U treguam naivë, e tani ja pasojat …

U treguam naivë, e tani ja pasojat …

ALBANIA. Near Tirana. Monuments in commemoration of the victory over the germans during the Second World War. 1991.

GJERGJ META    /

Agu i vitit 1991 na gjeti të gjithëve të papërgatitur. Më largpamësit e dinin se një ditë do të ndodhte, por nuk ishin aq optimistë sa të shpresonin se do të kishin qenë dëshmitarë të kësaj epoke. Por edhe kur ndodhi ata ishin të lodhur, të rrënuar burgjeve e të dergjur internimeve. I shiheshin vetëm plagët e marra dhe arnat e mbijetesës. Pjesa tjetër, ajo që thjesht gjallonte nën atë regjim, u mundua të ikë nga ky vend ose thjesht iu nënshtruan të resë pa asnjë orientim. Pjesa tjetër mori pushtetin dhe biznesin.

Ndërkohë nën gërmadhat e një regjimi që nuk e rrëzoi askush, por ra vetë, skifterët këndonin çuditërisht fitore. Njeriu i ri ngrihej triumfues mbi gërmadhat e veta dhe këndonte fitore, por nuk merrej vesh fitoren e kujt? Do të duheshin vetëm 25 vjet prej atij viti për të kuptuar që e vetmja fitore që mund të këndohej ishte ajo e një ideologjie të mprapshtë që kishte arritur të bënte me shqiptarët disa zombie që hanin njëri-tjetrin e çdo krijesë që i dilte përpara. E vetmja këngë ishte vajtimi i trishtë i një qyqeje që nuk pati kurrë fëmijë, por vetëm dhunues. Nuk është këngë fitore, por vajtim qyqesh.

U treguam naivë, sepse menduam që ne hodhëm pas shpine një ideologji e një regjim shkatërrues. Por në të vërtetë ne thjesht dolëm nga korja, nga një kafaz e nuk ditëm se çfarë drejtimi të merrnim. Ngatërruam drejtimin me rrugët gjeografike pa dashur të zbresim në thellësinë e asaj çka kishim bjerrë në 45 vjet. Një vdekje e ngadaltë, ditë pas dite, orë pas ore, deri në vitin 1991, nuk kishte se si të sillte një jetë të re. Ne u treguam naivëm sepse menduam që bisha vdiq, por bisha ishte ende gjallë, vezët e saj tashmë kishin brenda farën e së keqes e cila do të kalonte në breza e do të infektonte të ardhmen.

Ne u treguam naivë, sepse kënduam fitoren, ndërkohë që duhej më parë të varrosnim të vdekurin e të siguroheshim që nuk luante më vendit. U kapëm pas degëve e harruam që rrënja ishte ende e infektuar. Ne nuk bëmë biopsinë e asaj mase të keqe, sepse menduam që me një grevë urie, me një parti alternative, me një palë zgjedhje demokratike mbaroi gjithçka. Ne luftuam kancerin me antibiotikë. A nuk ishim naivë?

Ne, po po edhe ne si Kishë, me traditën tonë shumëshekullore u treguam naivë, sepse menduam që komunizmi nuk e vrau besimin. Gabim! Komunizmi kishte vrarë në qeliza gjithçka, ai kishte infektuar gjithçka. Ato qeliza nuk mund të bëheshin më. Inati dhe egërsia e një grupi kriminelësh përdhunoi një popull në genet e tij, ia ndryshoi, ia përkqësoi, ia bastardoi ato gene.

Ne kënduam fitoren ndërkohë që ende ishim skllevër të së keqes, por nuk e dinim. E shohim tani edhe 25 vjet më vonë se ndoshta duhet t’ia nisim nga e para, nga ai principium që është fillimi i githçkaje d.m.th. nga brenda njeriut, nga intimiteti i tij, sepse aty ka zanafillën e keqja. Është punuar për këtë gjë. Nuk pati kohë që shqiptarët të tretnin 500 vjet pushtimin dhe mendësinë otomane dhe erdhi goditja më e rëndë ajo e komunizimit. E goditja ishte e rëndë e shihet tani kur nuk arrihet një minimum marrveshje midis njerëzish racionalë, sepse veprohet thjesht për hakmarrje dhe timonin e kanë në dorë pasionet e ulëta.

Ndoshta më ka mbetur ora atje, sepse sot janë të paktë ata që i thonë vetes komunistë, shumë të pakët, por stili dhe mendësia ka depërtuar thellë, shumë thellë, kudo. Njëherë që menduam se hoqëm sysh atin-diktator, ne ose u tretëm si delet pa bari rrugëve të botës ose u strehuam në etër të rinj diktatorë, sepse ne nuk ishim mësuar me lirinë e ende nuk jemi mësuar me të. Sepse ende nuk jemi rritur.

Ja pse unë nuk besoj më në zhurmat gjigande që premtojnë ndryshime të mëdha. Nuk besoj, sepse nuk dua të jem më naiv. Tani dua vetëm thjesht të nis aty, nga ai in principium e të lë pas etërit në shenjtninë e tyre të rreme duke shpresuar që të mos bëhem edhe unë një prej tyre, meqë mosha dalëngadalë po më hedh në gjysmën e saj të dytë.

Previous Lajmërimi zyrtar: Ceremonia e Lumnimit të martirëve më 5 nëntor 2016
Next Martirët nuk kanë nevojë për ne, por ne për ata …

Sugjerime