Zemërthyer dhe i pafuqishëm me sytë drejt shpresës që nuk zhgënjen …

Zemërthyer dhe i pafuqishëm me sytë drejt shpresës që nuk zhgënjen …

Foto_profili 2GJERGJ META    /

Ndërsa nga dritarja hyjnë rrezet e para të mëngjesit ashtu krejt natyrshëm kthej kryet kah drita duke çelur me ngadalë sytë. Menjëherë mendimet lidhen me ato të disa orëve më parë kur u shtriva për gjumin e natës. Dhe mendimi është vetem një: njerëzit e popullit tim.

Në këto ditë, qysh se ka nisur furishëm debati për Reformën, kam folur, kam shkruar, kam publikuar ne rrjete sociale apo ne website te ndryshme. Kam vu fytyrën time aty, ashtu si shumë të tjerë ndoshta. Për shkak te profilit dhe emrit që në këto vite është krijuar kam menduar se diçka mund të kontriboj per njerëzit e mi.

E kam shikuar Zotin gjithmonë si ai që rrin afër jetës së njerëzve e jam munduar të përçoj këtë frymë edhe në çështjet sociale e politike sa herë që jam shprehur. Herë kam qenë serioz, herë i revoltuar, herë nga pak me humor e diku me shpotitje, por gjithmonë me një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe me ndjenja dashurie për çdo njeri.

Sot ndjehem i pafuqishëm dhe i dorëzuar përballë atyrë njerëzve që mezi arrijnë fundin e muajit, që nuk kanë mundësi të paguajnë qeranë apo dritat e ujin, që nuk kanë mundësi të blejnë ilaçet kur janë sëmurë apo nuk mund të çojnë fëmijët në shkollë. Ata janë sot pjesa më e madhe e shqiptarëve. E megjithatë keto njerëz bashkë me mua e të tjerë këto ditë kemi pasur sytë e drejtuar kah ekranet e tv apo në pc me shpresë për të dëgjuar diçka të mirë rreth Reformës në drejtësi. E kemi parë si një valvul shkarkimi për shumë probleme. Por ka një zhgënjim të madh. Shumica e këtij populli, e unë bashkë me ta, nuk meritojmë këtë situatë. Kjo është një përqeshje e madhe që na bëhet. Por nuk kam ndërmend të merrem më me këtë analizë të cilën e kam bërë disa herë.

Sot unë dorëzohem dhe them se ky sistem i ngritur nuk çahet lehtë. Është më i fortë se ne dhe sigurisht se unë. Nëse dikush ka thënë që sinqeriteti është themeli i jetës shpirtërore unë shtoj se është themeli i jetës shoqërore e politike. Ai mungon. Është i munguari i madh i kësaj situate. Kam pasur sadopak besim qe diçka e mirë do të bëhet, por nga këta njerëz unë nuk pres më asgjë. Thjesht i kërkoj ndjesë vetes, dhe atyre që më kanë ndjekur, për naivitetin tim. Sot jam thjesht zemërthyer dhe i brengosur për popullin tim.

Unë besoj te misioni im, te vokacioni që kam t’i shërbej Hyjit në jetën e këtij populli, atij populli që aq shumë ka vuajtur dhe po vuan. Kam menduar se edhe në jetën publike mund të jepja një kontribut me anë të fjalës time dhe mendimit tim, por aty ku nuk të ecën fjala e nuk të përfillet mendimi më mirë ik se bëhesh qesharak e nuk sjell asgjë.

Sot shqiptarët janë të varfër e të brengosur, janë të lodhur e të zhgënjyer. Jo nga një person, jo nga një emër vetëm, por nga një kastë perverse dhe dembele, arrogante dhe e dhunshme. Përballë kësaj kaste unë dhe shumë shqiptare, më shumë nga ç’duhet, jemi të pafuqishëm.
Thjesht po drejtohem atje ku është shpresat e fundit, shpresa që nuk zhgënjen:
O Zot bëje më mirë se sa ne mund të bëjmë. Na jep forcë e guxim e sidomos shpresë. Vetëm në ty errësira është dritë. Të lutëm mos na lësho! Të lutem!

Previous Komunitetet fetare të krishtera: gjeni konsensusin për reformën!
Next Kush i tradhëtoi LGBT: SHBA-BE, Avokati i Popullit apo llogaritjet politike?

Sugjerime