Vatileaks 2: Transparenca e munguar e Kishës apo faji i gazetarëve?

Vatileaks 2: Transparenca e munguar e Kishës apo faji i gazetarëve?

VATILIKSGJERGJ META   /

Këto ditë është përmbyllur gjyqi i hapur në Vatikan i pagëzuar nga mediat si “Vatileaks 2”. Historia e rrjedhjes së dokumentave nga Vatikani në më shumë se një rast, është një ngjarje e rëndë që ka përfshirë deri edhe zyrtarë të Vatikanit. Këtë herë gjyqi vatikanas zgjidhi nga akuzat dy gazetarët italianë Gianlugi Nuzzi dhe Emiliano Fittipaldi, por janë dënuar dy zyrtarë të Vatikanit konkretisht, Mons. Lucio Vallejo Balda dhe Francesca Immacolata Chaouqui përkatësisht me 18 muaj dhe 10 muaj izolim.

Nuk po i hyj historisë që tashmë është ne mediat botërore. Botimi i librit të Gianluggi Nuzzi – t me titullin “Via crucis” hapi shumë polemika asokohe për shpenzimet e tepërta dhe luksoze si dhe për  disa skandale financiare në brendi të Vatikanit sidomos me bankën Vatikanase.

Në pamje të parë është irrutuese që dokumenta të brendshëm të vidhen e të dalin në publik e madje të botohen, por nga ana tjetër gjyqi nxorri në pah edhe lirinë e medias si një liri themelore madje me të drejtë hyjnore. Në konferencën për shtyp, duke komentuar vendimin e gjyqit, Atë Lombardi, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit tha se liria e shtypit është shumë e rëndësishme, por “…profesioni gazetaresk ka edhe disa limite për t’u respektuar…”

Përtej kësaj ama çfarë na thotë neve si Kishë një vendim i tillë? Motivimi i zgjidhjes së dy gazetarëve nga akuzat ka të bëjë me difektin e jurisdiksionit, pasi ata janë qytetarë italianë, por edhe me faktin se në rendin juridik vatikanas liria e shfaqjes së mendimit dhe liria e shtypit janë një e drejtë hyjnore. Një hap i rëndësishëm ky në komunikimin e Kishës me botën. Procesi u komentua nga të gjitha mediat si një proces pozitiv dhe një akt plot kurajo i Vatikanit. Ashtu e shikoj edhe unë personalisht. E kjo më shtyn të bëj disa reflektime.

Ngjarje të tilla e sidomos vendimi i fundit i Gjyqit Vatikanas na bëjnë me dije se Papa Françesku e ka përnjimend çështjen e reformës dhe të transparencës në Kishë. Nuk mund të jetë justifikim fakti që ka gazetarë antiklerikalë apo antikishë që ne të mos jemi transaprentë në jetën tonë, sidomos në aspektin ekonomik. Transaperenca është një çështje drejtësie dhe një e drejte themelore. Të gjithë kanë të drejtë të dijnë se ku shkojnë paratë e si përdoren ata e sidomos kur këto para janë dhënë nga njerëzit si lëmoshë për të varfërit apo për veprimtaritë e bashkësisë së krishterë. Për Kishën katolike në këtë moment bëhet jetësore për besueshmërinë e saj mënyra se si përdorim apo evidentojmë shpenzimet financiare, hyrjet apo daljet tona.

Në spektrin ndërkombëtar, ku mungesa e transaprencës dhe korrupsioni janë një plagë e rëndë e shoqërisë prej të cilës vuajnë shumë popuj, përfshi edhe Shqipërinë, bëhet e domosdoshme që të jepen shembuj transparence. Puna e këtyre gazetarëve, edhe pse sikurse thashë në fillim mund të duket irrituese, në fund të fundit i ka shërbyer transparencës dhe kujdesit ndaj të mirës publike.

Unë nuk e di cilat kanë qenë qëllimet e vërteta të gazetarëve e cilat mund të jenë në të ardhmen, por unë jam i sigurtë se dalja e një skandali, edhe pse i rëndë shërben, për të përmirësuar të ardhmen.

Italianët kanë një shprehje që thotë: non ogni male viene per nuocere e thënë shqip: jo çdo e keqe vjen për t’keq!

Previous Shkodër: Nisma për martirët dhe vizita e ipeshkvinjëve piemontezë
Next Unë jam shqiptar – Libri i Atë Ernesto Santucci-it*

Sugjerime