Baritorja martesore nuk është baritorja e përjashtimeve

Baritorja martesore nuk është baritorja e përjashtimeve

Papa_UdiencaVincenzo Corrado*    /

Baritorja martesore dhe familjare nuk është baritorja e përjashtimeve. Mund të përmblidhet në këtë sllogan njëri prej mesazheve kryesore – ndoshta më i prituri – i Nxitjes apostolike pas-sinodale a post-sinodale “Amorislaetitia, mbi dashurinë në familje” të Papës Françesku. Dhe është mirë të fillojmë pikërisht nga këtu për t’iu qasur leximit të tekstit për të zbutur entuziazmet apo ikjet përpara dhe për të qetësuar ankimet e kritikat për atë që nuk ka qenë dhe mund të ishte. Përse? Kjo lexohet në mënyrë të qartë në nr. 307 të dokumentit: “Sot, më e rëndësishme se sa një baritore e dështimeve është përpjekja baritore për të forcuar martesat e për të parandaluar kështu ndarjet”.

Është çështje ndjeshmërie me të cilën shikohet realiteti martesor dhe familjar. Është ky vetë, në kompleksitetin e vet, që nuk pranon diskutime të kota e të padobishme mes “fitimtarëve e të mposhturve”, që, ndër të tjera, nuk i përkasin vetë natyrës së Kishës. Ndërsa ai që është konstruktiv është vështrimi në thellësi i jetës familjare, i martesës, i popullit të Hyjit, i cili është i thirrur ta jetojë thirrjen e vet në kohë të vështira e komplekse.

Në këtë vetë titulli i zgjedhur për Nxitjen – “Amorislaetitia” (“Gëzimi i dashurisë”) – sugjeron një shpirt pozitiv dhe propozues. Dihet se fillimi i dokumenteve kryesore papnore tregon përgjithësisht qëllimin kryesor të tekstit, zemrën e tij, pikën mbizotëruese të tij. Kështu është edhe për “Amorislaetitia”: “Gëzimi i dashurisë që jetohet në familjet është edhe galdimi i Kishës”, lexohet në nr. 1. Nuk po flitet për abstraksione apo projeksione ideale, por për bukurinë e jetës martesore dhe familjare, pavarësisht prej të gjitha sfidave që sjell me vete ajo. Pra, teksti të befason me konkretësinë e vet: mjafton të lexojmë nr. 32-57 për ta vënë re këtë ose kapitujt katër, pesë dhe gjashtë. Edhe një herë, Papa Françesku, me zemrën e Bariut, hyn në realitetet e përditshme të jetës familjare në mënyrë të thjeshtë, por të thellë dhe, herë pas here, poetike e romantike. Sikurse, për shembull, në nr. 163 kur flet për “shndërrimin e dashurisë” dhe për “nevojën për t’u kthyer e zgjedhur njëri-tjetrin shumë herë”.

Një dokument konkret dhe, gjithashtu, i dendur, i larmishëm, shumëformësh, që të befason me gjerësinë dhe shtjellimin e tij (nëntë kapituj dhe 325 paragrafë).

“Për arsye të pasurisë së dy viteve të reflektimit që ka sjellë ecja sinodale – shpjegon Françesku në nr. 7 – Nxitja, me stile të ndryshme, përballon tema të shumta e të larmishme. Kjo shpjegon shtrirjen e saj të pashmangshme. Prandaj nuk këshilloj një lexim të përgjithshëm e të ngutshëm. Do të mund të vlerësohet më mirë, si nga familjet ashtu edhe nga vepruesit e baritores familjare, nëse do ta shqyrtojnë atë me durim, njërën pjesë pas tjetrës, ose nëse do të kërkojnë aty atë për të cilën kanë nevojë në çdo rrethanë konkrete. (…) Shpresoj që secili, nëpërmjet leximit, të ndihet i thirrur që të kujdeset me dashuri për jetën e familjeve”.

Në fjalët e Papës kthehen dy thekse të forta: vështrimi sipas përshpirtërisë injaciane (= përkujdesja) dhe baritorja e vëmendshme ndaj konkretësisë së jetës familjare. Por jo vetëm kaq. “Amorislaetitia” sjell të shkruar, në mënyrë të pashlyeshme dhe me germa të qarta, ecjen sinodale, të bërë në 2014 dhe në 2015, me dy asamble të kushtuara së njëjtës temë: pikërisht familjes. Pa rrezikun që të përgënjeshtrohemi, kështu mund të pohohet se me të vërtetë “Amorislaetitia” është një Nxitje pas-sinodale në kuptimin e njëmendtë të termit. Është shprehje e “ecjes së bashku” (= Sinod) – laikë, barinj, ipeshkëv i Romës – krijuese e atij “dinamizmi bashkimi” që duhet të jetë në bazën e të gjitha vendimeve kishtare. Dhe këtu nuk gjendemi në teorinë, por në realitetin origjinar dhe të thellë të Kishës (mister bashkimi) që duhet të dëftohet në çdo bashkësi kishtare dhe duhet të funksionojë si normë jete.

Sinodaliteti dhe kolegialiteti dalin në pah edhe prej të ashtuquajturit aparat kritik, pra prej “shënimeve” të tekstit. Ka prej atyre të zakonshme në një dokument të këtij lloji: magjisteri i mëparshëm papnor dhe ndërhyrjet e tjera të Selisë së Shenjtë. Të rëndësishme referimet në Tomën e Akuinit dhe Injacin e Lojolës. Tëo bëjnë përshtypje citimet “ekumenike”, si Martin Luther King e Dietrich Bonhoeffer, si dhe ato të personaliteteve domethënëse, mes të cilëve psikanalisti Erich Fromm, poetët Jorge Luis Borges e Octavio Paz, filozofët Antonin Sertillanges e Josef Pieper. Një citim i veçantë i filmit “Dreka e Babetës”, i përdorur për të shpjeguar konceptet e dhurimit falas. Dhe, siç ka ndodhur për tekstet e tjera të Françeskut, ka edhe ndihmesa të Konferencave të ndryshme ipeshkvore të botës: Spanja, Korea, Argjentina, Meksika, Kolumbia, Kili, Australia, Celami (Këshilli ipeshkvor latinoamerikan), Italia, Kenia. Është frymëmarrja e katolicitetit që, pasi ka përvetësuar mësimin e Koncilit II të Vatikanit, i hapet gjithnjë e më shumë përmasës së vet reale, pra planetare. Rrjedhojat, në nivel kishtar, janë të ndjeshme dhe angazhuese. Dhe Françesku e di mirë këtë. Prandaj, në nr. 3 “duke kujtuar se koha është superiore ndaj hapësirës”, thekson se “jo të gjitha diskutimet doktrinore, morale apo baritore duhet të zgjidhen me ndërhyrje të magjisterit. Natyrisht, në Kishë është e nevojshme një njësi doktrine dhe praktike, por kjo nuk pengon që të ekzistojnë mënyra të ndryshme për të interpretuar disa aspekte të doktrinës apo disa pasoja që rrjedhin prej saj. Kjo do të ndodhë deri kur Shpirti do të na bëjë të arrijmë në të vërtetën e plotë (krh. Gjn 16,13), domethënë kur të na shtjerë përsosurisht në misterin e Krishtit dhe do të mund ta shohim gjithçka me vështrimin e tij. Gjithashtu, në çdo vend apo krahinë mund të kërkohen zgjidhje më të inkulturuara, të vëmendshme ndaj traditave dhe sfidave lokale”. Më tej, në nr. 300 sqaron: “Është e kuptueshme se nuk duhej të pritej prej Sinodit apo prej kësaj Nxitjeje një normativë e re e përgjithshme e llojit kanonik, e zbatueshme në të gjitha rastet”. Edhe sepse, vihet në dukje në nr. 304, “është meskine të ndalemi për të konsideruar vetëm nëse veprimi i një personi i përgjigjet apo jo një ligji apo një norme të përgjithshme…”.

Pra, sfida kryesore për bashkësitë kishtare përmbahet në ato tri folje që i japin titullin kapitullit të tetë: “Të shoqërojmë, të shoshisim dhe të integrojmë”. Tre qëndrime bazë që plotësojnë njëri-tjetrin dhe i referohen njëri-tjetrit, duke modifikuar orientimin drejt “brishtësive”: “Barinjtë që u propozojnë besimtarëve idealin e plotë të Ungjillit dhe doktrinën e Kishës duhet t’i ndihmojnë ata edhe që të marrin logjikën e dhembshurisë ndaj personave të brishtë si dhe të shmangin përndjekje apo gjykime tepër të ashpra e të paduruara” (nr. 308). Është “logjika e mëshirës baritore”, e vetmja që është në gjendje t’i japë përgjigje dëshirës për shpëtim që gjenden në zemrën e secilit, të çdo familjeje.

*Autori eshte kryedaktor i Agjencise se Lajmeve SIR te Konferences Ipeshkvore italiane

Previous "Hareja e dashurisë" – sinteza e dokumentit të Papës Françesku rreth familjes*
Next Amoris laetitia - Parqitje e Porosise post-sinodale te Papes Françesku

Sugjerime