Meditime mbi meshtarët – Enzo Bianchi

Meditime mbi meshtarët – Enzo Bianchi

Meditime mbi meshtaretDon Anton Uka    /

Lexues i dashur, këto meditime të murgut të famshëm italian, Enzo Bianchi, të lehta për t’u kuptuar dhe shumë të thella në aspektin teologjiko-shpirtëror, meqë e përthelluan edhe më tepër vetëdijen time mbi meshtarin dhe misionin e tij të shenjtë vendosa t’i publikoj edhe në gjuhën shqipe. I nxitur nga Shpirti Shenjt i Zotit i cili më frymëzoi t’i përkthej dhe t’i bashkëndajë këto meditime me sivëllezërit e mi në meshtari dhe në rregulltari, me shpresë se edhe lexuesi shqiptar do të ushqehet dhe do të begatohet shpirtërisht me to.

Libri që keni në dorë përbëhet nga tetë meditime të shkurta. Në meditimin e parë Autori vë në dukje se devotshmëria meshtarake karakterizohet nga kryerja e misionit me nderë dhe përgjegjësi; nga besnikëria e përditshme në kushtim e dhurim ndaj Zotit dhe popullit; nga sakramentet e shenjta mbi të cilat ndërtohet dhe formohet jeta e krishterë dhe nga Fjala e Zotit, nga e cila duhet të ushqehet dhe frymëzohet për çdo ditë jeta meshtarake. Sipas Bianchi-t suksesi dhe frytshmëria e misionit ungjillëzues të meshtarit varet nga mënyra sesi ai e jeton marrëdhënien e tij me sakramentet që pranon dhe kremton si dhe me Fjalën që beson dhe shpall.

Në meditimin e dytë Autori bën një shpjegim të shkëlqyeshëm antropologjiko-shpirtëror mbi marrëdhënien e meshtarit me kohën. Koha shihet si moment ku meshtari e dëshmon apo mohon besnikërinë e tij ndaj Zotit; e shenjtëron apo profanizon atë. Thirrja që Enzo Bianchi i drejton meshtarëve është: që të krijojnë një disiplinë të kohës, e cila do të ndikonte dukshëm në rritjen e jetës shpirtërore dhe në shenjtërimin e saj.

Një rëndësi të veçantë Enzo Bianchi ia kushton marrëdhënies apo lidhjes së meshtarit me Fjalën. Shkëputja nga Fjala do ta privonte meshtarin nga dinjiteti i tij, do ta varfëronte në aspektin shpirtëror dhe baritor. Në fakt, Autori u drejtohet meshtarëve me këto fjalë: “Pa Fjalën e Zotit jeni një asgjë në Kishë, pa Fjalën e Zotit nuk keni asgjë çka t’i thoni Kishës, pa Fjalën e Zotit i tërë angazhimi juaj nuk do të kishte kurrfarë dobie. Krishti ka thënë: “Pa mua s’mund të bëni asgjë!” (Gjn 15, 5).

Një tjetër shtyllë që e mban të gjallë dhe të fortë jetën shpirtërore dhe misionin baritor të meshtarit është lutja. Autori, duke pasur parasysh sfidat e shumta me të cilat përballet jeta meshtarake sot dhe angazhimet e shumta dhe të ndryshme të tyre, konstaton se meshtarët rrezikojnë të mos ia kushtojnë kohën e duhur lutjes, të mos ta përjetojnë atë si burim, nga i cili rrjedh tërë veprimtaria e tij. Përkundrazi, shumë herë mund të jetë i tunduar ta përdorë atë në mënyrë funksionale, ta transformojë në diçka që i shërben aty për aty veprimit të tij: mediton në kuptim të përgatitjes për predikim apo për ndonjë konferencë; lexon Shkrimin shenjt apo etërit e Kishës vetëm e vetëm për ta rritur bagazhin e vet intelektual si dhe për ta shprehur në takimin e ardhshëm që ndoshta e pret; lutet duke menduar projektet baritore, pa i vendosur ato përballë Zotit, për të bërë një zgjedhje, vendosje në dëgjesë ndaj Tij…!

Aspekt tjetër shumë i rëndësishëm për jetën shpirtërore të meshtarëve dhe të personave të kushtuar është liturgjia, të cilën Enzo Bianchi e konsideron pjesë të pandashme të jetës meshtarake. Duke iu referuar dokumenteve kociliare, që në lidhje me liturgjinë thonë: “Çdo kremtim liturgjik, pasi është vepër e Krishtit meshtar dhe të trupit të tij, që është Kisha, është vepër veçanërisht e shenjtë, dhe asnjë veprim tjetër i Kishës, në të njëjtin titull dhe në të njëjtën shkallë, nuk barazohet me të në frytshmëri […] Liturgjia është kulmi drejtë të cilit drejtohet veprimi i Kishës dhe, njëkohësisht, burim nga i cili rrjedh e tërë fuqia e saj” (SC 7. 10).

Duke u nisur nga kjo e vërtetë teologjike dhe liturgjike, Autori u drejtohet meshtarëve me këto fjalë: “Në liturgji ju pranoni fjalët për ju dhe fjalët për t’i predikuar; në liturgji ju kërkoni Shpirtin Shenjt për vete dhe për ata drejt të cilëve shkoni; në liturgji ju e njihni veprën që Shpirti Shenjt e ka bërë në ju dhe në bashkësitë tuaja”.

Një kapitull të veçantë Enzo Bianchi ia kushton stilit apostolik të meshtarit, duke i ftuar të shuguruarit dhe të kushtuarit që ta përvetësojnë gjithnjë e më tepër stilin e Jezu Krishtit të pastër, të dëgjueshëm dhe të varfër deri në vdekje.

Sfidës dhe problemit gjithnjë e më të pranishëm, që meshtari ta jetojë meshtarinë e tij i vetmuar dhe i izoluar, Enzo Bianchi i përgjigjet duke u nisur nga ajo që është specifika e misionit meshtarak: e ky është bashkimi.  Meqë karakteristika kryesore e shërbimit meshtarak është dëshira që t’i bashkojë njerëzit me Zotin dhe me njëri-tjetrin në ndjenja vëllazërore, një dëshirë të tillë meshtari duhet ta ndjejë, para se gjithash kundrejt vetvetes, duke e kultivuar pandërprerë shpirtin e bashkimit me sivëllezërit meshtar dhe me ipeshkvin.

Në kapitullin e fundit Autori, duke folur për shërbimin që meshtarët janë të thirrur t’i ofrojnë popullin në emër të Zotit, vë në dukje rrezikun gjithmonë të pranishëm në Kishë, që shërbimi meshtarak të jetohet si funksion dhe profesion, e jo si mision që ka për qëllim të vetëm kthimin, shenjtërimin dhe shpëtimin e shpirtrave të njerëzve.

Lus Zotin dhe ndërmjetësinë e Virgjërës Mari, që këto meditime të shërbejnë për rritjen shpirtërore të secilit prej nesh dhe të nxisin në ne një stil apostolik sipas zemrës së Jezu Krishtit, të butë dhe të përvuajtur!

Previous “Të Mëshirshëm sikurse Ati”. Dita e të rinjëve në dioqezën Rrëshen.
Next A duhet liturgjia të flasë vetëm gegnisht? - Një përgjigje për Ledi Shamkun!

Sugjerime