Homelia e Pashkeve – Imzot Frendo

Homelia e Pashkeve – Imzot Frendo

Imzot-George-FrendoImzot Gjergj Frendo O.P.    /

Një natë e veçantë. Një kremtim i mrekullueshëm, aq i pasur me simbole, me gjeste e fjalë. Kemi filluar duke ndezur zjarrin, nga i cili ndezëm qiriun e Pashkëve, simboli i Krishtit që, me ngjalljen e tij, u bë dritë për ne. Nga ky qiri ndezëm qirinjtë tanë, që ta shprehim besimin tonë se vetëm nga Krishti mund të ecim në dritë. Atëherë pra, e dëgjuam lajmin, i cili shpreh gëzimin tonë për fitoren e Jezu Krishtit mbi mëkatin dhe vdekjen.

LEXIMET

Dëgjuam leximet, shumë lexime, që shpallin veprat e mrekullueshme të Hyjit gjatë historisë. Hyji e krijoi njeriun, mashkull dhe femër, në përngjasimin e vet, pra me një dinjitet të veçantë. Zoti vuri në provë Abrahamin duke e urdhëruar t’ia kushtojë djalin e tij të vetëm si fli; por pastaj vetë Zoti e kurseu jetën e djalit, sepse vetëm flija e Jezu Krishtit mbi kryq mund të bëhej fli-shëlbues për mbarë njerëzimin.

Zoti bëri që populli hebre, nën udhëheqjen e Moisiut, të lirohej nga skllavëria dhe të kalonte nëpër ujërat e Detit të kuq drejt tokës së lirisë. Në këtë ngjarje shohim profecinë e ujërave të pagëzimit, që na kanë çliruar nga mëkati dhe na kanë bërë krijesa të re, siç ka paralajmëruar profeti Ezekiel, kur tha: “Do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja”. Dhe Shën Pali na ka treguar se pagëzimi ynë na ka bashkuar me Krishtin në vdekjen dhe ngjalljen e tij. Askush nuk lind i krishterë. Ata që thonë se janë katolik sepse vijnë nga një familje me origjinë katolike, ndërsa as janë pagëzuar, gabojnë: nuk mund të quhen katolikë, as të krishterë. Bëhen katolikë vetëm me pagëzim.

UNGJILLI

Dhe kemi dëgjuar Ungjillin, që shpalli ngjalljen e Zotit tonë Jezu Krishtit. Gratë, që kishin ndjekur Jezusin gjatë jetës së tij, deshën të tregonin për herë të fundit respektin e tyre ndaj një personi që u kishte dhuruar shpresë dhe gëzim, që i kishte pajtuar me Hyjin, i kishte bekuar dhe shenjtëruar. Prandaj morën erëra të mira që ta lyejnë kufomën e Jezusit. Por e gjetën varrin bosh.

A mendoni ju se ato janë kthyer në shtëpi të zhgënjyer sepse nuk kanë pasur mundësi ta kryejnë atë gjest respekti duke lyer kufomën e Jezusit? Assesi! Përkundrazi, kanë pranuar qortimin e engjëjve që u thanë: “Mos kërkoni ndër të vdekurit atë që është i gjallë”. Dhe kanë besuar fjalën e engjëjve të cilët u thanë: “Ai nuk është këtu. U ngjall”. Jo vetëm, por këto gra kanë qenë dëshmitaret e para për të shpallur ngjalljen e Krishtit. Pra kanë shkuar tek apostujt, që ende nuk kishin asnjë dijeni për çfarë kishte ndodhur.

VARRI BOSH

Gjatë Luftës së Dytë botërore, në qytetin Wilna, në Poloni, hebrenjtë, për të shmangur arrestimin dhe vrasjen nga Nazistët, shkuan tek një varrezë dhe u fshehën në varret. Një grua shtatzënë lindi një djalë në një varr. Roja e varrezave, që vetë ishte hebre dhe plak, i habitur duke parë këtë lindje, i çoi sytë drejt qiellit dhe bërtiti: “O Zot, më në fund na ke dërguar Mesinë shpëtimtar? Sepse kush, përveç Mesisë, mund të lindë në një varr?” Faktikisht i sapolinduri nuk kishte asgjë ç’të thithë përveç lotët që dilnin nga sytë dhe lanin faqet e s’ëmës, dhe vdiq pas tri ditësh. Megjithatë ai rojë, pa vënë re, shpalli një të vërtetë të madhe, kur tha” “Kush, përveç Mesisë, mund të lindë në një varr?” Sepse Jezusi, i lindur në një shpellë në Betlehem, në këtë natë ka rilindur në një varr në Jerusalem.

Shpallja jonë e fesë, “Besoj”, përfshin fjalët: “vdiq dhe u varros”. Unë mendoj se ndoshta kemi humbur domethënien e plotë të fjalëve “u varros”. Sigurisht, shumë prej jush keni qenë ndonjë herë të pranishëm për varrimin e një personi. Ai moment kur arkivoli futet në varr dhe pastaj varri mbyllet, është një moment vërtetë shumë i dhimbshëm, sepse tregon se ai person jo vetëm ka vdekur, por tashti është përjashtuar nga historia. Dhe varri i Jezusit jo vetëm ishte mbyllur, por edhe vulosur: ashtu deshën armiqtë e tij, që të jenë të sigurt mos të vijnë nxënësit e tij, ta fshehin kufomën dhe thonë se u ngjall.

Me varrimin e tij, Jezusi është përjashtuar nga historia, nuk mund ta shohim më duke vepruar në rrugët dhe shtëpitë tona; mbetet vetëm në kujtesë. Shpresat e atyre që e kishin dashur shkuan huq, ndërsa armiqtë e tij dolën ngadhënjyes. Prandaj, që të marrim seriozisht e vërtetën e ngjalljes së Krishtit duhet të marrim seriozisht realitetin e varrit.

“Kush, përveç Mesisë, mund të lindë në një varr?” – tha roja e varrezave në Poloni kur pa një jetë e re të lindë në një varr. Ashtu është! Kush, përveç Jezu Krishti, ka pasur mundësi të rilindë në një varr? Varri i Krishtit u bë një gji pjellor që ka rilindur jo vetëm Krishtin, por të gjithë ne që u bashkuam me Krishtin në saje të pagëzimit tonë. Ju uroj, të dashur katekumenë, ju, që pas pak do të pagëzoheni, sepse do të hyni në varrin e Krishtit që të mund të rilindeni bashkë me të. Ndoshta shumë njerëz që po ndjekin këtë meshë këtu ose në televizor në këtë moment thonë: “Është e pamundur!” Ashtu tha Nikodemi në bisedën e tij me Jezusin në atë natë kur dëgjoi fjalët e Jezusit: “Duhet të lindni përsëri”. Por Zoti ynë është Zoti i të pamundurit! Ezekjeli pa eshtrat e varrosur në luginë të marrin frymë dhe jetë. Ne nuk besojmë në vdekjen, por në jetën. Kjo është shpresa jonë, kjo është arsyeja e gëzimit tonë këtë natë. Të gjitha “haleluja” që kemi kënduar dhe që do të këndojmë gjatë tërë kohës së Pashkëve shprehin gëzimin tonë për këtë ngjarje më të madhe në tërë historinë njerëzore.

Ne kremtojmë Pashkët çdo vit. Megjithatë çdo vit i kremtojmë në një situatë të ndryshme, mund të jetë një situate më e mirë ose më e keqe sesa ajo e vjetshmja. Por në çdo situatë, të mirë apo të keqe, duhet të pyesim vetveten: Krishti i ngjallur, Krishti, që me ngjalljen e tij, ka mbjellë në zemrën e njeriut një shpresë të re, të fortë dhe të gjallë, Krishti, i cili, pas ngjalljes së tij, është takuar me shumë njerëz dhe urimi i tij ka qenë gjithmonë: “Paqja me ju”, çfarë porosie ka për mua në këtë situatë?

Po, situata në të cilën sivjet po kremtojmë Pashkët është disi ndryshe nga situata e vjetshme. Një vit më parë ishte Imzot Rrok Mirdita që ka kremtuar këtë vigjilje të shenjtë. Sot nuk është më me ne. Por Krishti i ngjallur edhe sot na kujton fjalët që kaherë u tha dy motrave, Martës dhe Marisë, të cilat ishin të pikëlluara për vdekjen e vëllait të tyre Lazër: “Unë jam ngjallja dhe jeta”. E tashmë, ende, jemi duke pritur emërimin e arqipeshkvit të ri. Gjithsesi, Krishti i ngjallur na kujton fjalët që u tha apostujve para se të ngjitej në qiell: “Unë do të jem me ju gjithmonë, deri në mbarim të botës”.

Sivjet po kremtojmë Pashkët në një moment kur përjetohet edhe absurdi i të ashtuquajturit ISIS, i cili ka shkaktuar shumë viktima të krishtera, përfshirë këtu edhe disa meshtarë e katër murgesha Misionare të Dashurisë, motrat e Nënë Terezës. Por, Krishti i ngjallur ka një mesazh për ne, edhe për këtë situatë, duke na kujtuar fjalët që u tha apostujve pak para arrestimit: “Në botë do të keni shtrëngime, por kini guxim! Unë e kam mundur botën!” Këto fjalë ishin një profeci dhe një premtim. Në fakt, festa e sotme na tregon sesi u përmbushën këto fjalë, që na nxisin të kemi gjithmonë shpresa të forta në atë që pranoi vdekjen, por doli fitimtar mbi të.

Në këtë periudhë pas Pashkëve të vjetshme kemi parë dhe dëgjuar disa ngjarje shumë të shëmtuara. Vrasjet që arrijnë edhe brenda bërthamës familjare, dhunë dhe vandalizëm, skena aspak të bukura në institucionin më të lartë të vendit. Çfarë na thotë Krishti i ngjallur në këto situata? Është po Ai Krisht i cili, me t’u ngjallur, në takimet e tij me njerëzit e shumtë, pati gjithmonë të njëjtin urim: “Paqja me ju!” Atyre që mbajnë inat në zemrat e tyre, që merren me ndjenja hakmarrjeje, Krishti u thotë: “Falni, ashtu si unë ju kam falur” dhe i kujton lutjen që bëri kur ishte në kryq: “Fali, o Atë!” Atyre që protestojnë me dhunë dhe vandalizëm, i kujton fjalët që i tha apostullit Pjetër në kopshtin e Gjetsemanit: “Të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin”. Dhe atyre që kanë autoritet dhe takohen në kuvend, i cili duhet të jetë vend dialogu, i kujton se, në darkën e tij të fundit, me një gjest që bëri ai na ka mësuar se autoriteti është për shërbim, dhe më tej apostujve ai u tha: “Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju”. Përfaqësuesit e popullit duhet të jenë shembull për popullin.

Të dashur besimtarë, Krishti është i gjallë. Krishti është në mesin tonë. Krishti është brenda nesh, brenda secilit prej nesh. Ja pse të gjithë ndihemi shumë të lumtur sonte. Secili prej nesh, pa dyshim, ka problemet e veta. Megjithatë kemi gjithmonë mbështetjen e Krishtit.

Te dashur besimtarë, Gëzuar Pashkët. Nga zemra ju uroj paqen e gëzimin e Krishtit. Paqja e Krishtit nuk është paqja e botës, as gëzimi i Krishtit nuk është gëzimi i botës. Por mund t’ju siguroj se është paqja e vërtetë dhe gëzimi i vërtetë. Ja çfarë do të thotë kur ju uroj: Gëzuar Pashkët!

Previous A duhet liturgjia të flasë vetëm gegnisht? - Një përgjigje për Ledi Shamkun!
Next Mëshira hyjnore e ka emrin grua dhe nuk eshte nje "devocion"!

Sugjerime