Papa Françesku në Armeni e jo vetëm LGBT

Papa Françesku në Armeni e jo vetëm LGBT

Papa-Francesco-ArmeniaGJERGJ META   /

U kthye edhe nga një udhëtim tjetër papa ynë i dashur: nga Armenia. Një vend me një histori të lashtë për krishtërimin. Janë aty gjurmët e kishave të para. Një popull i martirizuar mbi të cilin është kryer një genocid. Papa këtë e ka thënë qartësisht edhe më parë, por e ka përsëritur me forcë edhe në udhëtimin e tij të fundit. Populli armen pranoi peshën e martirizmit, por nuk pranoi të tjetërsojë identitetin e tij si popull. E kjo e bën atë një popull fisnik.

Si gjithnjë në rrugën e kthimit u bë edhe bashkëbisedimi me gazetarët rreth temave të ndryshme të aktualitetit, nga Brexit te çështja e homoseksualëve, nga Sinodi panortodoks te udhëtimi i tij në Poloni për Ditën Botërore të Rinisë.

Janë të gjitha tema që kanë të bëjnë me marrëdhënien e Kishës ad intra dhe ad extra. Papa ka treguar qysh në fillim vullnetin e mirë për dialog, sidomos me ata që janë larg Kishës për shumë arësye apo që Kisha ka qenë larg tyre. Është një stil i ri i një pape i cili i përgjigjet pyetjeve në mënyrë spontane, ndoshta nganjëherë duke ngjallur edhe habi te njerëzit. E megjithatë ai është në vijimësi me veten e tij dhe me atë ccka ai beson se mund t’i sjellë papati i tij Kishës dhe botës.

Sigurisht që mediat në përgjithësi ndalen në pjesë të veçanta apo deklarata të shkëputura të Papës, sikurse ishte edhe kësaj here fakti që ai pohoi se Kisha duhet t’u kërkoi falje personave LGBT, por pa shtuar se këtë falje duhet ta kërkojë edhe ndaj të varfërve, të vegjëlve  e kështu me radhë. Përbën problem një qasje e tillë ndaj një figure si Papa, pasi e redukton krejt fushëpamjen e një magjisteri që është më i gjërë se sa aq.

Sfidat e shoqërisë dhe të Kishës sot janë të shumta. Sigurisht nuk është marrëdhënia me LGBT problemi thelbësor që shqetëson më së shumti sot njerzimin dhe Kishën, edhe pse është një realitet përballë të cilit duhet të reflektohet. Ccështja është se i kërkohet vetëm Kishës Katolike të reflektojë në hapjen e saj ndaj personave LGBT, por ka tradita të tjera religjioze që ndaj këtij problem janë shumë më të mbyllura apo përjashtuese. Mendoj se Papa Frabnccesku e ka ndihmuar Kishën në këto vite që të shohë më nga afër këtë realitet e ta trajtojë atë më me shumë delikatesë edhe pse ka ende shumë për t’u bërë.

Por unë mendoj akoma që sfidën më të madhe sot Papa Franccesku e ka në reformimn e Kishës dhe në hapjen e saj ndaj frymës së Ungjillit e të së resë. Kisha ka nevojë për një freski e cila i vjen asaj vetëm nëse del jashtë gardhit të saj qoftë edhe moral. Asnjëherë mos të harrojmë se Kisha para se të jetë një institucion moral, është një realitet relacional i bazuar mbi dashurinë që vjen prej Hyjit. Ajo është një popull i bashkuar nga Fjala dhe dashuria e Zotit në Birin e saj Jezu Krishtin. Këtu e kanë origjinën edhe ndërhyrjet e herë pas hershme të Papa Francceskut kur flet për barinj që duhet të jenë “etër” dhe “padronë”, që tregojnë dashurinë e Hyjit më shumë se sa shkopin e ndëshkimit.

Ja çfarë godet më shumë te ky Papë. Sepse na thërret të gjithëve të dalim prej disa modeleve të vjetra e të dalë bojet, për të parë realitetin e sotshëm që kërkon më shumë dëshmitarë se sa mësues.

Previous Motrat saleziane një hapësirë formimi në web
Next Kur i flisja stafit të Zotit Lu për Shqipërinë

Sugjerime