tona. Sado që ne të jemi të lidhur ngushtë me të Ai gjithmonë është i përtejmë dhe i papërfshishëm në mundësitë tona njerëzore. Ai na sfidon dhe na bën të aftë për të. Kjo do të thotë se edhe i kushtuari duhet të ketë bindjen se duhet të kalojë nëpërmjet një braktisjeje, nëpërmjet kryqit, përvujtërimit, qëndrueshmërisë dhe gëzimit, në mënyrë që ta jetojë këtë përvojë të Zotit, e vetëm në këtë mënyrë mundet që ta njohë fytyrën e Zotit, e cila nuk është një fytyrë e largët, por një fytyrë e mishëruar në një Njeri, i cili identifikon veten e tij me më të “dobëtit”, me atë element të punës së njeriut, që është “buka”, pra në Eukaristi. Jeta Eukaristike është burimi dhe kulmi i çdo besimtari e në veçanti i një të kushtuari i cili pa të nuk ka jetë. Ja pra kjo përvojë shpirtërore dhe fizike është një element i domosdoshëm për atë që ka filluar këtë aventurë me Zotin.  E për të pasur këtë qartësi të kësaj njohjeje të Zotit është e nevojshme që të ndalemi e të reflektojmë. Në mënyrë që jeta të mos jetë vetëm aktivizëm, por mbi të gjitha soditje e kësaj fytyre të Zotit në atë që ne bëjmë.

Kjo është përvoja e Motrave Salvatoriane – Shpëtimtarit Hyjnor e bërë në ushtrimet shpirtërore në një fshat të vogël të Shkodres, Sheldi në shtëpin e noviciatit, nga data 14-20 korrik 2016. Ligjëruesi i këtyre ushtrimeve ishte D. Gjovalin Simoni, Zv/Rektor i Seminarit Ndërdioqezan të Shkodrës, i cili me me një përshpirtëri dhe zell të madh ka përcjellë tek ne të gjitha këto argumente duke na bërë që sa më mirë të shijojmë e të shohim fytyren e Atit të mëshirshëm, pikërisht në këta realitete të jetës së përditshme.

Previous Kush i tradhëtoi LGBT: SHBA-BE, Avokati i Popullit apo llogaritjet politike?
Next A kanë prapavijë djallëzore veprimet terroriste?

Sugjerime