Libri i ri: Sakramentet – kuptimi dhe domethënia e tyre

Libri i ri: Sakramentet – kuptimi dhe domethënia e tyre

SakramentetMIMOZA JAKU    /

“Bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë ‑ atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të” (Rom 8,14-17).

Shën Pali, me këto fjalë e vetëdijeson bashkësinë e romakëve të asaj kohe, se “bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit”. Kam dëshiruar ta filloj paraqitjen e këtij libri me këto fjalë, sepse është pikërisht kjo e vërtetë teologjiko – biblike që del në pah në kapitujt e këtij libri, të cilët kanë si qëllim ta drejtojnë njeriun e sotëm, përmes sakramenteve dhe Kishës, drejtë takimit me Hyjin.

Fakti se gjendemi përballë ndryshimeve të mëdha historike dhe kulturore, që ngjarjet ndiqen njëra pas tjetrës, me shpejtësi të madhe, në një mënyrë duket sikurse njeriu po largohet gjithnjë e më tepër nga qëllimi për të cilin është krijuar: të qënurit e tij në marrëdhënie dashurie dhe bashkimi me Hyjin dhe me njerëzit.

Në këto procese të vazhdueshme dhe të shpejta kulturore dhe teknologjike, ku materializmi dhe relativizmi janë bërë si një virus shkatërrues, është më së e vërtetë që njeriu brenda vetes ndien nevojën për të kuptuar qëllimin e ekzistencës dhe të ardhmes së tij.

Përpjekjeve dhe synimeve të shumta dhe të ndryshme të Kishës katolike, për t’i dhënë një përgjigje të kënaqshme pyetjeve të shumta të njeriut post-modern, që ndërlidhen me sakramentet, iu shtohet edhe kontributi i çmueshëm i këtij libri mbi sakramentet dhe domethënien e tyre.

Në librin e don Anton Uka-jt: “Sakramentet – kuptimi dhe domethënia e tyre”, lexuesi do të arrijë t’i japë një përgjigje pyetjes së tij antropologjike: kush është njeriu për Hyjin? Dhe njëkohësisht do të gjejë një përgjigje ndaj pyetjes teologjike: kush është Hyji për njeriun? Si rrjedhojë e përgjigjeve të pyetjeve të para, lexuesi do të gjejë edhe përgjigjen e pyetjes ekleziologjike (kishtare): cili është misioni i Kishës ndaj dhe për njeriun?

Për mendimin tim dy janë karakteristikat e këtij libri: 1) mjet i dobishëm për katekistët: manual vetëformues dhe për të formuar të tjerët, 2) mjet i dobishëm për t’u lutur dhe formuar në aspektin shpirtëror, ngaqë është i pasur me tekste të shumta biblike.

Në vija përmbledhëse do të thosha se libri është i strukturuar nga dy pjesë kryesor. Në pjesën e parë autori përshkruan sakramentet në përgjithësi, duke i shtjelluar ato me një gjuhë mjaftë të thjeshtë për t’u kuptuar, duke u nisur qoftë nga termi me të cilën shprehen dhe shpjegohen. Një rëndësi të madhe i jep edhe historisë së tyre duke shpjeguar rrjedhën e ngjarjeve përgjatë shekujve deri në ditët që ato kanë marrë formën me të cilën kremtohen sot.

Kuptimi dhe domethënia e sakramenteve në aspektin terminologjik dhe simbolik, që paraqet ky libër, ka për qëllim ta ndihmojë lexuesin, që të njoh rëndësinë e madhe të shenjave dhe simboleve liturgjike.

Në pjesën e dytë autori shpjegon çdo sakrament veçanërisht, duke i ndarë ato në tre grupe, me një kriter teologjik dhe disiplinor, jo në renditjen baritore se si ato jepen sot konkretisht, por i paraqet në aspektin e një funksioni shpirtëror të rritjes së krishterë. Ndarja bëhet në këtë mënyrë: 1) Sakramentet e Hyrjes ose Fillimi i Krishterë: Pagëzimi, Krezmimi dhe Eukaristia; 2) Sakramentet e Shërimit: Rrëfimi dhe Vajimi; 3) Sakramentet e Dashurisë ose të Dhurimit: Urdhri i Shenjtë dhe Kurora e Martesës.

Përmes kësaj ndarjeje autori dëshiron t’i tregojë lexuesit se sakramentet janë pikërisht ato mjete, me të cilët duhet jetuar jeta dhe përforcuar feja.

Ky manual teologjiko – shpirtëror, që vihet në dispozicion të lexuesit, padyshim është një kontribut i çmueshëm, sepse edhe njeriu i sotëm ndjen nevojën dhe dëshirën për t’u vënë në marrëdhënie me të tjerët, e mbi të gjitha me Transhendencën – Hyjin.

Ajo që lexuesit i mundësohet të mësojë nga botimi dhe leximi i këtij libri është, që të dijë të jetojë në një marrëdhënie të ngushtë me sakramentet, të njoh efikasitetin e tyre në jetën e përditshme si dhe të mësojë që t’u flasë të tjerëve për sakramentet me gjuhën e mjeteve të komunikimit, të cilën ata kuptojnë dhe përdorin.

Edhe vetë Jezusi i ka folur popullit të kohës së vet me gjuhen e tyre, për t’u treguar se kush është Ati dhe Mbretëria qiellore. Kështu që edhe teknologjia e sotme është gjuha ku mund të na ndihmojë për të treguar funksionin e sakramenteve në Kishën shenjte. Prandaj është më se e nevojshme që të dimë t’i ndihmojmë të tjerët ta përdorin mirë teknologjinë në dispozicion, sepse teknologjia në një farë mënyre na ndihmon për të njohur dhe kuptuar funksionin e sakramenteve. Nëse skype, viber, whatsapp, etj. kanë si qëllim tendencën për të na vënë në komunikim me persona dhe njerëz të dashur, të cilët janë larg nesh, aq më tepër sakramentet, me simbolet dhe shenjat e tyre, na e bëjnë të mundur afërsinë me Hyjin Trini dhe me Kishën bashkësi.

E bindur që kontributi i çmueshëm i këtij libri do të rrisë vetëdijen mbi atë që beson dhe kremton Kisha, sugjeroj leximin e këtij libri, e sigurt se ndihma dhe rritja shpirtërore nuk do të mungojë.

Previous Unë jam shqiptar – Libri i Atë Ernesto Santucci-it*
Next Lidhja drejtperdrejt streaming me DBR KRAKOVIA 2016

Sugjerime